Ndryshimet e fundit në qeverinë “Rama 3” prekën përsëri një ndër ministritë që duhet të jetë ndër më të rëndësishmet në çdo qeveri, Ministrinë e Financave.
Rëndësia e kësaj ministrie në imponimin e disiplinës buxhetore dhe në përmirësimin e performancës së të ardhurave dhe shpenzimeve publike është e pamohueshme.
“Monitor” përllogariti treguesin e qëndrimit në detyrë dhe të qarkullimit të Kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama, dhe të ministrit që ka mbajtur detyrën e Financave, Ekonomisë, apo të bashkuar ekonomi dhe financave. Në mënyrë të vazhdueshme vërehet që pa argumente apo rezultate të dukshme këto dy fusha janë “martuar” e “divorcuar” disa herë gjatë të tri qeverive Rama.
Duke supozuar se kjo qeveri e përmbyll mandatin në prill të vitit 2025, pa ndonjë ndryshim tjetër, ajo që rezulton është që nëse kryeministri ka mbetur në të njëjtin pozicion për 12 vite rresht, ministri ka qëndruar mesatarisht 1.3 vite (pra më pak se gjysma e një mandati qeveritar).
Nuk e dimë nëse kjo jetëshkurtësi e ministrit (rreth 9 herë më jetëshkurtër se kryeministri) lidhet me paaftësinë e ministrave të zgjedhur, apo me probleme të korrupsionit, apo me arsye krejt të tjera, që i di kryeministri.
Ajo që dimë është se nga 9 ministra që janë emëruar, të paktën tre prej tyre janë parë në dyert e SPAK, Shkëlqim Cani, Anila Denaj dhe Arben Ahmetaj, ky i fundit në arrati.
Aq “mërzi” duket kanë shkaktuar këta ministra, saqë në mandatin e tretë ata kanë edhe normën më të lartë të qarkullimit në raport me dy mandatet paraardhëse.
Ministri më i fundit, Ervin Mete, e lë detyrën pas rrëzimit që pësoi ligji për tatimin mbi profesionet e lira në Gjykatën Kushtetuese, në mes të një debati mbi pagesat e koncesioneve dhe pasi më parë i ishin hequr kompetencat në fushën e ekonomisë.
Pa harruar konfliktin më të fundit në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave të Kuvendit, mbi gjetjet dhe rekomandimet e KLSH në lidhje me buxhetin faktik 2022.
Gjithsesi Mete ishte një “dorë e fortë” kundër koncesioneve. Një nga gjërat e para të bëra me të ardhur në detyrë në 14 shtator 2023, ishte anulimi i procedurave për dhënien me koncesion të infrastrukturës së çelësave publikë, PKI, një koncesion që parashikohej të sillte kosto të mëdha financiare te bizneset dhe qytetarët, për një shërbim që aktualisht kryhet nga AKSHI.
Pak përpara se Kryeministri të njoftonte largimin e tij si ministër Financash, Ervin Mete mbylli dy koncesione të Financave, atë të pullave fiskale dhe koncesionin e markimit të karburanteve, të cilat ishin shtyrë edhe për një vit nga paraardhësi, pavarësisht përfundimit të afateve ligjore.
Po gjatë periudhës së Metes, agjencia ndërkombëtare Standard&Poors rriti për herê të parë me njē vlerësimin e vendit në BB.
Ecuri pozitive kishin dhe të ardhurat buxhetore, që në pjesën e parë të vitit u rritën me 7.1% si dhe tendenca e uljes së borxhit publik. Në fund të tremujorit të dytë 2024 borxhi publik, sipas të dhënave zyrtare zbriti në 55.7% të PPB-së, niveli më i ulët që nga viti 2008, pasi viti 2023 u mbyll në nivelin 58.9% të PPB-së.
Të shohim nëse në muajt e mbetur do të arrihet të korrektohet diçka në këtë ministri për hir të nevojës që ka vendi të ngrejë disiplinën buxhetore dhe të mirëpërdorë të ardhurat publike, sepse të kërkohet strategji për modele ekonomike të qëndrueshme është luks me ministra Financash që shkojnë e vijnë.
Ndryshimet e shpeshta në qeveri
Në rastin e Shqipërisë pas viteve ’90, vendi ka ndjekur pak a shumë një cikël të rregullt ndryshimi qeverish.
Në periudhën 1991-2023, normalisht vendi duhet të kish mbajtur 8 zgjedhje për qeverinë qendrore, por ka mbajtur 9 të tilla. Vetëm në dy raste ka pasur zgjedhje të parakohshme, në vitin ’92 dhe në vitin ’97.
Pas ’97-s madje u duk sikur u vendos edhe tradita 8-vjeçare e rrotacionit të pushtetit ndërmjet dy partive më të mëdha të vendit.
