Daut Gumeni: Hapja e dosjeve
në Shqipëri, teatri bajat i radhës

Daut Gumeni: Hapja e dosjeve<br />në Shqipëri, teatri bajat i radhës<br>
Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit po rezulton një strukturë amorfe, e paaftë dhe e pafuqishme për të kryer detyrat për të cilat u krijua. Fushata dhe investimi i tre viteve në shërbim të këtij institucioni e ka rezultatin zero.

Ligji mbi krijimin dhe funksionimin e tij është hartuar në mënyrë të tillë që kjo strukturë të mos prekë e të mos zbulojë dot asnjë prej plagëve dhe pasojave të shkaktuara nga aktiviteti i ish-sigurimit të Shtetit.

Deri më sot, një vit pas krijimit, Autoriteti ka bërë vetëm tre-katër aktivitete pa asnjë peshë sa i takon zbulimit dhe zbardhjes së krimeve të komunizmit si:

Hapja e dosjes së Musine Kokalarit, një dosje e botuar dhe e ribotuar disa herë gjatë viteve të fundit, pa zbuluar absolutisht asgjë të re mbi dhunën dhe persekutimin e kësaj figure të rrallë të qëndresës shqiptare.

Hapja e dosjes së Sabiha Kasimatit, me të njëjtën rrugë dhe rezultat, asgjë të re e të paditur. Dhe i fundit, një aktivitet për gjyqin dhe ekzekutimin e intelektualëve dhe deputetëve të 1946, edhe ky pa asnjë informatë a fakt të ri…

Autoriteti nuk ka bërë ende hetimin e së shkuarës për asnjë deputet të legjislacionit të ri të Parlamentit Shqiptar dhe të asnjë zyrtari të lartë të kabinetit të ri qeveritar, duke vijuar qëndrimin vendnumëro për pastrimin e administratës të lartë nga ish-Sigurimsat dhe njerëzit me dosje.

Kjo për arsye, se ligji për funksionimin e kësaj strukture jetike për të ardhmen e vendit është hartuar në mënyrë të tillë, që kjo kategori përgjegjëse, për krimet dhe dhunën e komunizmit, të mos preket.

Por pse u krijua Autoriteti për lnformimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit? Pse paguhen prej rreth një viti mbi 60 rroga mujore me paratë e taksapaguesve shqiptarë?

Një anëtar i këtij Autoriteti, Daut Gumeni, ka gjetur guximin të ngrejë zërin e të thotë se gjitha është një teatër absurd, si gjithçka tjetër në këtë vend që prej vitit 1990 e deri sot 27 vjet më vonë, se Autoriteti është institucion kukull, i krijuar në mënyrë të tillë që mos hedhë dot asnjë hap në mënyrë të pavarur e të pandikuar nga Politika.

Gumeni thotë se nuk është verifikuar për të shkuarën e tij asnjë deputet i legjislacionit të ri dhe ansjë drejtues i lartë i kabinetit qeveritar dhe kjo për shkak të një neni në ligjin e Autoritetit, një nën që kurrësesi spo pranojnë ta ndryshojnë…

'Asnjë, sepse ligji e ka që institucionet, duke filluar nga partitë politike tek institucionet shtetërore, nga kryetari i shtetit, te kryetari i qeverisë, i Kuvendit, etj, po të duan dërgojnë kërkesa për verifikim, po të mos duan jemi rehat ashtu siç jemi. Dhe unë këtë kam kërkuar, të amendohet ky dreq neni, se nuk është i gjermanëve ky, ky është gjerman-shqiptar. Por po tua thuash zemërohen, kur themi që do marrim modelin gjerman dhe unë gëzohesha në fillim, shyqyr se gjermanët saktësinë e kanë në gjak. Ka pasur ndërhyrje që nuk e di pse janë bërë, por kanë shterpuar ligjet'.

Komunizmi nuk iku kurrë nga Shqipëria, thotë Gumeni dhe në këto kushte të bësh skanerin e trashëgimtarëve të regjimti nuk ëhstë e lehtë…

'Komunizmi ka qenë në njërin kat, tani është në katin tjetër, komunizmi s’ka ikur, dhe kur s’ka ikur s’ke pse i thua ku janë e qysh janë, se tani këta bëjnë lojë me njëri-tjetrin, të dyja palët, madje më ekstremistë janë ata që hedhin valle në varrezat, ata flasin si bolshevikë, ndezin dynjanë se pse je ti andej. Sekretar partie për sekretar partie, të dy komunistë kanë qenë. Kjo është për të bërë gjëra që nuk është detyra jote. Kur vete deputet njeriu atje, nuk vete të mësojë se si shahet, por të përpiqet që të shpjerë sa më shumë fonde për të gjetur vende pune për njerëzit që marrin arratinë nga vendi i tyre. Këta shkojnë për t’u sharë me libër shpi'.

Në këto kushte a do të vijojë të jetë thjeshtë një iluzion hapja e dosjeve të ish-Sigurimit dhe zbardhja e krimeve të komunizmit në vendin tonë?

'Unë them se po të punohet me njerëz të aftë, me seriozitet, mund të arrihen shumë gjëra. Se po ta dija që s’do bëhet gjë fare, unë s’do flisja, rrija në shtëpinë time rehat, janë ca gjëra që të shtyjnë se po të rregullohen bëhet ajo që thotë ligji'.

