Në këtë punim, që u vlerësua edhe nga gjuhëtarë të njohur të Italisë të asaj kohe, ai mbështeste mendimin, se shqipja bënte pjesë në “çiftin pellazgjik”, duke i dalë e afërt me greqishten. Kamarda është interesuar edhe për përkthimet biblike në arbërishten e Italisë dhe për këtë ka qëndruar në Londër te princi Lui-Lysien Bonaparti, nipi i Napoleonit,i cili kërkonte të parqiste përkthimin e pjesëve biblike në 200 gjuhë të botës me rastin e Ekspozitës Botërore. Në nëntor 1878 i është drejtuar A. Tomsonit në Stamboll, që ta ndihmonte për shpërndarjen e librave të veta.
Një nga punimet e para në fushën e filologjisë diakronike për shqipen u hartua nga filologu dhe folkloristi arbëresh Dhimitër Kamarda. Vëllimi i parë italisht doli në Livorno më 1864 me titullin Saggio di grammatologia comparata sulla lingua albanese dhe u pasua nga vëllimi i dytë Appendice al Saggio di grammatologia comparata më 1866.
Që nga fillimi i shekullit XIX shqipja filloi të njihej si pjesëtare e pavarur e familjes së gjuhëve indo-europiane. Gjuhëtari i njohur gjerman Franz Bopp-i e vërtetoi prejardhjen e saj indo-europiane më 1854, porse për një kohë të gjatë mbeti e hapur çështja, se me cilën apo me cilat gjuhë të kësaj familjeje ajo afrohej më shumë.
Për shkak se një pjesë jo e vogël e lëndës folklorike ishte mbledhur prej studiuesve të huaj nga goja e arbëreshëve të Greqisë, ishte përftuar mendimi më i parë, se shqipja bënte pjesë në grupin helenik. Një ndër përkrahësit më të rëndësishëm të kësaj hipoteze ka qenë pikërisht Dh. Kamarda. Ai ka bërë edhe një paraqitje të kësaj hipoteze, duke kërkuar mbështetjen historike.
Nga dija shkencore që në vitin 1774 me autoritetin e historianit suedez H. E. Thunmann-it ishte shprehur ideja për prejardhjen ilire të shqiptarëve mbi bazën e të dhënave të historisë. Kjo ide e frytshme u mor nga arbëreshi i Italisë Engjëll Mashi (Angelo Masci), i cili e shtjelloi në punimin “Ligjëratë mbi prejardhjen, zakonet dhe gjendjen e tashme të kombit shqiptar” (Discorso sull’origine, costumi e stato attuale della nazione albanese), Napoli, 1807.
Këtë punim e përktheu frëngjisht gjeografi i njohur K. Malte-Brun dhe e botoi në Paris më 1809 në revistën “Annales des voyages”. Meqë shqiptarët ndodheshin mes grekëve të lashtë dhe romakëve, besohej se edhe gjuha e tyre zinte një vend mes gjuhëve të këtyre dy popujve. Për pasojë, Malte-Bruni e vështronte shqipen si një idiomë gjysmë greke.
Për Kamardën kjo u bë një pikënisje e vlefshme, madje prandaj edhe e mënjanoi mendimin e shprehur nga diplomati, ushtaraku dhe studiuesi anglez Ë. Martin-Leake në një vepër të vitit 1814 me titullin Researches in Greece, pjesa për shqipen prej së cilës tashmë është botuar shqip me titullin Kërkime për shqiptarët dhe për gjuhën shqipe (2006).
Libri shqip është pajisur me një parathënie të gjatë, në të cilën trajtohen mbi bazën e dokumenteve të reja marrëdhëniet e tij me Ali Pashë Tepelenën, si dhe ndërlidhjet me punën e Th. Kavaliotit (1770) dhe të Dh. Voskopojarit (1802), veçanërisht nëpërmjet krahasimit të fjalorëve të tyre, në të cilët shqipja del krahas greqishtes. Martin-Liku kishte vënë në dukje se elementi latin i shqipes është më i madh sesa huazimet nga greqishtja. Kamarda e mënjanoi gjithashtu pohimin e gjuhëtarit A. F. Pott, i cili e kishte vënë në dyshim marrëdhënien e shqipes me latinishten dhe me greqishten.
Nga ana tjetër, Kamarda iu kundërvu me forcë pikëpamjes së autorit Mullach (1844), i cili e kishte përfshirë shqipen si një “dialekt të shtrembëruar” të cakonishtes së Peloponezit. Duke i hedhur poshtë mendimet e kundërta, Kamarda ka cituar një numër jo të vogël autorësh, të cilët e pranonin marrëdhënien e ngushtë të shqipes me greqishten dhe latinishten. Ndër këta autorë ishin: Malte-Bruni (1809), M. Crispi (1836), A. Niebuhr-i, Gioberti (1844), V. Dorsa (1847), J. G. von Hahn-i (1854), G. Stier-i (1854), K. Reinhold-i (1855), P. Aravantinosi (1856), A. Pallis-i (1858), L. Benloeë (1858), M. Müller-i, A. Schleicher-i (1861), G. I. Ascoli (1861), G. Curtius-i (1862). P. Kupitori (1863) dhe D. Comparetti (1863).
Ndërkaq, kur trajton lëndën konkrete gjuhësore, Kamarda përdor kryesisht mendimet dhe zgjidhjet që kishte dhënë ai, i cili mbahet si themeluesi i studimeve albanologjike, J. G. von Hahn-i. Ka qenë fon Hani, i cili e kishte fornuluar në mëyrë të prerë hipotezën se shqiptarët janë pasardhësit e drejtpërdrejtë të ilirëve, maqedonasve dhe epirotëve. Për më tepër, së bashku me latinët dhe helenët ata në kohët e largëta të lashta përbënin një racë të përbashkët, të quajtur pellazgë, duke pasur gjuhën e tyre, pellazgjishten.
Ndërkaq, për mendimin tim, Kamarda nuk e njihte drejtpërdrejt punimin e A. Schleicher-it; ndoshta ka përdorur informacionin që kishte gjetur në shkrimet e D. Komparetit. Në drurin gjenealogjik të gjuhëve, që e kishte përpunuar A. Shlajheri, shqipja gjendet në degën kryesore të gjuhëve helenike-italike-keltike, ndërsa më tej dega vijon si dega e dytë e greqishtes. Ndërsa në të dy vëllimet e Kamardës nuk përmendet ky dru i familjeve të gjuhëve, përndryshe do t’i kishte shërbyer si një gur themeli për argumentimin e vet, sepse Shlajheri i dha autoritet të plotë teorisë së prejardhjes pellazge të shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe.
Detyra themelore që i kishte vënë vetes Kamarda ishte ta vërtetonte këtë hipotezë me fakte të fonetikës, gramatikës dhe etimologjive të gjuhës shqipe, duke u mbështetur te metodat gjuhësore bashkëkohore, prandaj shkruante: “Jam përpjekur në këtë punim, dhe ndoshta për një pjesë ia kam dalë ta çoj deri në një përfundim jo të gabuar, të jap vërtetimin për afëritë organike dhe etimologjike (do të thoja pothuaj përputhjet) ndërmjet idiomës shqipe dhe helene.” (I, f. 8).
Vlerësimi i Gustav Majerit pwr Dhimitër Kamardën
Për kohën e tij punimi i Kamardës ishte një vepër pioniere jo vetëm lidhur me shqipen, por edhe për gjuhësinë italiane. Atë e çmonte lart G. I. Ascoli, i cili më 1877 e ka quajtur një zbukurim të literaturës filologjike italiane: “Libri i siguron atij përgjithmonë një vend të mirë mes albanologëve dhe është një zbukurim i vërtetë i literaturës filologjike të Italisë së sotme”. Kurse Gustav Majeri është shprehur se “Emri i tij meriton të përmendet e të ngrihet në historinë e shkencave”. (1885).
Që nga ajo kohë janë bërë përparime të thella në gjuhësinë si shkencë dhe sot do të ishte fare e lehtë t’u bëhej një kritikë thelbësore ideve të Kamardës, porse nuk mund të mohohet se ai dha ndihmesën e vet në fushën e kësaj diturie. Disa prej vëzhgimeve, hipotezave dhe përfundimeve të tija mbeten të mbështetura edhe në ditët tona, ndërkohë që ai ka qenë i pari që i ka formuluar. Po sjell vetëm një shembull, duke iu drejtuar fjalëve të prof. E. Çabejt më 1973: “sikundër e vuri re gjuhëtari arbëresh, Dhimitër Kamarda, mesopësorja (mediopasivi) në greqishten formohet në vetën e parë njëjës me -mai, në të dytën me –sai, në të tretën me –tai, e në shumës në të tretën me –utai. Ashtu si në shqipen…”.
Kamarda jo vetëm ka qenë ndër të parët që ka treguar në mënyrë sistematike dallimet e dy dialekteve kryesore të shqipes, por edhe që i ka përdorur për të shpjeguar faktet e ndryshme historike. Ai e ka diskutuar me vëmendje problemin e standardizimit të shqipes, domethënë se si variantet e dialekteve vendore mund të shkriheshin në një gjuhë të shkruar për të arritur që të njiheshin përgjithësisht dhe të bëheshin një standard i pranueshëm.
