Prefekti që kreu vetëvrasje të shtunën, më 21 nëntor, kishte shkruar një letër prej 8 faqesh, ku ndër të tjera shprehej: “Shpresoj që, përballë ortekut të gënjeshtrave që tani po më përfshijnë, në fund të mbizotërojë e vërteta. Në hard disk nuk ka mistere dhe as sekrete”.

“Pas pak minutash nuk do të jem më dhe, për këtë arsye, e kuptoni mirë se një ‘i dënuar me vdekje’ nuk mund të gënjejë”.

Kjo fjali është shkruar me dorë në krye të një flete me logon zyrtare të Giovanni De Gennaro, e katërta nga tetë faqet e mbushura me shkrimin e tij të rrumbullakët dhe të qartë. I njëjti shkrim që përdorte edhe në dokumentet zyrtare që përgatiste për t'u hedhur më pas në versionin përfundimtar.

Mund ta përfytyrojmë të ulur në tavolinën e punës, më 20 nëntor 2026, duke shkruar këto faqe dhe duke pirë një cigare.

Datën e kishte vendosur vetë në faqen e parë, në pjesën e sipërme djathtas. Ishte e premtja para të shtënës me armë, nëse janë të sakta rindërtimet e ngjarjes të bëra para autopsisë. Në vend që të priste vetëm pak minuta, ai kishte pritur disa orë përpara se të ekzekutonte atë që e quante “dënim me vdekje”. Një vendim të marrë nga vetë ai, por që në mendimet e lëna me shkrim ia atribuonte të tjerëve, përpara se të tërhiqte këmbëzën.

“Ky është testamenti im moral”, është fjalia me të cilën nis mesazhi i vendosur në një zarf, edhe ai me logon zyrtare, së bashku me pajisjen elektronike që karabinierët po kërkonin gjatë kontrolleve të urdhëruara nga Prokuroria e Kaltanisetës.

Ekzistenca e saj ishte përmendur në përgjimet që kishin zgjatur prej vitesh dhe që kishin bërë hetuesit të dyshonin se ky personazh i njohur, nën hetim, po përpiqej të fshihte sekrete apo materiale për shantazh. De Gennaro ua dorëzoi dokumentin së bashku me një shpjegim të gjatë dhe deri në detaje. Ai zgjodhi ta linte këtë letër, në vend që të përballej me një procesverbal marrjeje në pyetje, të cilin ndoshta e konsideronte poshtërues.

Letra i drejtohej “kujt i takon, me shpresën që të ketë ndershmërinë për ta bërë publike”.

“E shmanga dorëzimin e hard diskut tek ata që nuk ishin në gjendje të vlerësonin përmbajtjen”

“Këtu ndodhet objekti i dëshirave të të gjithëve, hard disku që të gjithë po kërkojnë”, shkruan ish-kreu i Policisë. “Ai nuk përmban mistere dhe as sekrete, por vetëm dokumente dhe dëshmi që lidhen me rreth 40 vite të një pjese të jetës sime, të mbushur me vuajtje dhe hidhërime. Shqyrtojeni me kujdes, por me mendje të qetë, pa iu dorëzuar interpretimeve të panevojshme”.

Ai duket sikur po arsyeton si një hetues, ashtu siç kishte qenë për shumë vite, duke u kërkuar atyre që do të shqyrtonin materialet të kryenin çdo verifikim teknik për të vërtetuar se nuk po gënjente.

Madje, duket sikur sfidon edhe marrësit e letrës, duke shpjeguar rezervën e madhe që kishte treguar në bisedat e regjistruara. Sipas tij, nuk kishte pasur asnjë përpjekje për të fshehur diçka.

“Jam përpjekur vetëm të shmang që ai të merrej nga persona që nuk i konsideroja të aftë për të vlerësuar përmbajtjen e tij”.

Ai thotë se kishte dashur t'i ruante ato dokumente të shumta “vetëm për të përcjellë historinë e karrierës sime profesionale ose, në rast nevoje, për të rifreskuar kujtimet e mia nëse do të lindnin nevoja për drejtësinë”.

Në fund të fundit, shkruan ai, jetojmë në një vend ku kërkohen prova për një krim të ndodhur 51 vite më parë.

I referohet vrasjes së Pier Paolo Pasolinit, i vrarë në mbrëmjen e 2 nëntorit 1975, për të cilën në fillim të nëntorit 2026 gazetat njoftuan rihapjen e hetimeve për herë të katërt ose të pestë. De Gennaro i lexonte gazetat çdo mëngjes, sapo zgjohej, duke pirë kafenë e parë.

