Darka në Athinë, liderët me deklaratë të përbashkët: Vendi i Ballkanit Perëndimor është në BE! Mbështesim integritetin territorial të Ukrainës

GREQI- Liderët e Ballkanit u mblodhën një natë më parë në Athinë në një darkë informale me ftesë të kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis. Ata kanë dalë me një deklaratë të përbashkët me 8 pika, përmes së cilës theksojnë rëndësinë që Ballkanit Perëndimor të bëhet pjesë e Bashkimit Europian.

Sipas deklaratës, lufta në Ukrainë zbuloi nevojën që Ballkani Perëndimor të bëhet urgjent pjesë e BE-së, si një gur themeli për paqen mes popujve. Po ashtu liderët e Ballkanit mbështesin Ukrainën dhe Moldavinë që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për t’u bërë pjesë e vendeve të unionit.

"Lufta e përshkallëzuar e agresionit kundër Ukrainës zbuloi nevojën urgjente për një BE të fortë, elastike dhe gjithëpërfshirëse si një gur themeli i paqes dhe prosperitetit midis popujve tanë gjatë këtyre kohërave sfiduese", thuhet në deklaratë.

Në deklaratë është dalë edhe me një qëndrim për luftën, ku liderët mbështesin integritetin territorial të Ukrainës dhe bëjnë thirrje që ata që kanë kryer krime lufte të dalin para përgjegjësisë.

"Ne ramë dakord se nuk mund të ketë mosndëshkim për krimet e luftës dhe mizoritë e tjera, siç janë sulmet kundër civilëve dhe shkatërrimi i infrastrukturës dhe të gjithë shkaktarët duhet të jenë përgjegjës", thuhet në deklaratë.

Liderët e Ballkanit u mblodhën një natë më parë (21 gusht 2023) në Athinë, ndërsa të ftuar ishin edhe krerët e institucioneve të Bashkimit Evropian, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, ndërkohë që i pranishmi surprizë ishte presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky. Takimi u organizua nga Mitsotakis me rastin e 20-vjetorit të Samitit BE-Ballkani Perëndimor dhe "Deklaratës së Selanikut".

Mungesa e madhe e këtij takimi është ajo e Kryeministrit Edi Rama, mungesë e cila vjen pas tensionimit të marrëdhënieve për shkak të arrestimit kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri. Athina këmbëngul se ndalimi i Fredi Belerit, i cili përfaqëson votuesit e pakicës greke në Himarë, u bë për motive politike dhe ka bërë thirrje për lirimin e tij të menjëhershëm.

Rama i cili nuk mori një ftesë për shkak të çështjes së Fredi Belerit, ndërsa nga ana tjetër presidenti Bajram Begaj refuzoi të marrë pjesë.

Deklarata e përbashkët

Ne, Presidenti Aleksandar Vuçiq, Presidentja Maia Sandu, Presidenti Volodymyr Zelenskyy, Presidenti Jakov Milatović, Kryeministri Kyriakos Mitsotakis, Kryeministri Ion-Marcel Ciolacu, Kryeministri Albin Kurti, Kryetarja e Këshillit të Ministrave Borjana Kristo, Kryeministri Dimitar Kovachevski, Ministri Nikolai Denkov dhe kryeministri Andrej Plenkoviç, në prani të Presidentit të Këshillit Evropian dhe Presidentit të Komisionit Evropian, u takuam sot në Athinë, njëzet vjet pas Samitit historik BE-Ballkani Perëndimor në Selanik, dhe nxorëm këto deklarata:

1. Pushtimi rus i Ukrainës është një moment kyç për Evropën, duke krijuar një nivel të ri ndërgjegjësimi për parimet e përbashkëta, unitetin dhe të ardhmen e përbashkët brenda BE-së. Kjo është një kohë kritike për sigurinë, paqen dhe stabilitetin e kontinentit tonë evropian. Ligjet dhe parimet që kontribuuan në një rend sigurie të qëndrueshme dhe të parashikueshme evropiane për kaq shumë kohë janë shkelur dhe ne jemi dëshmitarë të shfaqjes së efekteve katastrofike.

2. Përballë agresionit rus, ne shprehim mbështetjen tonë të palëkundur për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht, bazuar në vlerat e demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

3. Në diskutimet tona sot në Athinë, ne shprehëm mbështetjen dhe vlerësimin për përpjekjet e zellshme të Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskyy në përcaktimin e parimeve për paqen në përputhje me Kartën e OKB-së, në Formulën e tij të Paqes. Ne mirëpritëm gjithashtu përpjekjet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për një paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë.

