Damian Gjiknuri, tërmet nesër në Tiranë dhe jo sot në Vlorë e dje në Dibër

Damian Gjiknuri, tërmet nesër në Tiranë dhe jo sot në Vlorë e dje në Dibër

Damian Gjiknuri

Pavarësisht rezultatit të 25 prillit, ka një listë paraprake fituesish. I pari dhe triumfuesi i padiskutueshëm në të gjitha llojet e kombinimit të shifrave, është vetë sistemi. I papërkryer, difektoz në retushimin karnavalesk që i është bërë demokracisë në Tiranë, një krijesë e ndërmjetme mes formës evropiane, mendësisë sovjetike dhe thelbit ende ballkanas e plot ornamente otomane të tij, demokracia do të rimarrë shtyllat e saj. Shqiptarët do të zgjedhin një nga institucionet më të rëndësishëm, opozitën e vendit, që së paku në dy vjetët e fundit ka funksionuar si shfrim Facebook-u dhe tundim molotovi nga opozita reale dhe si një karikaturë qesharake nga opozita legale.

Fitues tjetër i padiskutueshëm në listën me plot të papritura është qarku i Vlorës. Në qytetin e Flamurit kanë ngritur flamujt e inatit që nuk del, edhe presidenti, edhe kryeministri. Nën hijen e rëndë të njerëzve që janë dashur dhe urryer si pakkush tjetër në këtë vend, misteri i rezultatit do të jetë shumë më shumë se një test lokal dhe një kombinim shifrash për poltrona kuvendi. Ai është test force që dëshmon sesi do të jetë Shqipëria nesër. Gara për Vlorën ka lënë në hije edhe vetë Tiranën, Durrësin apo dhe Elbasanin, qarqet që kanë më shumë enigma dhe ndeshje më të fortë, pikërisht sepse aty projektohet një garë personale mes dy njerëzve që në historinë modern të këtij vendi, kanë shkruar e rishkruar historitë e tyre personale politike.

Dhe jo thjesht për një kapriçio të fatit, i përmendur nga të dy dhe nën vëmendjen e të dyve, shqiptarët shohin nga projektorët mbi Vlorë, një personazh i tretë, tek i cili duhet të gjenden përgjigjet e shumë pikpyetjeve që do të zbulohen nesër. Damian Gjiknuri nuk e bëri tërmetin as në Dibër kur e akuzuan se ndërhyri në zgjedhjet lokale dhe as nuk pritet ta bëjë në Vlorë siç e shpreson Rama ta tundë dhe e paralajmëron Meta që të mos e provojë. Ai e ka bërë shkundjen e politikës shqiptare që vitin e shkuar kur përktheu në letër idenë e Ramës se për t’i mundur të gjithë kundërshtarët bashkë, duhet t’i detyronin të garonin veç e veç. Se lista gjysmë e hapur do të detyronte gjithë gratë e burrat socialistë të ngopur nga pushteti dhe gjithashtu, edhe opozitarët e uritur të shtyrë nga sikleti i hierarkisë së votave, që të vraponin më shumë në terren. Dy risi që për një javë do të verifikohen nëse mund të bëjnë një herë të tretë. Bashkë me Anila Denajn e financave përpara tij në listë dhe shefin e përbashkët Edi Rama në kufi të listës socialiste, Gjiknuri i tërmetit përmendet sidomos aty ku nuk është dhe i japin rol edhe aty ku ai refuzon ta ketë. Sidomos në rastin e njërit prej kandidatëve përballë, socialistit veteran që mban mbiemrin e kryeministrit, por garon me LSI-në. Luan Rama, është një nga enigmat e tjera vlonjate, me shans që të jetë sot më shumë se pika e ujit që do të përmbysë nesër balancat e llogarive paraprake. Llogari të cilat në të gjitha herët nxjerrin se Bregu i mrekullueshëm i Jonit, aty ku shumica dërmuese e shqiptarëve preferojnë detin, është destinuar kësaj here të jetë kufiri që do të mbajë e ndajë frymën mes fituesit në delir dhe humbësit dramatik të 25 prillit.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë