Tritoli në banesën e gjyqtarit të Shkodrës, Balla te ‘Siguria’: Akt burracak, hetimet po ecin mirë! Opozita: Policia ka dështuar, goditje ndaj drejtësisë

TIRANË- Shpërthimi me tritol në banesën e gjyqtarit të Shkodrës, Tonin Sterkaj është kthyer në çështje diskutimi në Komisionin e Sigurisë. I pranishëm në komision, ministri i Brendshëm, Taulant Balla e quajti një akt burracak, ndërsa tha se hetimet mbi këtë çështje po ecin mirë.

“Mund të ndaj informacionin se hetimet po ecin mirë, ka një pistë e cila mund të na çojë në zbardhjen e gjithë organizmit dhe të ekzekutimit të kësaj ngjarje. E rëndësishme që këtij rasti t’i shkohet deri në fund, në mënyrë që kushdo që ti shkojë mendja të kryejë një akt tjetër ta ketë parasysh që forca e ligjit do të godasë”, tha Balla.

Opozita hodhi akuza se Policia e Shtetit ka dështuar, përderisa krimi ka guxim të godasë gjyqtarët.

“Kjo është një ngjarje shumë e rëndë, duhet të themi që policia edhe në këtë rast ka dështuar. Guximi që ka krimi për të goditur gjyqtarët është përtej çdo ngjarje tjetër që ka ndodhur në këtë vend”, tha Ervin Salianji.

Deputeti Asllan Dogjani kërkoi që Komisioni i Sigurisë të dënojë sulmin, ndërsa propozimi i tij u përshëndet edhe nga ministri Balla.

"Si Komision Sigurie nuk mund ta anashkalojmë pa e dënuar rastin e goditjes se gjyqtarit nga grupet kriminale apo kushdo qoftë, ne duhet ta dënojmë bashkërisht", tha Dogjani. 

"E nxis edhe unë që komisioni për sigurinë të bashkohet me dënimin e këtij akti prej burracakësh ndaj një magjistrati", tha Balla. 

Mbledhja nisi mes debateve të shumta mes kryetarit Nasip Naço dhe deputetit Dogjani. 

Asllan Dogjani: Ore je në terezi apo nuk je

Nasip Naço: Të flasë ministri

Asllan Dogjani: Për procedurë jepet fjalë në çdo moment.

Nasip Naço: Pse e keni frikë ministrin

Asllan Dogjani: Se kam fikë unë, e ke frikë ti o Nasip. Kam dy fjalë për procedurë.

Ministri Balla prezantoi para komisionit pr.ligjin “Për sistemin e adresave”, i cili u miratua me votat e mazhorancës, ndërsa grupi i PD votoi kundër.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:45
‘Policë të inkriminuar’, PS nuk pranon kërkesën e opozitës për seancë dëgjimore me Dumanin, Naço: E thërrasim me Komisionin e Ligjeve

1714477936_ervinsalianji.JPG

Komisioni i Sigurisë Kombëtare nuk ka pranuar kërkesën e bërë nga 9 deputetë të opozitës për të thirrur në një seancë dëgjimore drejtuesin e SPAK, Altin Dumani lidhur me një deklaratë të tij për efektivë të korruptuar në radhët e Policisë së Shtetit.

Kryetari i Komisionit të Sigurisë, Nasip Naço tha se kërkesën e opozitës ia ka dërguar kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, që do ta shqyrtojë në mbledhjen e ardhshme të Konferencës së Kryetarëve.

Në të njëjtën kohë Naço propozoi që kërkesa e opozitës të bëhet pjesë e axhendës së Komisionit të Ligjeve, i cili do të zhvillojë në 15 maj një seancë dëgjimore me Dumanin. Por propozimi i socialistëve nuk u pranua nga opozita.

'Në lidhje me kërkesën tuaj, e kam lexuar me vëmendje nga ana formale…. E kam lexuar me vëmendje dhe i kam drejtuar një kërkesë zonjës Nikolla, në lidhje me kërkesën tuaj. Dhe pse çështjet lidhen me policinë janë fushë e përgjegjësisë së komisionit, i kam sugjeruar, se ka marrë akoma vendimin, raportimi vjetor të behet bashkë në një mbledhje.