4. Ne ramë dakord se nuk mund të ketë mosndëshkim për krimet e luftës dhe mizoritë e tjera, siç janë sulmet kundër civilëve dhe shkatërrimi i infrastrukturës dhe të gjithë shkaktarët duhet të jenë përgjegjës.

5. Njëzet vjet më parë, Samiti i Selanikut pranoi se Ballkani Perëndimor i përket Bashkimit Evropian. Ne besojmë fuqishëm se sot kjo deklaratë mbetet më e rëndësishme se kurrë. Lufta e përshkallëzuar e agresionit kundër Ukrainës zbuloi nevojën urgjente për një BE të fortë, elastike dhe gjithëpërfshirëse si një gur themeli i paqes dhe prosperitetit midis popujve tanë gjatë këtyre kohërave sfiduese.

7. Sot në Athinë diskutuam rrugën për ta bërë realitet këtë vizion. Ne nënvizuam rëndësinë e vendosjes së vetes një objektiv për plotësimin e vizionit të një BE ku të jetë pjesë me Ballkani Perëndimor, Ukraina dhe Republikën e Moldavisë. Ne nënvizuam nevojën për një proces zgjerimi të ringjallur dhe të fokusuar që të jetë i prekshëm dhe i besueshëm. Ne shprehëm angazhimin tonë për të mbështetur Ukrainën dhe Moldavinë për të ndërmarrë hapat e ardhshëm në procesin e tyre të anëtarësimit sapo të kenë përfunduar reformat e nevojshme.

8. Ne besojmë fort se 20 vjet pas Samitit të Selanikut dhe në dritën e realitetit të ri gjeopolitik, ka ardhur koha për të miratuar një synim përfundimtar të guximshëm dhe ambicioz që do të shërbejë si udhërrëfyes, frymëzim dhe kontekst.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 07:31
Kurti në Athinë, “kokë më kokë” me Mitsotakis: Kusht për fqinjësi të mirë është njohja e ndërsjellë

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në darkën të shtruar në Athinë për 20-vjetorin e Samitit të Selanikut, ka thënë se gjitha shtetet që aspirojnë anëtarësimin në BE duhet t’i përmbahen dhe zbatojnë demokracinë, sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave të njeriut dhe fqinjësinë e mirë.

Kurti ka thënë se kusht për fqinjësi të mirë është njohja reciproke, de-jure e de-facto.

Në darkën e shtruar në Athinë morën pjesë liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, si dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyene, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ai i Rumanisë, Marcel Ciolacu, ai i Bullgarisë, Nikolai Denkov dhe presidentja e Moldavisë, Maia Sandu.

“Aty u diskutua rreth invazionit dhe agresionit të paprovokuar të Federatës Ruse mbi Ukrainën, me ç’rast u theksua mbështetja e palëkundur ndaj pavarësisë, sovranitet dhe integritetit territorial të Ukrainës, teksa u kërkua përgjegjësi dhe ndëshkim për krimet e kryera gjatë luftës dhe mizoritë tjera mbi civilët. Në këtë darkë që korrespondon edhe me 20-vjetorin e Samitit të Selanikut nga ku ishte bërë e qartë perspektiva për anëtarësim të plotë të gjithë Ballkanit Perëndimor, u ritheksua mbështetja për zgjerimin dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe rruga përpara. U diskutua edhe për çështjet rajonale. Në intervenimin e tij, Kryeministri Kurti theksoi se të gjitha shtetet që aspirojnë anëtarësim në Bashkimin Evropian duhet të i përmbahen dhe zbatojnë demokracinë, sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave të njeriut dhe fqinjësinë e mirë. E kusht për fqinjësinë e mirë është njohja reciproke, de-jure edhe de-facto. Minoritete do të ketë çdoherë, por kërkohet simetri dhe balancë në respektimin e minoriteteve bazuar në Konventën Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, theksoi Kryeministri”, thuhet nga Zyra e Kryeministrit.

Në fund të darkës është miratuar një deklaratë e përbashkët, e cila bën thirrje “për ri-energjizimin dhe ri-fokusimin në procesin e zgjerimit për anëtarësim në BE; mbështetje të palëkundur për pavarësinë e Ukrainës; ndëshkimin e krimeve të kryera gjatë luftës dhe thirrjen për përgjegjësi ndaj kryerësve të krimeve”, është njoftuar nga Zyra e Kryeministrit.

SI.E./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Hasanaj: Në Shqipëri nuk do ketë më non-grata, pasi po vepron drejtësia! Qefalia: Të vijë Trump këtu dhe t'i japë dorë një partie, non-sens! Krijon hilaritet

Hasanaj: Në Shqipëri nuk do ketë më non-grata, pasi po vepron drejtësia! Qefalia: Të vijë Trump këtu dhe t'i japë dorë një partie, non-sens! Krijon hilaritet