Kamarda si nismëtar i alfabetit të shqipes
Mjaft prej propozimeve të tij për vendosjen e një alfabeti të përgjithshëm të shqipes kanë qenë mjaft të afërta me zgjidhjen përfundimtare të çështjes më 1908.
Vëllimin e dytë (Shtojcën) e hartoi për të treguar pasurinë e shqipes, nivelin e lëvrimit të saj dhe mundësitë shprehëse të folklorit e të letërsisë shqipe. Në fund të këtij vëllimi gjendet një listë prej rreth 4000 fjalësh. Ishte fjalësi më i gjerë si numër i shqipes, i botuar deri në atë kohë.
Gjurmimet rreth shqipes prej atëhere kanë ecur mjaft përpara. Për ta dëshmuar këtë do të kufizohem vetëm me pak shembuj prej punimit të tij. Në kreun për fonologjinë autori diskuton shkallët e zanoreve dhe ndërrimet e vetvetishme. Për të treguar fatin e tingullit a- në krye të fjalëve, ai merr si shembull fjalën anije dhe e ndan kështu: a-ni-a. Ne e dimë sot se rrënja e fjalës ka qenë “an” dhe nuk ka asnjë mundësi që të shkëputet prej saj një a-. Për Kamardën folja “dua” lidhet me sanskr. day dhe greq.δεωμαι, mirëpo etimologët sot japin një shpjegim krejt të ndryshëm: shq. dua, sanskr. jusate, gr.γευμαι.
Lidhur me formimin e fjalëve Kamarda i përfshin gjithë ndajshtesat në korrespondenca të veçanta greko-shqiptare. Ky është përgjithësisht një prej gabimeve të tij kryesore nga ana metodike. Te shembujt e tij gjejmë po ato manipulime me dorë të lirë ndaj lëndës gjuhësore. Te folja “arnoj” ai gjen prapshtesën –na-, mirëpo rrënja është arn- dhe jo ar-. Autori ynë gjen prapashtesën –m(ë) te fjala “helm”, por sërish asnjë prapashtesë nuk ka kjo fjalë. Dhe është pak e papritur që ai gjen po atë prapashtesë te fjalë “sermë”, e cila është një huazim prej turqishtes.
Numërorët janë një pikë qendrore në diskutimet për marrëdhëniet ndërmjet gjuhëve indo-europiane. Po edhe këtu Kamarda, duke e renditur shqipen me latinishten e greqishten si gjuhë kentum, bën sërish një gabim të rëndë metodik. Ndonëse kjo ndarje e gjuhëve indo-europiane sot vështrohet ndryshe, shqipja është quajtur kryesisht gjuhë satem dhe i përket degës lindore.
“Akrobacirat” e sotme për etimologjitë e shqipes
Në kreun për morfologjinë Kamarda parashtron pohimin e pambështetur, se kohët dhe mënyrat e foljeve të shqipes janë formuar rreptësisht në paralelizëm me të greqishtes, madje shkon edhe më tej, duke thënë se zgjedhimi i foljeve është më afër me trajtat që duhet të kenë qenë ne gjuhën helene.
Të njëjtin trajtim të papranueshëm u bën shembujve të veçantë. Ndajfolja e shqipes “bashkë” sipas tij lidhet drejtpërdrejt me greqishten πας. Duke e kujtuar si fjalë të shqipes huazimin nga turqishtja “abolla”, pohonte se kjo ndajfolje kishte të bënte me greq. e vjetër αβαλε. Me prejardhje nga turqishtja është edhe ndajfolja “gjoja”, por Kamarda kujtonte se ishte e prejardhur nga folja “gjuaj”. Së fundi, kreu për sintaksën është i varfër me pohime të përgjithshme lidhur me njëjtësinë e përshtatjes si në shqipen edhe në latinishten e në greqishten.
Gjithsesi, nuk është e padobishme të vihen në dukje pasaktësi të tilla, sepse sot po ndeshemi me një vërshim shkrimesh plot me akrobacira për etimologjitë e shqipes, të cilat arrijnë deri aty, sa të thonë që, për shembull, edhe fjala “spital” na qenka e shqipes dhe prej këndej e paskan marrë gjuhët e tjera europiane! Mjafton të shënoj se kjo fjalë, me prejardhje nga latinishtja, dëshmohet me kuptimin e sotëm në frëngjishten vetëm në vitin 1675.
