TIRANE-Presidenti Ilir Meta ka reaguar për herë të parë për paketën anti-shpifje që pritet që të miratohet në parlament pas diskutimit në komisionet parlamentare. Kreu i shtetit ka shpërndarë reagimin e Komisioneres së Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatović, ndërsa shkruan se Shqipëria nuk ka nevojë për rekorde të tjera negative ndërkombëtare. Meta bën thirrje që të dëgjohen shqetësimet e ndërkombëtarëve dhe gazetarëve, pasi sipas tij pa një media të lirë rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian është e pamundur.

"Shqipëria nuk ka nevojë për rekorde të tjera negative ndërkombëtare! Mjaft me nxitimin për t’i shtuar ato më tej! Shqetësimet e komunitetit të gazetarëve dhe të partnerëve tanë duhet të dëgjohen me shumë vëmendje dhe përgjegjshmëri! Pa media të lirë dhe të pavarur, rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian është e pamundur" shkruan Ilir Meta.

Komisionerja e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatović i kërkon kuvendit të Shqipërisë të rishikojë draftet e paketës anti-shpifje që për herë të parë përfshin median online, me argumentin se duhen përshtatur sipas standardeve të vendosura nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe nga Këshilli i Europës. Paketa ka ngjallur debate të shumta në komunitetin e gazetarëve dhe politikës, pasi opozita është pozicionuar kundër, ndërsa qeveria e vendosur për ta kaluar.