Por në përgjigje të kësaj akuza, deputeti socialist Xhemal Qefalia tha se Noka duhet të bënte detyrën e tij e të shkonte në Prokurori për këtë çështje për të denoncuar parcelat me të cilat ishte ndeshur. Më pas Asllan Dogjani tha se votat në Dibër u morën me presion dhe i blenë, e në përgjigje të kësaj, socialisti Arben Çuko, tha se është e pamundur që rreth 20 mijë vota të marra nga kandidati socialist, të bliheshin.
Debati në Komisionin e Sigurisë
Stefan Çipa: Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për parandalimin dhe luftën ndaj trafikut të substancave narkotike ose psikotrope” vjen para jush me një kërkesë për ndryshime të karakterit teknik, ku pasqyrohet angazhimi i luftës ndaj lëndëve narkotike. Këto ndryshime ligjore na japin mundësinë e nxjerrjes së akteve nënligjore.
Spartak Braho: Ka pyetje? Diskutime? Z. Noka urdhëro!
Arben Çuko: Filloi ky do na flasë për votat tani. Po dal të pi një cigare më mirë.
Flamur Noka: Ti po ti, dil. Mund të pish dhe një paketë të tërë derisa të kthehesh. Deri sa të mbaroj unë. Kështu që paketën merre me vete, ta kesh. Veç shih mos të kanë futur ndonjë cigare hashashi, ti kesh në rregull, të pish duhan, se mos pish hashash. Mos i ngatërrosh.
Arben Çuko: O Muli, ti do të kthehem unë?
Flamur Noka: Jo, mos u kthe. Të lutem shumë. Zoti zv.ministër në këtë ligj kaq të rëndësishëm besoj ju bëri përshtypje që nuk pati asnjë pyetje. Pse? Se nuk ka qytetar sot që nuk është i paqartë se sot jetojmë në republikën e kanabisit. Qeveria ka marrë në patronazh për sigurinë e parcelave të kanabisit në të gjithë Republikën e Shqipërisë. Të korrat e hashashit janë shumë të mbara, dhe ky ligj i sjellë është provokim, neveri dhe tallje jo vetëm për komisionin por edhe për të gjithë qytetarët dhe opinionin. Nuk ka parcelë që nuk monitorohet dhe ruhet me armë nga oficerë të policisë. Vij nga Dibra, nga një zonë ku lulëzonte hashashi që ishte pronë e shefit të komisariatit. Kam parë inspektorë policie që blinte 30 bukë në ditë në furrë dhe jua çonte punonjësve dhe trafikantëve lart në mal. Shefi i komisariatit kërcënonte banorët që kërkonin ujë, teksa ujin e kishte bllokuar kuçedra lart në mal, ku trafikantët vadisnin hashashin. Kam qenë edhe në Vlorë, kam parë të njëjtën situatë. Është rrëqethëse. Po inkriminohet me shpejtësi e gjithë shoqëria. Ministri e kryeministri fërkojnë duart se të korrat janë të mbara e do mbushin xhepat. Unë ju them një gjë: ditë të zeza janë këto që po shihni ju, mos kujtoni se janë të bardha. Shumë shpejt efektet e këtyre të korrave do të ndihen frikshëm në këtë vend, sepse pazaret e drogës do të kenë viktima. Pazaret e hashashit do të kenë pasoja. Po investoni në mënyrë të frikshme në shkatërrimin e kësaj shoqërie dhe këtë nuk e bën askush veçse Edi Rama dhe 40 hajdutët e tij. Është e vetmja qeveri që ka pasur historia e këtij vendi që po investon kaq shumë në infektimin e brezit të ri për bërjen e parave me rrugë të pista. Me turp dhe neveri pamë ministrin dhe disa kolegë që shkuan dhe bënë selfie tek parcelat e hashashit. Është e neveritshme, si të ishin arat me begatinë e grurit apo e të mbjellave bujqësore që do na gëzonin. Ai për veten e tij atë botëkuptim ka, por aty është ministër, ndaj është turp.
Stefan Çipa: Ministria po bën një përpjekje dhe luftë reale me Policinë e Shtetit për asgjësimin e lëndëve të kultivuara. Shifrat nuk janë këto që thotë z. Noka. 420 hektarë ishin të kultivuara në Shqipëri në vitin 2013 dhe ishin asgjësuar vetëm 7.3 %. Duke e krahasuar me vitin 2015 shkatërrimi është 99.6 %. Këto janë statistika ndërkombëtare.