Kjo kërkesë do të shqyrtohet dhe pas komenteve dhe qëndrimeve tua. Do të shqyrtohet në konferencën. Kërkesën tuaj e kam parë me durim. Ia kam bërë kërkesën Nikollës. Zoti Dumani do të jetë në Komisionin e Ligjeve dhe ju e ne të gjithë bashkë, nga s’kap i gjeni gjuhën, mund t’i përgatisni pyetjet dhe mund të bëni pyetje e surpriza zotit Dumani.'- tha Naço.

Ervin Salianji dhe Flamur Noka, e cilësuan si akrobaci të kryetarit të komisionit, propozimin për të zhvilluar seancë të përbashkët me Komisionin e Ligjeve.

Ora 14:35
‘Skap’-i, Balla i përgjigjet Rithemelimit: 'Tritol' ndaj drejtësisë, s’është rastësi që babai juaj politik luftën e ka gjithnjë me prokurorët e SHBA

 

Ministri i Brendshëm Taulant Balla, në Komisionin e Sigurisë, i është përgjigjur deklaratave të deputetëve të Rithemelimit. Flamur Noka e quajti Prokurorinë e Posaçme, ‘SKAP’.

Teksa po diskutohej edhe për tritolin në banesën e gjyqatrit, Balla tha se kjo retorikë është një lloj ‘tritoli’ ndaj drejtësisë. Ballla u kujtoi edhe sulmet e Sali Berishës ndaj drejtësisë, duke thënë se “babai i tyre politik” e ka pasur gjithmonë me luftën me drejtuesit e prokurorisë e tani e ka radhën Altin Dumani”.

"Në këto 30 vite ka ndodhur gjithçka. Ka ndodhur më 8 shtator 2011, gjyqtari Skerdilajd Konomi është hedhur në erë ndërsa shkonte në detyrë. Përsëri edhe atëherë edhe sot them të njëjtën gjë, ti zotëri hiq dorë nga ‘Skapi’, ‘Skapi’ edhe ata kolegët e tu, se kjo qasje dhe retorike është tritol, po i një forme tjetër. Është e papranueshme që ligjvënësi, politikani të etiketojë institucionet e drejtësisë me këtë gjuhë. Kujtoj ndërsa Kuvendi investoi në një komision hetimor për të shkarkuar një kryeprokuror. Nuk është rastësi që babai juaj polik e ka pas luftën me drejtuesit e prokurorisë, nga Maks Haxhia, te Arben Rakipi, te Ina Rama dhe tani te Altin Dumani. Nuk është rastësi, dy profesione i ka pas armiq të përbetuar kryeprokurori dhe ambasadori amerikan", tha Balla. 

Ora 14:06
'Policia e lidhur me krimin' 9 deputetë kërkesë Komisionit të Sigurisë: Të raportojë Dumani! PS: E pyesim te 'Ligjet' me 15 maj

Nëntë deputetë të opozitës anëtarë të komisionit të Sigurisë, i kanë kërkuar Kryetarit të Komisionit, Nasip Naip Naço të thërrasë në seancë dëgjimore kreun e SPAK, Altin Dumani lidhur me raportin e këtij institucioni për vitin 2023 ku ndër të tjera  ngriti shqetësimin për lidhjet e niveleve të larta të policisë rezultojnë të kenë bashkëpunuar me krimin e organizuar. Në vijim në kërkesën e opozitës që e disponon Shqiptarja.com citohet pjesa e plotë të deklaratës së Dumani lidhur me këtë skandal:

