Pushuesit që kanë zgjedhur Darëzezën këtë verë thonë se plazhi mbetet një nga alternativat më të preferuara në bregdetin e Fierit, jo vetëm për afërsinë dhe rrugën e përmirësuar, por edhe për çmimet që i konsiderojnë të përballueshme. Ndërkohë, Bashkia e Fierit po synon të zgjerojë numrin e plazheve publike, duke i konsideruar ato një pjesë të rëndësishme të zhvillimit të vijës bregdetare.

"E zgjedhim sepse është më afër, rruga është më e mirë, këtu kemi ardhur gjithmonë. Na pëlqen dhe vijmë. Çmimet s'janë shumë të larta", tha një pushues për mikrofonin e Report TV

Për të tjerë, një nga arsyet kryesore pse zgjedhin Darëzezën është fakti që bregdeti ofron ende hapësira publike.

"Unë e vlerësoj plazhin e Darëzezës se është shumë plazh i mirë. Qytetarët fierakë duhet ta frekuentojnë. Jam shumë i kënaqur. Duhen plazhe publike të alternuara me plazhet private. Duhet të ketë hapësira publike se bregdeti ynë është shumë i gjerë. Çmimet janë normale. 500 lekë një çadër është një çmim fare i lirë", u shpreh një tjetër pushues.

Edhe familje që vijnë nga zona të tjera të Fierit thonë se zgjedhin Darëzezën për ajrin e pastër, pavarësisht kostove.

"Ne vijmë nga zona e naftës në zonën e jodit, për ajër të pastër. Kemi ekonomi të dobët, sakrifikojmë dhe vijmë. Këto hapësira duhet të ketë edhe plazhe publike", tha një tjetër pushues.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe kryetari i Bashkisë Fier, Armando Subashi, i cili tha se këtë sezon janë shtuar plazhet publike dhe se të tjera do të hapen sapo të plotësohet numri i rojeve bregdetare. Sipas tij, zhvillimi i bregdetit do të bazohet në një masterplan, me synimin që të ruhen hapësirat publike dhe të shmangen gabimet që janë bërë në zona të tjera bregdetare të vendit.