Afro 8 orë lundrim me tragetin, “Prince” në pronësi të një kompanie shqiptare,   kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni ka mbërritur pasditen e kësaj të hëne në Vlorë.

E shoqëruar nga familja e saj dhe një grup bashkëpuntorësh, Meloni u prit nga kryeminsitri Edi Rama. Sipas informacioneve paraprake, udhëheqësja Italiane, do të qëndrojë për pushime në Vlorë për afro 2-3 ditë së bashku me familjen e saj. Kryeministrja italiane ndërpreu pushimet e saj në Pulia, në një fermë pranë Ceglie Messapica dhe u nis për në Shqipëri, duke iu përgjigjur kështu ftesës së Ramës, i cili pak ditë më parë tha për mediat italiane se e ka ftuar kryeministren italiane që të pushojë në Shqipëri. Madje Rama e konsideroi si motrën e re të Shqipërisë.

“Jam një vëlla i vjetër i Italisë, dhe kështu ndihem shumë afër Xhorxhias dhe më duket se ajo është një motër e re e Shqipërisë”

Mediat italiane shkruajnë se Meloni do të jetë në Shqipëri bashkë me bashkëshortin e saj Andrea Giambruno, vajzën e saj Ginevra dhe ndoshta edhe me motrën e saj Arianna dhe bashkëshortin e saj ministër, Francesco Lollobrigida. Gjithashtu sipas ANSA-s, Meloni do të kthehet sërish nesër në Puglia.

Në vizitën e shkurtër, kryeministrja duhet të takojë privatisht homologun e saj Edi Ramën.

 Në axhendë është planifikuar edhe një vizitë private me kryeministrin Rama në rezidencën qeveritare. Në portin e Vlorës mbërritën punonjës të konsullatës italiane si dhe forca të shtuara të policisë.

Vizita e Melonit në Vlorë, vjen në një moment kur mediat italiane i kanë kushtuar shumë artikuj vendit tonë, ndërsa këtë vit shumë italianë kanë preferuar që pushimet t’i kalojnë në Shqipëri

Kreu i qeverisë ka bërë me dije se po arrihet shifra rreth 500 mijë italianë që kanë vizituar Shqipërinë këtë vit. Teksa pritet vizita e Melonit, vetëm një ditë më parë ish-kryeministri britanik Tony Blair mbërriti në Himarë me helikopter. Qëllimi i vizitës së tij nuk dihet, por nuk përjashtohet as ardhja e tij për të kaluar pushimet në bregdetin shqiptar.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:30
Vizita e kryeministres italiane në Shqipëri, ironi në mediat italiane: Edhe Meloni iku në Shqipëri nga çmimet e shtrenjta

1692041567_twy.JPG

Kryeministrja italiane u prit këtë të hënë nga homologu i saj në Shqipëri Edi Rama në Vlorë. Ajo u shkëput nga pushimet e saj me familjen në një fermë në Puglia dhe erdhi me traget në portin e Vlorës.

Kjo vizitë ka marrë vëmendje edhe në mediat italiane, por më së shumti në rrjetet sociale. Mediat italiane ironizuan të parën e qeverisë me postimin ironik të pak ditëve më parë të Ramës i cili kishte krahasuar pushtimin e turistëve italianë në Shqipëri me zbarkimet e emigrantëve shqiptarë në vitin 1991.

Këtu kanë lindur edhe memet, si ajo që kryeministrja i drejtohet partnerit të saj në plazh: «Njëqind euro për një çadër dhe dy shezllone? Giambru çoje b*thën dhe le të shkojmë në Shqipëri”

Ora 17:31
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni mbërrin në Vlorë, pritet nga Rama

1692024350_fff.jpg

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni sapo ka mbërritur në Vlorë. Meloni është pritur nga Rama. 

Ora 17:08
VIDEOLAJM/ Giorgia Meloni duke mbërritur në Vlorë, pamje nga trageti që duket me sy të lirë nga porti

 

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni është duke mbërritur në tokën e Shqiponjave. Nga pamjet e siguruara nga Report Tv mund të shihni tragetin privat me të cilin kryeministrja së bashku me familjen e saj po vjen për të kaluar pushimet në Vlorë.

Pak më parë në Portin e Vlorës mbërriti kryeministri Rama i cili do të presë ‘motrën e vogël të shqiptarëve.’

Ora 17:02
VIDEOLAJM/ Meloni do të pritet në Vlorë, Rama shkon ta presë në port

 

Kryeministri Edi Rama sapo ka mbërritur në Vlorë, aty ku do të presë kryeministren italiane Giorgia Melonin ose siç preferon ai ta quajë, ‘motra e vogël e Shqipërisë’.

Ora 15:39
Giorgia Meloni vizitë në Vlorë, ‘fortifikohet’ zona e Portit, masa të shtuara të policisë në konsullatën italiane

 

Në portin e Vlorës kanë mbërritur punonjës të konsullatës italiane për të pritur kryeministren italiane, Giorgia Meloni.

Gjithashtu ka forca të shtuara të policisë, ndërsa po largohen nga rruga me karrotrec makina të parkuara gabim. Meloni pritet të vijë rreth orës 16:30-17:00.

Kryeministrja Meloni la Puglian, ndërsa shoqërohet nga familja e saj për një vizitë në bregdetin e Vlorës, duke pranuar ftesën e kryeministrit Edi Rama.