"...Krijimi i një nukli të oficerëve të policisë gjyqësore në policinë e shtetit ku mund të adresojme procedimet tona mund të bëhet por ne bashkëpunojmë me strukturë të posaçme me drejtorinë e policisë së shtetit. Por janë një kategori çështjesh që ne nuk mund ti hetojmë me policinë e shtetit, sidomos ata kur përfshihen punonjësit e policisë së shtetit. Hetimet tona kanë treguar që eksponentë të policisë së shtetit, madje me funksione të larta kanë bashkëpunuar me krimin e organizuar, referuar dhe çështjeve që kemi hetuar, dhe çështjeve që kemi në hetim e sipër. Janë një kategori çështjesh që ne hetojmë ekskluzivisht me BKH-në. Patjetër që bashkëpunojmë me policinë dhe kemi bashkëpunim të ngushtë" tha Dumani para KLP-se..". “Eshtë hera e parë që artikulohet publikisht një akuzë kaq e rende publike nga nje drejtues i Iarte i organit të prokurorisë, ku qartazi akuzohen strukturat e larta të policisë së shtetit për përfshirje e tyre në trafiqe dhe kapjen e policisë së shtetit nga krimi i organizuar' shprehen deputetët. Në këto kushte, si Komision i Sigurisë Kombëtare nuk mund të qëndrojmë indiferent ndaj ketyre informacioneve dhe këtij shqetësimi të përcjellë publikisht gjatë raportimit të punës së SPAK nga kreu i saj. 

Nisur nga sa sipër, bazuar në dispozitat e nenit 32, pika 2 dhe 36 pika 1 e Rregullores së Kuvendit, kërkojmë mbledhjen e Komisionit të Sigurisë Kombëtare për organizimin e një seance dëgjimore urgjente me kreun e SPAK z. Altin DUMANI, në mbledhjen më të afërt, në mënyrë që ky i fundit të na raportojë gjetjet dhe shqetësimet e tij për këtë problem tepër serioz të sigurisë kombëtare...

Por Komisioni i Sigurisë Kombëtare nuk ka pranuar kërkesën e bërë nga 9 deputetë të opozitës. Kryetari i Komisionit të Sigurisë, Nasip Naço tha se kërkesën e opozitës ia ka dërguar kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, që do ta shqyrtojë në mbledhjen e ardhshme të Konferencës së Kryetarëve. Në të njëjtën kohë Naço propozoi që kërkesa e opozitës të bëhet pjesë e axhendës së Komisionit të Ligjeve, i cili do të zhvillojë në 15 maj një seancë dëgjimore me Dumanin. Por propozimi i socialistëve nuk u pranua nga opozita.

Deputetët që firmosën kërkesën
Ferdinand Xhaferraj
Lindita Metaliaj
Asllan Dogjani
Kasem Mahmutaj
Monika Kryemadhi
Lefter Gështenja
Ervin Salianji

 

 

Ora 13:55
Balla në Komisionin e Sigurisë: Çdo banesë do ketë kod unik, regjistri kombëtar i adresave të përditësohet rregullisht

 

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka prezantuar në Komisionin e Sigurisë pr.ligjin “Për sistemin e adresave”. Balla tha se çdo banesë do ketë kod unik.

Po ashtu Balla theksoi se regjistri kombëtar i adresave duhet të përditësohet në mënyrë të rregullt.

"Çdo banesë në Shqipëri do të ketë një kod unik. Kemi punuar edhe me akte nënligjore. Ligjet e mira duan sanksione të forta. Regjistri kombëtar i adresave duhet të përditësohet në mënyrë të rregullt. Banesat duhet që të kenë kod unik, që edhe turistët të gjejnë saktë adresën.

Historia që banesa është tek Pallati me Shigjeta, më pas keni një kioskë e shko në kat të tretë, kjo nuk do të funksionojë. Me Kodin Unik, ky problem do të marrë fund. Kemi parashikuar kod edhe për banesën, edhe për ndërtesën", tha Balla. 

Ora 13:50
Tritol në banesë gjyqtarit në Shkodër, Salianji: Policia e Shtetit ka dështuar, krimi guxon të godasë magjistratët

 

Edhe deputeti demokrat Ervin Salianji ka ngritur në Komisionin e Sigurisë çështjen e shpërthimit me tritol në shtëpinë e gjyqtarit të Shkodrës, Tonin Sterkaj. Salianji në fjalën e tij tha se kjo ngjarje tregoi sërish se si ka dështuar Policia e Shtetit, duke theksuar se tregon guximin e krimit për të goditur gjyqtarët.

E mbi të gjitha, Salianji tha se kjo ndodh në një qytet ku bandat kriminale ‘luftojnë’ se kush do emërojë shefat e komisariateve.

