Departamenti i shtetit Amerikan ka kryer një hetim të detajuar lidhur me marrëveshjen për kufirin ndërmjet Kosovës dhe Malit te Zi. Ata kanë arritur në përfundim se marrëveshja e arritur për demarkacionin është në përputhje të plotë me të gjitha hartat që nga Lufta e Dytë Botërore e tutje...shkruan Gazeta Express.

Në një komunikatë për media të lëshuar nga Ambasada Amerikane në Prishtinë thuhet se Departamenti Amerikan i Shtetit e ka rishikuar në mënyrë të detajuar marrëveshjen e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Në bazë të gjetjeve thuhet se Komisioni Shtetëror nuk ka bërë gabime.

Ja çfarë thuhet në njoftim.

Departamenti Amerikan i Shtetit e ka rishikuar në mënyrë të detajuar vijën përkufizuese të kufirit Kosovë –Mal i Zi, të përgatitur nga Komisioni Shtetëror i Kosovës për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror. E kuptojmë që baza e Komisionit për demarkimin ka qenë Kushtetuta  Jugosllave e vitit 1974, e cila e ka definuar Kufirin e Kosovës me anë të kufijve administrativë komunalë, që janë të ndarë në zona kadastrale. Kjo bazë e përcaktimit të vijës kufitare është përdorur edhe në Propozimin Gjithëpërfshirës të të dërguarit Special të OKB;së Marti Ahtisaarit dhe në Kushtetutën e vitit 2008 të Republikës së Kosovës.

Pas një rishikimi të hartave të vitit 1940 e deri më tani, përfshirë edhe ato që janë përdorur nga Komisioni për përcaktimin e kufirit, Departamenti Amerikan i Shtetit ka përcaktuar se vija e përcaktuar së voni përputhet ngushtë me kufirin e definuar në Kushtetutën e vitit 1974. Kufijtë që ne i kemi përshkruar që nga viti 2008, përputhen detajisht me kufirin e propozuar në vitin 2015.Ne rikujtojmë se përfundimi i marrëveshjes së kufirit është një kusht për liberalizimin e vizave dhe përbën një hap të rëndësishëm në rrugën e Kosovës drejt integrimeve evropiane, shkruan Gazeta Express.