De Biasi: Jemi gati, me Zvicrën
nuk është derbi, ne besojmë

De Biasi: Jemi gati, me Zvicrën<br />nuk është derbi, ne besojmë
Krenar për atë që Shqipëria ka arritur dhe besimplot e pa frikë te ekipi kuqezi është shfaqur trajneri Giani De Biasi në prag të ndeshjes së parë të Shqipërisë ndaj Zvicrës në Kampionatin Europian. Nuk mungon optimizmi te trajneri italian i cili nuk e shikon si nje derbi ndeshjen me Zvicren. “Jam shumë krenar që kam një grup lojtarësh që na dhuroi finalet e Europianit, pas një grupi kualifikues ku edhe më optimisti mendonte për vendin e katërt. Por, nuk u dorëzuam asnjëherë, edhe sepse fituam ndeshjen e parë në Portugali, kundër ekipit lider në grup dhe kjo na dha besim. Nuk kam presion, por pritshmëri të mëdha. Shpresoj që në këtë turne djemtë do të japin më të mirën dhe të mos kënaqen me pak. E dimë vlerën e kundërshtarëve, por ndeshjet nisin nga rezultati 0-0, duhet ti luajmë me bidje dhe përqendrimin e duhur”, tha fillimisht De Biasi.

Zvicra jo vendimtare
Zvicra nuk është një kundërshtar i panjohur, edhe pse te Biasi preferon të përqendrohet vetëm te Shqipëria, ndërsa deklaron se ndeshja e parë nuk është vendimtare. “Besoj që është thelbësore ta njohësh kundërshrtarin edhe pse ndonjëherë kjo nuk mjafton. Më tepër të ndihmon njohja e limiteve të skuadrës tonë, të jemi të mirëorganizuar dhe të bëjmë atë që dimë. Besoj se ndeshja me Zvicrën nuk është vendimtare. Është sfida e parë dhe do të ishte mirë për ne, për lojtarët që ta nisnim mbarë. E rëndësishme është që të lexoj sinjalet që do të më japë skuadra, për t’i kuptuar në mënyrën e duhur”, theksoi trajneri Italian.

Të gjithë gati
Drejtuesi i stolit kuqezi dha garanci për faktin se të gjithë lojtarët, si edhe Taulant Xhaka që do të luajë kundër vëllait, Granitit, janë gati, ndërsa cilësoi shqiptaro-zviceranin Xherdan Shaqiri si një prej lojtarëve nga të cilët Kombëtarja duhet të bëjë kujdes. “Taulanti është në formë shumë të mirë fizike dhe psikologjike, ashtu si edhe pjesa tjetër e ekipit. Jemi gati për të debutuar dhe duam ta bëjmë në mënyrën më të mirë të mundshme. Shaqiri? Është një lojtar me shumë kualitet dhe që në çdo moment mund të bëjë gjëra të rëndësishme. Do të jetë një ndër lojtarët nga të cilët do të kemi shumë kujdes gjatë ndeshjes”, u shpreh De Biasi.

Jo Derbi
Për ata që përballjen Shqipëri-Zvicër e cilësojnë ndeshje derbi, De Biasi e ka një përgjigjen, duke e vënë theksin te ndryshimi i mentalitetit. “Nuk është një derbi sepse jemi larg nga pikëpamja gjeografike. Pika e vetme e përbashkët është që shumë emigrantë të luftës u pritën nga Zvicra, që i dha mundësi sociale dhe që të ndërtonin një jetë. Por mentaliteti është krejt i ndryshëm. Zviceranët janë preçizë dhe striktë në çdo gjë. Ndërsa ne, shqiptarët qëndrojmë edhe një orë e gjysmë në kafe. Kemi punuar në këtë pikë, por nuk mund ta ndryshojmë plotësisht mentalitetin e njerëzve, pasi do të ishte si të luftojë me mullinjtë e erës. Dy skuadrat do të përballen me respekt dhe në fund shpresoj që të arrijmë rezultat pozitiv”, tha trajneri.

Shanset e Shqipërisë në Euro
De Biasi komentoi edhe fjalët e Erik Kantona, sipas të cilit për aq kohë sa Shqipëria luan në Euro 2016, edhe kuqezinjtë kanë shanset e tyre për ta fituar titullin. “Sinqerisht jam shumë dakord. Arritjet e pazakonta në futboll ndodhin, edhe pse fatkeqësisht, rallë. Gjithsesi, për ne, e rëndësishme është të dimë se cili do të jetë roli ynë dhe ajo çfarë duhet të bëjmë. Është e kot të kërkojmë gjëra që nuk mund ti realizojmë, duhet të qëndrojmë brenda kornizve të futbollit tonë, e ndoshta të përpiqemi të përmirësohemi. Të kesh më tepër motivim, dëshirë për të fituar dhe për rezultate të ndihmon. Por, kur arrin në majë të piramidës dhe Europiani i tillë është, vlerat teknike mund të bëjë diferencën. Lojtarët e mëdhenj mund të vendosin ndeshjet. Uroj që kjo të mos ndodhë me ne kur të përballemi me lojtarë me shumë kualitet”, deklaroi trajneri i kombëtares sonë Giani De Biasi.


Redaksia online
a.n shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

Cërrik/ Qëlloi me armë zjarri në ajër në fshatin Liçaj, në pranga 36-vjeçari! Iu kap municion luftarak

Cërrik/ Qëlloi me armë zjarri në ajër në fshatin Liçaj, në pranga 36-vjeçari! Iu kap municion luftarak