“Diskutojmë që shqetësimi kryesor i qytetarëve janë adresat, ndërkohë që edhe njëherë duke nisur nga dakordësia që ka me ministrin për tu dënuar shpërthimi me tritol ndaj një magjistrati në Shkodër. Kjo është një ngjarje shumë e rëndë, duhet të themi që policia edhe në këtë rast ka dështuar. Guximi që ka krimi për të goditur gjyqtarët është përtej çdo ngjarje tjetër që ka ndodhur në këtë vend. Ndodh në një vend që e kemi parë me përgjime nga SPAK, se si bandat konkurrojnë më njëra-tjetrën për të emëruar shefat e policisë. Ka ndodhur në Shkodër, njëra bandë kapte shefin e komisariatit, njëra shefin e krimit. Të dyja bandat bashkëpunojnë me njëra-tjetrën për të bërë vota për PS. Kur arrin të preket një gjyqtar i republikës ca ndodh me të tjerët”, tha Salianji.

Ora 13:30
Tritoli në banesën e gjyqtarit, Balla: Hetimet po ecin mirë, akt burracak! Dogjani: Komisioni i Sigurisë të dënojë sulmin

 

Deputeti demokrat Asllan Dogjani ka kërkuar që Komisioni i Sigurisë të dënojë shpërthimin me tritol në banesën e gjyqtarit të Shkodrës, Tonin Sterkaj. Dogjani tha se ky ishte një mesazh shumë i rëndë për goditjen e drejtësisë.

I pranishëm në komision, ministri i Brendshëm Taulant Balla tha se hetimet po shkojnë mirë dhe se kësaj ngjarje duhet t’i shkohet deri në fund deri tek porositësit për të dhënë mesazhin se kushdo që guxon të kryejë një akt të tillë do përballet me ligjin.

Asllan Dogjani: Do ju lutesha shumë që ju si kryetar i komisionit të mbani drejtimin siç duhet. Sa herë e merr fjalën një koleg i opozitës i ndërhyni në çdo moment për ta prishur si komision që mos të ketë rregull dhe komunikim normal. Nuk e di se për çfarë e bën. Ti dëgjojë njëherë deri në fund, fjala është e lirë. Ne kemi luftuar për këtë ditë që të jemi të lirë të flasim. Në shtëpinë e një gjyqtari vendoset tritol duke terrorizuar jo vetëm familjen e gjyqtarit, por gjithë Shkodrën. Duke dhënë mesazh të rëndë në goditjen e sistemit të drejtësisë. Si Komision Sigurie nuk mund ta anashkalojmë pa e dënuar rastin e goditjes se gjyqtarit nga grupet kriminale apo kushdo qoftë, ne duhet ta dënojmë bashkërisht. Meqë kemi ministrin, duhet t’i kërkojmë të bëjnë të pamundur për ta zbardhur se ngjarje të tilla mund të bëhen shkak për ngjarje të tjera. Nëse zbulohen sa më shpejt është një masë e madhe parandaluese.

Taulant Balla: E nxis edhe unë që komisioni për sigurinë të bashkohet me dënimin e këtij akti prej burracakësh ndaj një magjistrati dhe po ashtu dua t’iu informoj si Komisioni Përgjegjës për mbulimin e veprimtarisë së Ministrisë së Brendshme dhe Policisë, se prej momentit të parë të marrjes së informacionit lidhur me këtë ngjarje është ngritur një grup pune jo vetëm për të hetuar. Mund të ndaj informacionin se hetimet po ecin mirë, ka një pistë e cila mund të na çojë në zbardhjen e gjithë organizmit dhe të ekzekutimit të kësaj ngjarje. E rëndësishme që këtij rasti t’i shkohet deri në fund, në mënyrë që kushdo që ti shkojë mendja të kryejë një akt tjetër ta ketë parasysh që forca e ligjit do të godasë.

SI.E./M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Protesta e Berishës, Faik Basha i PL-së e pranon: Nuk kishim shumë njerëz edhe prej motit! Haklaj: Mosbindja civile, teatër! PD bllokoi rrugët, vepër penale

Protesta e Berishës, Faik Basha i PL-së e pranon: Nuk kishim shumë njerëz edhe prej motit! Haklaj: Mosbindja civile, teatër! PD bllokoi rrugët, vepër penale