Siç çdo revolucion edhe ai i vitit 1924 nisi pa i marrë leje askujt, zuri fill i diktuar nga padurimi dhe nga emocionet e vrasjes së Avni Rustemit. Në një krah ndodheshin shkrimtarët, intelektualët, njerëzit e kulturës, në krahun tjetër ishin feudalët. Revolucioni tregoi se për të qeverisur shqiptarët nuk është nevoja të lexosh libra, mjafton të lexosh shqiptarin, e në këtë pikë Zogu ishte më i zoti se Noli.
Sonte në 22:00 në Report Tv u transmetua emisioni 'Elektroshok' nga profesor Ardian Ndreca me temë 'Revolucioni i Qershorit 1924'.
Në qershor të vitit 1924 në Shqipëri plasi një revolucion borgjez edhe pse paradoksalisht mungonte borgjezia. Akuzohet se ishte legal a thua se ekzistojnë revolucionet legale! Ai i qershorit 1924 ishte revolucioni i padurimit ndaj sundimit shekullor të feudalizmit, gjithsesi qe vetëm një iluzion pse reformat institucionale nuk do t’i bënin intelektualët e shkrimtarët që udhëhoqën revolucionin por Ahmet Zogu, i cili s’para lexonte libra, për të sunduar atij i mjaftonte të lexonte shqiptarët.
Shqipëria mbeti substacialisht feudale deri në pushtimin italian dhe kjo ishte diçka e volitshme për armiqtë tanë. Revolucioni i qershorit mbeti si diçka e parealizuar. Askush nuk e kuptoi mirëfilli se kush ishte Noli si politikan. Ndërsa Ahmet Zogu iku me aurën e shtetformuesit. Bëri aq sa mundi por pa u armiqësuar asnjëherë me shumicën e shqiptarëve. Qershori i vitit 1924 i gjeti shqiptarët të veshur tepër trashë që të mund të ndienin freskinë e erës së re që po frynte. Revolucionarëve u mungonte një Ahmet Zog, këtij të fundit nuk kishte se çfarë t’i duhej dija dhe kultura e Fan Nolit, Luigj Gurakuqit, Mustafa Krujës, Stavri Vinjaut e të tjerëve.
Megjithatë në fund të dhjetorit të vitit 1924 dy palët shmangën luftën civile, gjë që nuk u arrit të shmangej pas njëzet vitesh. Të paktën asokohe pinjojtë e Rilindjes ndienin përgjegjësinë e veprimeve të tyre përpara kombit. Asgjë nuk është siç duket, si Revolucioni i Qershorit si Ahmet Zogu janë tepër larg klisheve historike, por mbesin pjesë e një rrugëtimi historik që duhet vetëm të kuptohet më thellë.
“Elektroshok” është emisioni i profesor Ardian Ndrecës që vjen çdo të premte ora 22:00 në ekranin e Report Tv. Përmes një hapësire televizive prej 13 minutash profesori i historisë së filozofisë moderne synon të ndezë një shkëndijë refleksioni tek audienca, shoqëria shqiptare.
Reformat dhe transformimet i bene ata qe moren pushtetin ne 44-n. Zogu e kishte mendjen te gjente nuse dhe te shtypte kryengritjet qe i benin vartesit cdo 6 muaj me nga nje toge ushtaresh. Personazh patetik ka qene. Fusnote e historise.
Përgjigju