25 ha sipërfaqe toke e kultivuar në serat me luleshtrydhe të fermerëve të Kafaraj, në njësinë administrative Frakull, janë nën ujë nga dalja nga shtrati e lumit Vjosë. Përmbytjet kanë dëmtuar rreth 60 kultivues të cilët pohojnë se uji në sera ka arritur në nivelin e dy metrave, si asnjëherë më parë teksa theksojnë se luleshtrydhja tashmë është në fazën e prodhimit te saj.
Kjo është situatë e përsëritur thonë fermerët e dëmtuar teksa pohojnë se nuk janë dëmshpërblyer asnjëherë përveçse në përmbytjet e herës së parë në vitin 2015, kur janë dëmshpërblyer me 10% të dëmit që kanë pësuar.
“Këtu për momentin janë rreth 250-300 dynym luleshtrydhe nën pushtetin e ujit. Dëmi është i madh, rasti është i përsëritur, hera e 5. Asnjë masë nuk është marrë. Na kanë penalizuar me argjinaturën që kanë bërë me justifikimin se do të mbrojnë banesat, por neve na dëmtojnë më shumë. Mbrëmë për herë të parë pas kaq vitesh ka hyrë uji tek nënstacioni elektrik dhe tek pompat e ujit të pijshëm pavarësisht se nuk tregojnë.
Tani kemi prodhimin kryesor të luleshtrydhes. Kemi hedhur lekë, tani ishte koha për t’i marrë dhe u përmbytëm. Sa sera duhet të përmbyten që të shpallet gjendja e jashtëzakonshme? Shteti tani e ka në dorë, ose na ndihmon ose na le shkretë. Asnjëherë nuk jemi dëmshpërblyer. Na ka ardhur kryeministri na ka thënë një herë më parë se do t’iu dëmshpërblej 100%, ne i thamë duam 50%. Kanë ardhur dhe kanë vlerësuar vetëm 30% të dëmit he nga këto 305 na kanë dhënë 10% të dëmit. Hera e 5 kësaj radhe, nuk ka shkelur këtu këmbë robi. Ne me këtë punë ushqehemi, nuk kemi të ardhura të tjera. Tani vetëm falimentim dhe zhgënjim nga ana e shtetit”, tha njëri prej fermerëve.
Ata pohojnë të indinjuar se teksa ndodhen në situatë katastrofike , askush nuk ka dalë në terren për të parë nga afër situatën e tyre.
“Kjo është një gjendje katastrofike. Këto prurje na kanë shkatërruar si fermerë. Këtu preken mbi 60-70 fermerë. Luleshtrydhja ishte ne fazën e prodhimit. Ishte lulëzimi i parë dhe do ta vilnim. Më mirë lumi të na kishte zënë në muajin mars sesa tani. Po mundohemi të ruajmë bimësinë. Këtu të vijnë ekspertë nga bujqësia dhe të vlerësojnë prodhimin dhe dënim”, tha njëri prej fermerëve.
Sipas fermerëve dëmet janë të pallogaritshme në një kohë kur ekonomia e tyre familjare është e bazuar te të ardhurat nga kjo kulturë. Ne po përpiqemi të shpëtojmë bimën thonë fermerët , pasi prodhimi është shkatërruar plotësisht teksa njëzëri apelojnë për ndihmë nga shteti pasi në të kundërt do të shkojnë drejt falimentimit.
Lajmi kryesor:
Tërhiqet Vjosa, por nuk 'fshin' gjurmët e dëmeve! Report Tv në Bishan dhe Ferras, toka e banesa me ujë: T’i marrim shtëpitë në krah larg lumit?! (VIDEO)