Autoriteti për hapjen e dosjeve të ish Sigurimit nuk ka bërë ende asnjë kërkesë zyrtare Kuvendit të Shqipërisë për këtë amandament, ndaj Daut Gumeni ka zgjedhur rrugën të tërheqë vetë vëmendjen edhe pse e di që është thjeshtë një zë, në humbëtirë…

'Jo, unë e falënderoj median që na ndihmon, se dhe ju mund të ndihmoni që të bëjmë detyrën më mirë ne. Një nga arsyet pse iu kam thënë ‘mirë se erdhët’ të gjithë juve është se kam besim që dhe ju ndihmoni që të zgjohemi'.

Sa i takon aksesit ne dosjet që ruan SHISH, Gumeni thotë të Autoriteti mund të marrë atje dosjet për çdo kërkesë që vjen nga publiku…por kjo jo për ministra apo deputetë…

'Të gjithë ata që përmbahen në ato dokumente, ne mund të shohim se na duhet t’i shohim për kërkesat e njerëzve dhe të themi përgjigjen'.

Pse nuk është bërë për deputetët, ministrat ...?
Nuk të lejon ligji, ata vijnë vetë i bëjnë, o institucionet që i kandidojnë, o vetë personalisht, as vetë nuk kanë ardhur dhe as institucionet.

Teatër?
Teatër, unë nuk i pëlqej gjërat që thuhen me spon, ne teatrin kemi 27 vjet që e përjetojmë, teatër është i gjithi, edhe pluralizmi, edhe demokracia, por teatër bajat, e kanë kuptuar dhe ata që s’merren me teatër fare.

A jeni njohur me dosjen tuaj personale?
I kam provuar në kurriz të të gjitha llojet e akuzave, pak a shumë i dija, edhe në hetuesi qëndrova një vit e ca, edhe në gjyq, u bëra gjysmë profesionist si i dënuar. Po këtë formularin s’e kisha parë, edhe kjo pati një odise të madhe jo gjendet, jo ta gjejmë, dhe kur fola me një aktivitet erdhi dosja menjëherë, si u gjend dosja? Dhe thashë, sa për të shijuar atë, nëse mund të shijohet, shkruante njëri, vërtet ja kishin gjetur mirë, se pseudonime kanë gjithë ustallarët, o kanë pyetur letrarët e tyre duke iu treguar fotografitë, se ka tamam damar letrar, unë kur kam parë njërin që i thonin ‘qukapik’ ishte tamam qukapik, këtij i thonin ‘dardha’, se ne atje na qethnin, tani më ka qethur mosha, na qethnin njëherë në muaj, dhe i dilte koka tamam dardhë, dardhë dimërore e kishte kokën. Në një vend thotë ‘Daut Gumeni është armik, i poshtër, ka ideale fashiste’. Unë s’kam qenë ndonjëherë me ato, por punë e madhe çdo më gjente mua. Tani kanë filluar të më thonë dhe komunist dhe kjo më bën për të qeshur, por ai thoshte ‘i mbron idetë e tij me fanatizëm, por nuk flet kurrë me tjerët’. Tani ku dreqin i mori vesh ai këto, se ajo makina e së vërtetës nuk futej në burgun e Burrelit. E kam fjalën se veç bindjeve që kishte sistemi, po të dilje kundër asaj partie, duhet të kishe të gjitha të zezat e botës. Tani mua shyqyr që nuk ma bënë atë, vetëm mua dhe vëllain, por ka akuza që ‘ka dashur të helmojë dhe ujin e qytetit’.

Përtej vështirësive që sjell mungesa e vullnetit politik, edhe në fazat e tjera të punës së Autoritetit hasen në vështirësi të shumta, e një ndër ta është stafi i paspecializuar që është rekrutuar për kërkimin në arkiva, mungesa e një arkivi në godinën ku punojnë specialistët e Autoritetit etj…

'Tani nga të gjitha arkivat, të tre arkivat qendrore, ne kemi shqyrtuar 160 dosje individuale, janë nja 40 e ca të tjera në proces, me shpresën që hetimi të bëhet më i thelluar. Dhe mungesa e personelit të specializuar, siç kemi vetëm nja dy vetë, të bën të dërgosh dhe njerëz se e mësojnë zanatin nga e para tani dhe njëherë gjen një dokument, njëherë një tjetër dhe vonohet përgjigjja. Por nuk na ka penguar, ne i kemi në dispozicion, por unë dua t’i kemi në shtëpi dhe t’i japë përgjigje qytetarit si njeri'

Sa i takon zhdukjes në masë të dosjeve në periudha të caktuara, Gumeni thotë se aty gjendet burimi i kërcënimeve përmes dosjeve që bën Politika për 27 vjet…

'Tani nuk i hyjnë njeriu në punë mendimet e mia, por mënyra se si kanë shpikur këto 27 vite të bën të dyshosh se dosjet nuk i ka në dorë asnjë autoritet'.

Pyetjes nëse do të dorëhiqet nga Autoriteti për hapjen e Dosjeve, Gumeni i përgjigjet me argumentin se po kerkon zgjidhje jo dorëzim para kësaj situate…

'Unë nuk mërzitem për ata që duan të shesin gazetën. S’bëhet kiameti edhe po ika unë, por s’kam thënë që do ik. Jam i detyruar që atyre që më votuan t’ua bëj dhe ca kërkesa, që o ta vënë në vijë kërkesën time, që të paktën të kemi dhe përgjegjës kur kemi kushtet. Unë besoj se mund të bëhet diçka, unë kam besuar se e ka seriozisht kryeministri'.

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Shqiptari dhunon gruan dhe djalin e mitur në Itali

Shqiptari dhunon gruan dhe djalin e mitur në Itali