Me kalimin e viteve, stabiliteti në dukje i ndryshimit të pushtetit nuk ka prodhuar stabilitet në përbërjet e qeverive dhe madje është rritur intensiteti i ndryshimit. Këtë na e përforcuan ndryshimet më të fundit të ndodhura në qeverinë e formuar pas zgjedhjeve të prillit 2021.
Për herë të parë kemi për të tretin mandat qeverisës të njëjtën forcë politike dhe madje, qeverisja (përveç mandatit të parë, 2013-2017) është ushtruar jo në koalicion me forca të tjera qeveritare.
Por çuditërisht nuk është prodhuar qëndrueshmëri, si në strukturat e ministrive, ashtu edhe në titullarët e tyre.
Duke iu referuar veçanërisht grupit të ministrive që mbulojnë më afër sektorët e ekonomisë si: Ministria e Financave, Ekonomisë, Bujqësisë, Turizmit, Industrisë, Transportit, Energjetikës apo Sipërmarrjes, vërehet që nëse qeveria për 10 vjet ka pasur të njëjtin kryeministër, ministrat në këto ministri të rëndësishme janë lënë në detyrë mesatarisht për dy vjet, ose sa gjysma e një mandati qeverisës.
Hyrje-daljet, rrotullimet dhe qarkullimet e ministrave dhe, sikurse është stili në qeveritë shqiptare, edhe i një pjese të administratës së ministrive, ku përfshihen sekretarët e përgjithshëm, zëvendësministrat, drejtorë drejtorish etj., qartësisht përbëjnë një tjetër faktor ndikues në paqëndrueshmërinë afatgjatë të ekonomisë së vendit, në moszbatimin në vijimësi të strategjive e programeve zhvilluese dhe në shndërrimin e ministrave në individë, që nuk krijojnë dot figurë profesionale dhe drejtuesi, por vetëm figura shërbimi, e që tani së fundi kanë filluar të trajtohen edhe si element skedash bastesh, se cili do të përfundojë në rrjetën e drejtësisë.
Nëse rrotacionet e qeverive, apo edhe të titullarëve të institucioneve janë të dobishme, sepse pritet të sjellin një qasje, frymë e këndvështrim të ri, që ndikojnë pozitivisht për zhvillim të mëtejshëm, po kaq e rëndësishme është që rrotacioni të ketë një cikël të vet, i cili i lejon hapësirë kohore të mjaftueshme zbatimit të strategjive dhe planeve. Nuk është e rastësishme që praktika në botë orientohet drejt cikleve zgjedhore 4-5-vjeçare.
Këto cikle përfaqësojnë periudha kohe të mjaftueshme për të ndjekur disa drejtime zhvillimi dhe për të parë disa rezultate të tyre. Ciklet më të shkurtra shtojnë pasigurinë dhe dëmtojnë vizionin afatgjatë. Ciklet shumë më të gjata krijojnë fenomenin e dembelizmit dhe kalbëzimit./Monitor
Kjo ndodh sepse askush nuk kerkon shpjegime,sqarime.Ministrat jane kthyer si personazhi i /Kiu-Fiut/tek filmi /Udhetim ne pranvere/.U thote Rama sot je minister i X ministrie!-Si urdheron!-i thone keta.Neser i thote Rama-Sot nuk je me minister,ose nga X shko tek Y ministri!-Gatitu!-i thone keta.Asnje nuk i kerkon shpjegime,pse po i heq keta njerez,as vete zyrtaret,as vete anetaret e partise nuk i kerkojne shpjegime per keto heqje-venie.Mire kur kane probleme me drejtesine,por kur s'kane?!Asnje shpjegim,asnje motivacion.Perkundrazi,jo vetem qe nuk kerkohen shpjegime,por kjo con ne krijimin e kultit te individit,sepse asnje nuk ve ne diskutim veprimet e Rames dhe keshtu indirekt krijojne dhe qendrimin e tij te perjetshem ne post.Artikulli thote shume gjera,por vetem nje gje e thote te zbukuruar duke i ardhur rrotull-Po krijohet autokraci populiste!
PërgjigjuMinistrat le të lehin, kryeministri të ecë përpara. Populli do heroin e filmit serial, jo horrat me thika pas shpine. Regjizori është ai që drejton gjithçka në këtë film.
PërgjigjuNje deshmi sa e paaftesise dhe shterpesise ne perzgjedhje as edhe e babezise dhe lakmise per zhvatje totale e te gjithshkaje per veten dhe hjenat rrethuese rreth tij. EdibRama tashme do mbetet ne histori si i pari i pafytyre kryeministe qe vjedh e vjedh e vjedh dhe kenaqet me injorancen patetike qe na e servir perdite.
Përgjigju