Danilo Zeka, princi i baletit
te “Ëndrra e një nate vere”

Danilo Zeka, princi i baletit<br />
te “Ëndrra e një nate vere”
TIRANE - Ishte vetëm 19 vjeç dhe ende Danilo Zeka nuk kishte mbushur asnjë vit punë në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë. Ylli i talentit të tij sa kishte nisur të ndriste, ndaj e dërguan të specializohej tre muaj në Gjenevë. Pasi ndenji tre muaj, e ftuan të shkonte prapë atje, ose në Lozanë, për një kontratë më të gjatë pune. Vjen në Shqipëri për të marrë një vizë afatgjatë, por ambasadat ishin mbyllur...

Shqipëria ishte kthyer në ferr. Në qendër të Tiranës tmerrohet nga krismat e kallashnikovëve dhe dera Teatrit Kombëtar të Operës ishte mbyllur. Një rol të fundit me mjeshtrin e ndjerë Agron Aliaj se ngjiti dot kurrë në skenë. Ende pa u shkëputur nga duart e mjeshtrit niset në të vetmen rrugë që i mbeti hapur drejt vendit fqinj, Greqisë. Si në një film fati i djaloshi shqiptar që korr suksese prej 16 vjetësh në Teatrin e Operës dhe Baletit në Athinë vjen përmes kësaj interviste, dhënë për “Shqiptarja.com”
 
Danilo, më tregoni diçka nga momenti i nisjes suaj drejt Greqisë. E kishit menduar se do të rrinit gjatë atje?
-Janë momente që nuk mund t’i harroj asnjeri. Ishte periudha e vitit 1997. Ishte një vit i zi për të gjithë shqiptarët. Ra skema mashtruese e piramidave. Unë në atë kohë isha 19 vjeç dhe isha për një specializim tremujor në teatrin e Gjenevës. Duke dëgjuar lajmet me shokët e mi në Gjenevë papritur pamë qendrën e Tiranës me njerëz të armatosur dhe tanke dhe filmimet e tmerrshme me njerëz që qëllonin në ajër, që vidhnin dyqane. Ishin tronditëse. Ishte një imazh i shëmtuar. Kaq dramatik ishte ky imazh, sa artistët që ishin në teatrin e Gjenevës, filluan të na mbanin afër duke shprehur një keqardhje të madhe.

Pasi ndenja tre muaj në Gjenevë, më ftuan të shkoja prapë ose atje, ose në Lozanë, për një kontratë më të gjatë pune. Sa kisha mbaruar akademinë dhe kisha filluar të punoja në Teatrin Kombëtar të Operës, ku nuk kisha bërë asnjë vit pune taman aty. Pra, erdha në Shqipëri për të marrë një vizë afatgjatë dhe për të zënë punë në Teatrin e Gjenevës, por fati im i keq ishte se kur erdha unë gjendja ishte kaos këtu në Tiranë. Ishin mbyllur të gjitha ambasadat.

Në atë kohë unë mbaj mirë që u mbyll edhe Teatri Kombëtar i Operës dhe ngelëm të gjithë artistët pa punë. Fati im i mirë ishte që kam pasur një profesor të nderuar Dritan Kosturi që na bëri një kontratë me një koreograf shumë të njohur atje në Athinë, për një punë disamujorëshe. E vetmja ambasadë që ishte hapur ishte Ambasada Greke. Na dhanë një vizë për tre muaj dhe u larguam. Ishte e vetmja ofertë e mirë në atë kohë. Ai tremujorëshi u kthye në 16 vjet në Athinë, sepse aty nisa të punoja dhe bëra një karrierë të pasur, të cilën sigurisht e fillova me vështirësitë e veta.
 
Për ty ka qenë një ngjitje e menjëhershme drejt suksesit, sipas mediave, pavarësisht vështirësive që thoni?
-E vërteta është se ne ishim shumë të përgatitur këtu në Shqipëri. Vërtetë ato ishin fillimet e karrierës sime, por ne kishim profesorë të mëdhenj në atë periudhë, siç ishte dhe i ndjeri Agron Aliaj, profesori i madh, që na mori nga shkolla që fëmijë dhe na poqi shumë si artistë. Ai na mori për dore dhe na solli si solistë në Teatrin Kombëtar të Tetarin e Operës në Tiranë. Fillimet e mia me Agron Aliajn nuk i harroj kurrë. Profesor Agroni ka një vend të madh në jetën time.

Ishte një ëndërr të kërceje në teatër në atë kohë dhe ai na mori për dore dhe na ofroi mundësi shumë të mëdha. Kur e dëgjova humbjen e tij tragjike nuk doja ta besoja. Mund të përmend edhe profesorë të tjerë, drejtorin e shkollës së baletit, Ramadan Këllezin, i cili më ka ndihmuar si fëmijë në fillimet e mia, Florian Zaqellari, Shpëtim Dajçin, Luan Shtinën, e shumë të tjerë dhe më vjen keq që po lë pa thënë shumë emra.

