Ky i fundit, njësoj si Lulzim Basha një javë më parë, refuzoi të dalë nga Kuvendi. Pas ndërprerjes së seancës në mesditë, Kuvendi rinisi në orën 17:00, por vetëm për pak minuta. Kjo pasi Noka nuk pranoi të lërë Kuvendin, gjë e cila detyroi Ruçin të shtyjë punimet për ditën e nesërme. Ndërkohë, për deputetin e PD do të vendosë Byroja e Hetimit, e cila pritet të mblidhet në orën 19:00.
Si nisi sherri në Kuvend
Pas ndërprerjes së fjalës së Berishës në foltore, Noka kërkoi të reagonte për procedurë, pasi sipas tij Rama ofendoi ish-kryeministrin, por Ruçi nuk pranoi duke refuzuar që t’i japë fjalën.
Kaq mjaftoi që situata të precipitonte në sharje dhe ofendime nga Noka, që iu drejtua Ruçit me fjalët rrugaç. Ruçi e përjashtoi nga seanca, ndërsa opozita bllokoi foltoren duke bërë që të ndërpritet seanca plenare.
Debati që solli sherrin
Gramoz Ruçi: Zoti Berisha, mbaroi koha
Flamur Noka: Dua fjalën për procedurë
Gramoz Ruçi: Nuk ka procedurë
Flamur Noka: Ti je rrugaç, xhandar...
Ruci: Të tërheq vëmendjen...
Ruci: Je i përjashtuar nga seanca
LSI bashkohet me PD për Berishën
Pas sherrit në Kuvend që solli përjashtimin e Flamur Nokës nga seanca, Partia Demokratike, LSI dhe PR kërkojnë përjashtimin e Edi Ramës me 10 ditë nga punimet e parlamentit.
Kërkesa për përjashtimin e Ramës është firmosur nga kryetarët e grupeve parlamentare të opozitës, Spaho, Vasili dhe Mediu, pasi sipas tyre kryeministri ofendoi Berishën dhe opozitën me një fjalor vulgar dhe të papranueshëm. PD pretendon se Rama gjatë debatit në Kuvend i ka thënë Berishës pa mikrofon ‘ke rrjedhur’.
Kerkesa e opozites per perjashtimin e Rames
Edhe PS kërkon përjashtimin e Flamur Nokës
Ndërkohë që edhe PS kërkon përjashtimin me 10 ditë të Flamur Nokës pasi ofendoi kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi, dhe bllokoi foltoren. PS ka firmosur kërkesën për përjashtimin e Nokës, ndërsa pritet mbledhja e Byrosë së Kuvendit për vendimin përfundimtar.
Kjo nuk është hera e parë që Flamur Noka përjashtohet nga punimet e Kuvendit, pasi një gjë e tillë ka ndodhur edhe në legjislaturën e kaluar dy herë. Tashmë pritet që të mblidhet Byroja e Kuvendit për të vendosur nëse do të përjashtojë Edi Ramën pas kërkesës së opozitës dhe të Nokës pas kërkesës së PS.
Seanca pritet që të rifillojë në orën 17:00 të pasdites së sotme. Rama në një status në Facebook u shpreh se PD nuk thahet dot nga rrebeshi i zgjedhjeve dhe di vetëm e lagu s’e lagu.
Kjo është java e dytë radhazi që ndërpritet seanca në Kuvend, pasi edhe të enjten e kaluar opozita e bllokoi foltoren.
(Kërkesa e PS për përjashtimin e Nokës)
dy.b/shqiptarja.com