Një vepër e gjerë dhe që ka kërkuar një punë të madhe nuk mund të frymëzohej vetëm nga një shtysë e thjeshtë shkencore. Është e qartë se prapa saj ka qenë edhe një shtysë ideologjike. Sipas Kamardës, për shkak të pozitës gjeografike dhe të prejardhjes së kombit të vet, Shqipëria nuk mund të qëndronte e veçuar nga Maqedonia, Epiri dhe gjithë pjesa e Greqisë. Që të dy kombet kanë të njëjtën natyrë dhe janë në afëri gjaku. Shqiptarët mund të quhen pellazgë të rinj, ashtu si grekët e sotëm mund të quhen helenë të rinj.
Madje J. Ksilanderi, autori i një libri me peshë për shqipen (1835), kishte vënë në dukje se Shqipëria mund të qytetërohej vetëm prej Greqisë. Nuk është e rastit që po i njëjti mendim është shprehur për të parin botim të Dhiatës së re shqip më 1827 në Korfuz: një ndërmarrje e tillë nuk paska qenë e mundur të bëhej prej shqiptarëve, por vinte nga drita e kulturës greke.
Këtë tezë e ka mbështetur edhe peshkopi i Korçës, Evllogji Kurilla në vitet 1930, prandaj kam botuar një libër të gjerë më 2012 (Përkthimi i V. Meksit dhe redaktimi i G. Gjirokastritit), në të cilin mbi bazën e një dokumentimi të plotë, kam vërtetuar, se ky përkthim u bë i mundur me ndihmën e kulturës europiane dhe ndihmesën e drejtpërdrejtë të veprimtarëve të shquar europianë.
Ndërkaq, për Kamardën në secilën periudhë historike ka pasur marrëdhënie të ngushta ndërmjet fiseve ilire-maqedone-epirote dhe fiseve eolike-dore-joniane. Shqipja e re është ndoshta një binjake e greqishtes. Nga njëra anë, në shqipen është ruajtur një pjesë e gjuhëve të lashte pellazge-eolike.
Shqipja përmban disa prej elementëve më të lashtë të së folmes greke. Ka disa trajta gramatikore, përmes të cilave duhej të kalonte greqishtja për të arritur te trajtat e mëvonshme. Shqipja ka një përpjesë më të madhe sesa greqishtja në elementin pellazg-italik, ajo vete te zanafilla parake e greqishtes dhe e latinishtes, sepse shqipja lidhet me trungun e përbashkët të këtyre dy gjuhëve të tjera.
Nga ana tjetër, njësimi i shqipes së sotme duhet të bëhet nëpërmjet rindërtimit të elementit të pëbashkët ilir-epirot. Shqiptarë nuk duhet ta humbasin gjuhën e tyre, sepse ajo është relike e nderuar e kohëve shumë të lashta; përkundrazi, ata nevojitet ta lëvrojnë më tej gjuhën e tyre. Si gjuhë zyrtare ata mund të përdorin edhe greqishten, si një idiomë më e lëvruar për kohën. Si prift që ishte i ritit bizantin, Kamarda e quante se ligjërata liturgjike greke ishte një shfaqje e vazhdimësisë dhe e risisë së kontakteve të lashta.
Miti për origjinën pellazge të shqiptarëve dhe të gjuhës së tyre e përshkon gjithë shekullin XIX dhe i ka frymëzuar përfaqësuesit më në zë të Rilindjes sonë. Shumë prej tyre e adhuroni shkëlqimin e kulturës së lashtë greke dhe mitin pellazg e shihnin si një provë të lidhjeve të vjetra ndërmjet popujve tanë, të cilat duheshin përtërirë për interesat e pëbashkëta të luftës për liri dhe për ringjalljen kulturore. Sidoqoftë, Kamrada nuk ka qenë i vetmi shqiptar që ushqente të tilla ide.
Madje këtyre ideve romantike u drejtohen sot jo pak shkrime me papërgjegjshmëri të rëndë historike dhe faktike në shtypin e përditshëm. Në këtë shekull të ri nuk kemi nevojë për mite të atilla, por për një kulturë mbi baza shkencore, e cila edhe na ushqen me dinjitetin e së vërtetës për kombin tonë, edhe është e pranueshme nga dija europiane, për të cilën kemi nevojë që të na njohë e të na mbështesë.
Sot e kuptojmë qartë se projekti ideologjik i Kamardës ka dështuar së bashku me pjesën e paragjykimeve të tij gjuhësore. Por vepra e tij mbetet një piketë e patundur në rrugën e historisë së gjuhësisë shqiptare. Më 1989 të dy vëllimet e librit të tij u rishtypën në Horën e Arbëreshëve dhe kjo është shenja më e mirë se ai nuk e ka humbur rëndësinë. Besoj se me rastin e 150 vjetorit nga botimi i parë këto shënime do ta tërheqin vëmendjen te ky monument i dijes sonë.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 6 Dhjetor 2015
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)