Në rastin e tij, paralajmëron ai, kushdo që do të lexojë përmbajtjen e memories elektronike do të zhgënjehet: “Nuk ka mistere, nuk ka sekrete”.

Përpara se t'i transferonte të gjitha dokumentet në kompjuter, ai kishte mbushur “dhjetëra dosje me dokumente”. Në çdo zhvendosje apo transferim, transportimi i tyre ishte një lodhje e madhe. Për këtë arsye, kishte vendosur t'i ruante në format digjital.

Më pas, dikush e kishte paralajmëruar se procesi i kryer “me ndihmën e sekretares sime” mund të kishte sjellë humbjen e një pjese të përmbajtjes. Kështu, ai e kishte transferuar materialin në një pajisje të gjeneratës së re dhe kishte kërkuar ndihmën e të birit, pasi nuk do të mund ta kryente i vetëm këtë proces.

“Ka qenë vetëm kaq. Asnjë mister”.

Megjithatë, duke mos qenë i sigurt për saktësinë e procesit, prefekti kishte vendosur të mos hiqte dorë përfundimisht nga pajisja e vjetër e ruajtjes së të dhënave, duke përfshirë në këtë çështje edhe një mik të cilin e donte shumë, veprim që ai vetë e cilëson si të pamenduar.

Me shumë gjasë, i referohet personit që kujdesej për sigurinë e tij dhe që e kishte shoqëruar për dekada me radhë. Ky person tashmë është nën hetim nga prokurorët e Kaltanisetës, pasi dyshohet se kishte “fshehur dhe ruajtur në format digjital, me udhëzim të De Gennaros, dokumentacion që konsiderohej komprometues” për këtë të fundit.

Katër kryeministra dhe një ish-nënsekretar

Pasi përfundon shpjegimin për hetuesit, ish-kreu i Policisë mbron nderin e tij si njeri i shtetit, duke iu referuar sinqeritetit të një personi që e di se është “i dënuar me vdekje” dhe që është gati të ekzekutojë vetë vendimin.

“Dua t'u them të gjithëve se nuk e kam tradhtuar kurrë betimin tim për besnikëri ndaj Atdheut”, shkruan ai, duke e vendosur fjalën “Atdheu” me shkronjë të madhe.

“I kam shërbyer vendit tim me ndershmëri dhe besnikëri. Gjithmonë u kam bindur urdhrave që më janë dhënë dhe kam përmbushur detyrat që më janë besuar, edhe kur ato kanë qenë kundër vullnetit tim, me përkushtim”.

Kjo duket si një përgjigje ndaj atyre që kanë kujtuar hijet dhe kontradiktat e një personazhi kompleks, i cili kishte parë dhe bërë shumë gjëra, si dhe ndaj kritikave që kishte lexuar dhe dëgjuar përpara se t'i jepte fund jetës, apo atyre që kishte menduar se do të dilnin edhe pas largimit të tij nga skena publike.

“Kam punuar gjithmonë me përkushtim dhe ndershmëri në shërbim të shtetit”, shton më tej. “Me shumë gjasë kam bërë gabime, por gjithmonë dhe vetëm për të përmbushur detyrat e mia. Për gabimet e bëra mundem vetëm të kërkoj falje, por nuk mund t'i fshij ato”.

Ndaj atyre që e kanë akuzuar se ishte një njeri i pushtetit, i lidhur pas posteve dhe funksioneve prestigjioze, ai përgjigjet duke përmendur katër ish-kryeministra dhe një ish-nënsekretar të Kryeministrisë gjatë kohës së qeverisjes së Berlusconit.

Ai nis duke përmendur detyrat që kishte marrë pasi kishte lënë postin e kreut të Policisë, më pas atë të shefit të kabinetit në Ministrinë e Brendshme dhe në fund drejtimin e shërbimeve sekrete.

“Enrico Letta mund të dëshmojë për rezistencën time për të marrë drejtimin e Finmeccanica-s, aq sa për të më bindur më bëri të telefonohem nga Presidenti i Republikës. Giuseppe Conte mund t'ju thotë se jam përpjekur më kot, por më pas iu binda urdhrit, për të mos pranuar detyrën e presidentit të Banca Popolare di Bari. Gianni Letta mund t'ju konfirmojë se ishte ai që më përcolli kërkesën për të marrë përsipër detyrën e presidentit të Eurolink”.

Me fjalë të tjera: të tjerët më kanë kërkuar dhe më kanë thirrur gjithmonë për këto detyra, ndërsa unë nuk kam kërkuar asgjë për veten time.

Më pas, ai kthehet në vitin 2007.

