KORÇË- Dardha po bëhet gati për të pritur turistët e munguar. Dëbora ka zbardhur vendin këtë të mërkurë, duke ofruar një pamje fantastike. Reshjet kanë filluar të bien në orët e para të mëngjesit me një intensitet që ka rënë gradualisht me kalimin e orëve.

Sipas zyrtareve të autoritetit lokal të rrugëve nacionale,në segmentin rrugor të Dardhës trashësia e borës ka shkuar deri në 3 cm, ndërsa problem shfaq kilometri i 9 deri në kilometrin e 12.

Ndërkohë në terren kanë dalë firmat kontraktore të cilat po punojnë për kriposje dhe hapjen rrugëve.

Sektori i qarkullimit rrugor u bën thirrje drejtuesve te mjeteve, te shfaqin kujdes në këtë segment për shkak te prezencës së borës dhe lagështirës ndërsa drejtuesit e mjeteve duhet të pajisen me gomat e dimrit.

Kjo është hera e dytë që fshati turistik mbulohet nga bora, teksa siç ka raportuar gazetarja e Report TV, Gladiola Hoxha thotë se me rënien e dëborës ka pasur edhe një numër të madh turistësh.