Pas rileximit në skenën e Teatrit Kombëtar të veprës “Prefekti” debatet mbi figurën e Qazim Mulletit kanë qenë shumë të forta nga personazhe të ndryshëm publikë në vend. Së fundmi është publikuar një dokument i firmosur nga vetë ish-Prefekti dhe kryebashkiaku i Tiranës në periudhën e pushtimit fashist, Qazim Mulleti.

Në dokument Mulleti i shkruan Ministrisë së Brendshme se ka nderin t'i njoftojë se ekzekutimi i të dënuarve me vdekje Hamzi Mëzizi, Nikolla Tupa dhe Ferit Xhajku është kryer.

Dokumentin e ka publikuar në Facebook edhe deputeti socialist Erion Braçe.

"Fashizmi nuk është opinion, as Teatër, as komedi! Fashizmi është krim! Urdhëroni: Kur pushkatoheshin antifashiste në Tiranë dhe prefekti kishte “nderin” të raportonte kështu! Puthini dorën tani", shkruan Braçe, pasi publikon dokumentin.

Dokumenti, Qazim Mulleti njofton ekzekutimin e 3 të dënuarve me vdekje

Kujtojmë se leximi në Teatrin Kombëtar të veprës “Prefekti” të Besim Levonjës, i shfaqur në “Facebook” me rastin e festave të nëntorit, ngjalli një sërë kritikash. Sipas kritikëve në vepër ironizohet e tallet figura e Qazim Mulletit, ish-kryebashkiak dhe ish-prefekt i Tiranës në vitet e pushtimit nazi-fashist. Ishte shoqata “Tirona Intellectum” që reagoi ashpër për rikthimin e kësaj vepre. Sipas tyre, duket se Teatri me këtë vepër po rivlerëson tezat e qasjet që kishte Teatri gjatë regjimit komunist, luftën e klasave dhe stigmatizimin e banorëve të Tiranës që jo vetëm u dënuan dhe iu morën pronat për t’ia dhënë elitës së re komuniste, por edhe u portretizuan dhe u përjetësuan në vepra arti. Aktori që e risolli veprën është Arben Derhemi dhe sipas shoqatës fakti që ky aktor është nga Tirana e bën edhe më të turpshme ngjarjen. Nga ana e tij, aktori Arben Derhemi, ka reaguar në lidhje me kërkesën e Shoqatës Tirana për të hequr zyrtarisht nga transmetimi komedinë “Prefekti”, duke thënë se nuk e kuptonte se “ku janë prekur tironcat e vërtetë”.

Me një lidhje me Skype për Report Tv, mbesa e Qazim Mulletit, Besforta Mulleti tha se vepra denigron figurën e tij, duke kërkuar një rishkrim të veprës teksa theksoi se ata janë gati të kontribuojnë me informacione. Sipas saj, Qazim Mulleti ka qenë një njeri mjaft i arsimuar për kohën e që fliste disa gjuhë të huaja, duke shtuar se ata po shohin edhe kuadrin ligjor për të penguar shfaqjen e kësaj vepre.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:41
Familjarët e Qazim Mulletit i përgjigjen Erion Braçes: Nuk mund të viheshin prefektë paraardhësit tuaj injorantë

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, përmes një postimi dje në Facecook, është përfshirë dje në debatin e lindur pas rileximit në skenën e Teatrit Kombëtar të veprës “Prefekti”. Braçe ka shkruar se Qazim Mulleti ka qenë i komanduar në atë post nga Fashistët e Nazistët dhe është bashkëpunëtor i tyre.

Në postim Braçes i është përgjigjur Mira Dine, mbesa e Qazim Mulletit. Dine shkruan se ai shpëtoi hebrenj dhe se bashkëpunimi me pushtuesin ishte institucional.

Postimi i plotë i Mira Dine

Me këtë postim që keni bërë shoku Braçe, tregoni se nuk keni bërë shkollë tjetër veç asaj të PPSH. A e dini ju se për postin shtetëror nuk mund të paragjykohet si bashkëpunëtor, se bashkëpunimi është brendia e detyrës së politikanit dhe ju bashkëpunoni me demokratët, por mbeteni socialist.

A e keni parë Schindlers List dhe ai bashkëpunonte për të shpëtuar jetë njerëzish, dhe para një muaji u nderua dhe një oficer gjerman nazist në Gjermani, se ka shpëtuar jetë njerëzish. U deshën 77 vjet që oficeri nazist të nderohej, s’e paragjykoj si po bëni dhe ju në rastin e fisnikut Qazim Mulleti… Hiqini syzet e paragjykimit, shoku Braçe, dhe shikoni të vërtetën, sesa hebrenj ka shpëtuar fisniku Qazim Mulleti duke i dërguar në malësitë e Tiranës te miqtë e vet besnikë…

Natyrisht, paraardhësit e sojit tuaj analfabetë nuk mund të viheshin në kryetar bashkie në atë kohë kur ai i sqaronte tironsit, që Gjermania e humbi luftën, tashti armiku kryesor nuk është nazizmi, se ato nuk rrinë këtu përjetë, po armiku kryesor është bolshevizmi… Të mos na pushtojë komunizmi…

Ai ka bërë punë sqaruese me të rinjtë tironas duke i sqaruar se çfarë do t’i gjente kur të vinte komunizmi…por asnjë nuk e besoi …as e shoqja, që nuk shkojë e hoqi skëterrë në vendin që ndërtuan paraardhësit e socialistëve… Ai qe profet dhe ka treguar me imtësi se çfarë do t’i gjente njerëzit në komunizëm. Ai njihte bolshevizmin, si askush tjetër…Dhe historia i dha të drejtë….

Që me 22 nëntor 1942, me humbjen e armesë së gjashtë në Rusi me gjeneralmarshall Paul, ishte e qartë për gjithë ata që ishin politikanë, strategjikë betejash luftëtarë (Qazimi ka luftuar kundër serbëve) se Gjermania e humbi luftën… po ju, o shoku Braçe, nuk merrni vesh nga politika e strategjia po vazhdoni bëni propagandë… Mos u bëj merak, se fisnikun Qazim Reshat Mulleti do ta nderojë e ardhmja, se ai qe një humanist strategjik, një intelektual antibolshevik… Shko laj gojën, more shërbëtor Braçe, kur të përmendësh emrin e fisnikut QAZIM RESHIT MULLETI, se nuk ke ti të drejtë të përgojosh atë…