Flamur Noka: Unë të kuptoj ty që të kanë ngarkuar ta mbrosh, por kjo është një gjë e pambrojtshme. Qytetarët nuk kanë nevojë për fjalën tuaj dhe timen. Policia ka kontribut shumë të madh për gjetjen e farës, për mbjelljen, për korrjen aktualisht. Keni shefin e komisariati të Dibrës. Kishte 12 dynymë të tijat të mbjella atje. I korri të nesërmen pasi i pashë unë. I ruante me polici. Keni korrur po, të gjitha ato parcela që nuk kanë paguar 30 %. Është e vërtetë. Keni punuar në këtë drejtim. Në qeverinë time unë nuk kam dalë si kokosh kanabist ta mohoj. E kam pranuar se ka pasur në Lazarat, në disa fshatra të Lumit të Vlorës, në disa fshatra të Malësisë së Madhe. Tani na sillni këtu një ligj me Ministrinë e Mjedisit. Po hiqeni more Ministrinë e Mjedisit. Mjedisin e keni marrë ju. Ju e keni gjelbëruar Shqipërinë. Ministria juaj. Kujdeset Sajmja dhe për mjedisin.
Xhemal Qefalia: Nuk jam i befasuar nga gjendja e kolegut Noka, sepse aftësitë e tij për të njohur vetitë e tokës, llojet e farës, janë aftësi që tejkalojnë dhe aftësitë e tij profesionale prej mjeku.
Flamur Noka: Po, po. I kam unë këto aftësi o Xhemal.
Xhemal Qefalia: Është për tu vlerësuar kjo. Pse është gjithë kjo zhurmë e gjithë ky makth i akumuluar nga opozita? Në fakt kanë të drejtë, se kur sulmohet dhe shefi i komisariatit të Dibrës, qytetarët e kanë kuptuar se çfarë pësuan ata gjatë zgjedhjeve ditën e diel. Është një goditje që opozita e ka shumë të vështirë ta kapërdijë. Është një goditje ku i gjithë grupi parlamentar demokrat ishte në Dibër, madje dhe kreu i opozitës ishte më shumë në Dibër se në Holandë. Qytetarët e kuptuan dhe e vlerësuan mesazhin që ju dha Partia Demokratike. Unë e pashë mençurinë e Dibranëve dhe i dhanë fitore të jashtëzakonshme kandidatit të së majtës. Kam parë parcela me drogë rrugës kur ikëm atje. Ishte një orë larg dhe policia ka bërë një punë të madhe duke mos shkuar me javë në shtëpi për të asgjësuar drogën. Ti je deputet, po ke parë parcela dërgoi në prokurori çështjet dhe rastet.
Asllan Dogjani: Drogë është mbjellë dhe në Lushnjë.
Arben Çuko: Meqë jam deputet i Lushnjës dhe e përmende Lushnjën unë të ftoj, të bashkë, pasi të mbarojmë komisionin, t’i hipim makinës e të më çosh tek ato arat me kanabis që ke parë atje në Lushnjë e Divjakë. Ta kërkoj zyrtarisht dhe publikisht tani, të shkojmë atje me kamera. Të jap fjalën që së bashku të dy do të shkojmë në Prokurorinë e Rrethit Lushnjë që të denoncuar rastin.
Asllan Dogjani: Ti e di që informatorët unë i kam të saktë. Pyet shefin e policisë.
Arben Çuko: Eja pra, pse nuk vjen të ikim bashkë? Sepse atje jam e sigurt që nuk ka asnjë. Unë e kuptoj që luftën e ministrisë për drogën e përdorini për të mbuluar me shoshë atë që ju ndodhi në Dibër.
Asllan Dogjani: Po, atje ku u blenë votat dhe u bë presion.
Arben Çuko: Më vjen keq që z. Noka nuk është më këtu, dhe t’i thosha që nuk mund të jenë trafikantë 20 mijë votues dibranë që votuan Muharrem Ramën. S’mund të jenë as të blerë kaq shumë. Nuk mundeni dot të mbuloni dot humbjen e rëndë e të thellë që pësuar atje me këtë shoshën këtu. Kaq!
d.b/shqiptarja.com