Në fillimet e mia, profesor Aliaj më besoi rolin e prijësit te “Romeo dhe Zhuljeta”, pastaj tek “Zhizel” rolin e Hansit, por si erdhën ngjarjet na u desh të largoheshim në Greqi dhe u la përgjysmë si bashkëpunim roli im te “Zhizel”. Pra, në rrugën e suksesit tim ndërthureshin edhe shkolla e mirë që kisha bërë në Shqipëri edhe dëshira ime  e madhe, se më pëlqente baleti dhe kështu dhashë gjithçka për artin dhe puna ime u shpërblye, siç ju jeni informuar.
 
E shprehin mediat greke faktin se je një balerin shqiptar, kur shkruajnë për sukseset e tua?
-Po, po, sigurisht. Duhet të kuptoni një gjë, që jo vetëm në Greqi, por edhe në të gjitha vendet, arti i rrëzon kufijtë. Vetëm arti nuk ka kufij, nuk ka kombësi. Artistët në përgjithësi nuk njohin rrethana vendlindjeje, janë të gjithë njësoj, kanë një qëndrim, një fe vetëm talentin. Ndaj krahas suksesit tim në mediat greke është shkruar natyrshëm edhe origjina ime shqiptare.

A mund të dimë diçka për jetën tuaj. Jeni martuar, keni fëmijë?
-Po, jam martuar me Kristinën. Edhe ajo është balerinë si unë. Jeta e balerinit duke qenë gjatë gjithë kohës në një mjedis të ngushtë me punë dhe prova të jep vetëm një mundësi, që të njihesh me njerëz të rrethit të ngushtë. Ndaj duke e pasur edhe partnere në role erdhi njohja dhe pëlqimi ynë. Kristina është soliste në Teatrin e Operës së Athinës, unë jam balerin i parë atje. Ende nuk kemi fëmijë. Tre vjet kemi që jemi martuar, por e kemi në plan së shpejti.
 
Është përmendur shumë “Romeo dhe Zhuljeta” në Greqi. Çfarë i dha më tepër famë suksesit tuaj atje?
-“Romeo dhe Zhuljeta” ishte premierë botërore që u bë për herë të parë ndryshe nga koreografi italian Renato Xanela që është edhe një emër i njohur në fushën e artit. Xanela e mori nga e para “Romeon dhe Zhuljetën”, e solli në skenë në mënyrë të veçantë. Kjo ishte risi edhe për vetë teatrin e Athinës. Si koncept dhe realizim ishte sukses shumë i madh, saqë na ofruan ta bëjmë edhe në vende të tjera të Europës shfaqjen, për të cilat po bëjmë kontratat. Shfaqja u dha në Megaro Musikis”, që ishte një teatër super luksoz  me 2400 vende u mbush plot. Mediat e TV greke bënë edhe prezantimin e suksesit të shqiptarit Danilo Zeka. Kjo më bëri krenar mua, por edhe prindërit e mi dhe bashkatdhetarët e mi. 
 
Tani ju po përgatisni në Tiranë “Ëndrra e një nate vere”. Ishte kjo edhe një ëndërr për një shfaqje në Shqipëri?
-Është një ëndërr dhe kjo ëndërr u kthye në realitet. E prisja prej shumë kohës, jo se nuk më janë bërë oferta, por edhe vet kam qenë i zënë se unë punoj jashtë me projekte të ndryshme. Kështu, e vetmja që mund të bëja këtë herë është ta merrja me shumë kënaqësi ftesën e bërë nga Arian Sukniqi dhe drejtori Zhani Ciko.
 
Çfarë roli keni te “Ëndrra e një nate vere”?
-Unë kam rolin e Oberonit, që është një princ në këtë balet. Duhen edhe dy javë të ngjite premiera, por unë më shumë se roli që duhet të zotëroj, pëlqej faktin që “Ëndrra e një nate vere është një subjekt i veçantë, për arsye se Shekspiri shkroi tragjedi dhe kjo është e vetmja komedi e tij. Me mua do të luaj edhe Altin Korruti. Ne kemi ardhur nga Greqia të dy. Ai ka rolin e Elfit. Partnere kam balerinat Isida Mollaymeri dhe Erisa Gina, të cilat do të kërcejnë rolet kryesore.

Si ju duket kontakti me publikun shqiptar pas 16 vjetësh?
-Për mua është hera e parë që vij këtu në Tiranë, ku është dhe shtëpia ime. Po më duket sikur nuk jam larguar kurrë, edhe pse kthehem kaq vonë në Shqipëri. Kam emocione të mëdha. Artisti ka gjithmonë emocione, por këtu në Tiranë janë emocionet më të mëdha, sepse është publiku i zemrës sime, publiku shqiptar.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 28.05.2013
 
Rdaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Temperaturat e larta, Veliaj apel qytetarëve: Shmangni lëvizjet gjatë orëve të pikut, ndaloni te 'Çadra e Kujdesit' për ujë dhe për të matur tensionin


Temperaturat e larta, Veliaj apel qytetarëve: Shmangni lëvizjet gjatë orëve të pikut, ndaloni te 'Çadra e Kujdesit' për ujë dhe për të matur tensionin