Opera komike me 4 akte "Dasma e Figaros" me libretin e Lorenzo Da Ponte rikthehet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit në datat 28 dhe 30 prill 2015 ora 20:00 , por kësaj here me qëllimin e drejtimit, orientimit dhe edukimit përmes artit drejt një kategorie më të re në moshë.
"Dasma e Figaros" e cila do të vihet në skenën e TKOB-së me regji dhe skenografi nga Nikolin Gurakuqi, dirigjimin e orkestrës nga Edmond Doko, dirigjimin e korit nga Dritan Lumshi, dhe kostumografinë e Taulant Pustinës, kësaj here vjen e interpretuar nga këngëtaret e rinj lirikë, të cilët do i përkasin pikërisht kësaj skene në të ardhmen,  dhe do të ftojnë në sallë bashkëmoshatarët e tyre për për të ndjekur veprën e cila në sfondin muzikor të Mozartit, do të prezantojë projektin e parë pilot, i cili në vijim ka një plan të detajuar që do shkojë drejt një zhvillimi më të plotë, në platformën "Edukimi përmes Artit".
Dasma e Figaros, premiera e datës 15 Mars 2015 e TKOB-së
Orkestra Simfonike dhe Kori i TKOB, Ingrid Pulizo(në klaviçembalo), dhe artistët si Carlo Checchi(Konti), Marigona Qerkezi, Maria Prifti(Kontesha), Dorina Selimaj, Enkelejda Kamani(Susanna), Daniele Terenzi(Figaro), Marina Kurti, Olta Juba(Cherubino), Sonila Baboçi(Marcellina), Ogert Islami(Bartolio), Roel llupo(Basilio), Denis Skura(Don Curizio), Erinda Agolli(Barbarina) dhe Genc Vozga(ANTONIO) do të interpretojnë produksionin i cili ka si objektiv edhe formimin e plotë të të rinjëve në debutimin në një opera.
Sakaq, TKOB bën me dije se edhe pse këta artistë të cilët janë të gjithë të shkolluar në Universitetin e Arteve në Tiranë, kanë qënë edhe më parë të angazhuar nga TKOB në koncerte apo edhe ne vepra të ndryshme të vendosura në skenën e TKOB-së, dhe ky produksion shënon një fillim për institucionalizimin e projektit të të rinjëve të cilët nën kujdesin dhe drejtimin e autoriteteve artistike të TKOB-së do të angazhohen në projekte të plota ku pjesëmarrja e tyre do të jetë në role kryesore./a.g/
/atsh/