Rritja e numrit të azilkërkuesve shqiptarë në Perëndim shkaktoi debate të forta në seancën e sotme në Kuvend.
Opozita akuzoi qeverinë si shkaktare të 'eksodit masiv', që po i detyron familjet shqiptare të largohen nga vendi. Varfëria dhe humbja e shpresës, sipas saj, është shkaku kryesor i largimit të shqiptarëve.
Në reagimin e tij, kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë situatë "një keqkuptim të madh, përmes së cilës ka hyrë në veprim elementi kriminal".
"Kemi të bëjmë me një moment kur ka një keqkuptim të madh, i krijuar në raport me një nevojë të shpallur të Gjermanisë për 45 mijë të huaj me profesione të caktuara dhe për arsye të caktuara të ekonomisë gjermane, në raport me nevojën dhe dëshirën e njerëzve për të shkuar në Gjermani e për të kërkuar atje një jetë më të mirë. Mbi këtë keqkuptim ka hyrë në veprim elementi kriminal. Në vendet fqinje kemi të njëjtën situatë" u përgjigj kryeministri Rama në parlament.
Deputeti socialist, Ben Blushi, duke shprehur shqetësim për këtë çështje tha se largimi i shqiptarëve përbën një emergjencë kombëtare. Nëse do vazhdojë largimi me këto ritme, popullsia shqiptare rrezikon të përgjysmohet brenda pak vitesh, u shpreh ai.
"Kjo braktisje është e padrejtë dhe na duhet të japim alarmin, pasi kjo është një emergjencë kombëtare. Shqipëria po shpopullohet, po zvogëlohet dhe përgjysmohet", tha Blushi.
"Pesimizmi që ka kapur Shqipërinë është armiku më i madh dhe është kjo arësyeja pse po ikin shqiptarët.
Na duhet ta ndryshojmë këtë mentalitet kombëtar duke u bërë më solidarë, pse jo duke rritur dhe pagat, duke rritur asistencën sociale dhe duke investuar më shumë në zonat rurale, duke luftuar korrupsionin dhe duke e bërë shoqërinë më të drejtë", u shpreh Blushi sot në Kuvend. /atsh/