“Jam shkarkuar nga detyra e kreut të Policisë nga Romano Prodi, i cili pati ‘kujdesin’ të ma bënte të ditur përmes përgjigjes së tij në një seancë pyetjesh parlamentare, pra drejtpërdrejt në televizion”.

Në atë kohë, në krye të Ministrisë së Brendshme ishte Giuliano Amato, të cilin De Gennaro sugjeron që ta pyesin gjithashtu.

“Ai do t'ju konfirmojë se, përmes një letre me shkrim, nuk kam kërkuar asnjë detyrë tjetër, përveç mundësisë për të ushtruar funksionin tim si prefekt në cilindo qytet”.

Përfundimi i tij është i prerë: “Sfidoj këdo që të thotë se kam kërkuar ndonjë gjë për veten time”.

“Kërkoj falje atyre që i përfshiva pa dashje”

Për të tjerët, megjithatë, ai pretendon se është angazhuar dhe ka ndërhyrë sa herë që ka qenë e nevojshme.

“Në të kundërt, jam marrë me të gjithë ata që kishin nevojë për ndihmën time. Kërkoni dhe do të gjeni dhjetëra dëshmitarë, nëse do të kenë guximin të dalin përpara. Megjithatë, nuk kam bërë kurrë asgjë për familjen time dhe për këtë nuk mund të bëj gjë tjetër veçse të pendohem”.

Duket sikur kërkon falje ndaj bashkëshortes, vëllezërve, fëmijëve dhe nipërve, por për ta ai ka rezervuar faqe dhe konsiderata të tjera, në një letër tjetër të gjetur pranë trupit të pajetë.

Në këtë letër, ai përqendrohet vetëm te mbrojtja publike përballë akuzave të Prokurorisë, e cila e kishte vënë nën hetim për devijim të hetimeve, me rrethanë rënduese favorizimin e mafies dhe të autorëve të fshehtë të atentateve që vranë Paolo Borsellinon, së bashku me pesë efektivët e eskortës së tij, si dhe për zhdukjen e agjendës së kuqe të magjistratit.

Ai përballet gjithashtu me ato që ishin publikuar pas daljes së kërkesës për arrestimin e tij, e cila ishte rrëzuar nga gjyqtari.

“Nuk e kam tradhtuar kurrë besimin e atyre që ma kanë dhënë dhe nuk e kam tradhtuar kurrë miqësinë”, shton ai, duke pretenduar se ka qenë gjithmonë korrekt dhe besnik ndaj institucioneve dhe ndaj personave që i janë besuar.

Përfshirë këtu edhe ata që, pikërisht për shkak të afërsisë me prefektin, janë përfshirë në hetimin gjyqësor, disa prej tyre madje edhe me kërkesa për arrestim, ose janë përmendur në dokumentet e Prokurorisë që më pas janë bërë publike.

“Tani mundem vetëm të kërkoj falje dhe të lutem për faljen e atyre personave që, pa dashjen time, i kam përfshirë në problemet me të cilat po përballen sot”.

“Jam përfshirë nga një ortek, tani le të mbizotërojë e vërteta”

Në fund, ai shpreh shpresën për fatin e personave që janë nën hetim, ashtu siç ishte edhe vetë, por që duket se vlen edhe për imazhin e tij personal. Një mesazh që, sipas autorëve të artikullit, duket se e kishte menduar për t'u ruajtur edhe pas vdekjes së tij.

“Shpresoj që, përballë ortekut të gënjeshtrave që tani po më përfshijnë, në fund të mbizotërojë e vërteta”.

E vërteta e tij është ajo që ka lënë të shkruar në këto tetë faqe, ku është përpjekur të heqë nga vetja edhe misterin e fundit që i ishte atribuar: dokumentet e fshehura nga frika se mund të përdoreshin për ndonjë shantazh.

Përballë portretit të krijuar nga akuzuesit e tij, ai paraqet figurën e një shërbyesi të Republikës, i cili pranon se ka bërë gabime, madje edhe “të pafalshme”, për të cilat kërkon falje. Ai përmend “vuajtje dhe hidhërime”, duke lënë mënjanë sukseset dhe vlerësimet që kishte marrë gjatë karrierës së tij.

Megjithatë, këmbëngul se nuk ka ndjekur interesa personale, por vetëm atë që ai e konsideronte si përmbushje të detyrave të tij.

Me formulën zyrtare të përdorur në mijëra dokumente dhe me firmën që shfaqej në fund të tyre, ai mbyll mesazhin e tij të fundit publik, të vulosur me aktin më ekstrem dhe të pakthyeshëm: 

“Me besim,

Gianni De Gennaro”/ Corriere Della Sera