Dëbora, Xhaçka apel qytetarëve: Evitoni daljet e panevojshme gjatë 48 orëve, ja zonat e bllokuara (SITUATA)

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të evitojnë daljet e panevojshme nga shtëpitë gjatë këtyre 48 orëve nisur nga situata me motin e keq pas dëborës që ka përfshirë të gjithë vendin. 'Siguria e qytetarëve është misioni ynë, ndaj evitoni daljet e panevojshme nga banesat gjatë këtyre 48 orëve'. Ministrja theksoi se situata pritet që të jetë e njëjtë edhe për orët e ardhshme. 'Akset rrugore kombëtare janë të gjitha të qarkullueshme, me përjashtim të aksit rrugor Tepelenë–Gjirokastër, i cili është përkohësisht i bllokuar në vendin e quajtur Uji i Ftohtë, si dhe një pjese në aksin Gjirokastër-Kakavijë. Sa i takon akseve rurale, të bllokuara janë akset në zonat e thella malore, kryesisht në qarqet Shkodër, Kukës, Korçë, Gjirokastër, Dibër dhe Elbasan' tha ajo. Ministrja kishte një paralajmërim për të gjitha firmat kontraktore, në të gjitha bashkitë, që të respektojnë kontratat për mirëmbajtje e zhbllokimin e akseve rrugore në rast të bllokimit të tyre, pasi në të kundërt do të penalizohen sipas ligjit. 

Deklarata e plotë e ministres së Mbrojtjes
Që prej mesditës së djeshme, territori i vendit është përfshirë nga reshje të dendura dëbore, duke vështirësuar qarkullimin dhe duke krijuar kufizime për komunitetin në disa prej qarqeve në vendin tonë. Situata pritet të jetë e njëjtë edhe për 24 orët e ardhshme. 
Aktualisht, sipas informacioneve që përditësohen minutë pas minute, qarqet më të prekura, janë: Shkodra, Kukësi, Korça, Gjirokastra, Dibra dhe Elbasani. Akset rrugore kombëtare janë të gjitha të qarkullueshme, me përjashtim të aksit rrugor Tepelenë–Gjirokastër, i cili është përkohësisht i bllokuar në vendin e quajtur Uji i Ftohtë, si dhe njw pjese në aksin Gjirokastër-Kakavijë. Sa i takon akseve rurale, të bllokuara janë akset në zonat e thella malore, kryesisht në qarqet Shkodër, Kukës, Korçë, Gjirokastër, Dibër dhe Elbasan.

Ministria e Mbrojtjes, përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile si dhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura janë në kontakt të vazhdueshëm, me 5 ministritë e linjës si edhe me Autoritetin Rrugor Shqiptar; Policinë e Shtetit; me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrikë, Koorporatën Elektroenergjitike Shqiptare, Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes; Institutin e Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, me 12 prefektët si dhe me njësitë vetëqeverisjes vendore.  Aktualisht, në të gjitha qarqet e prekura nga dëbora, janë aktivizuar mbi njëqind mjete, qw po punojnw pwr hapjen e akseve me probleme.Mbi dy mijë efektivë të Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit, punonjës të OSSHE dhe të shëndetësisë janë në gatishmëri të plotë për t’iu gjendur pranë banorëve, për çdo problem të vërejtur. 

Helikopterët e Forcës Ajrore dhe ekuipazhet e tyre janë të gatshëm të ndërhyjnë nga ajri për t’iu përgjigjur të gjitha problemeve shëndetësore apo kërkesave për bazë ushqimorë, në ato fshatra, që bllokohen nga moti i keq.  Që të minimizojmë pasojat e motit të keq, i bëj thirrje firmave kontraktore, në të gjitha bashkitë, që të respektojnë kontratat për mirëmbajtje e zhbllokimin e akseve rrugore në rast të bllokimit të tyre. Sa më korrektë të tregoheni në punën tuaj, aq më pak problem do kenë në përditshmërinë e tyre qytetarët e Shqipërisë.  U bëj me dije të gjitha atyre kompanive, që nuk respektojnë kontratat për mirëmbajtjen e rrugëve se për çdo rast po monitorohen e do tw penalizohen sipas ligjit. 

Shtimi i masave të kontrollit nga Policia e Shtetit dhe disiplinimi i qarkullimit rrugor, sidomos në zonat me rrezik të shtuar, duhet të shoqërohet edhe me kufizimin dhe mbajtjen nën kontroll të qarkullimit të automjeteve me tonazh të lartë. Respektimi i sinjalistikës së nevojshme është shumë i rëndësishëm, për parandalimin e bllokimeve dhe aksidenteve të mundshme, në situata të pritshme dimërore.
Të dashur qytetarë të zonave të prekura nga reshjet e dëborës, Siguria juaj është misioni ynë parësor. Ndaj do të kërkonim të evitonit daljet e panevojshme nga shtëpitë.  Për të gjithë ju, që keni nevojë për asistencë, duhet t’i drejtoheni ambienteve të përshtatshme të ngritura nga pushtetit vendor në raste emergjencash, të telefononi në numrat e emergjencave 126, 127, 128 dhe 129 ose tu drejtoheni shtabeve të emergjencave në qytetet tuaja. 

Është detyrë kryesore e pushtetit vendor, dhe e përsëris këtë apel, ashtu sikundër kemi bërë në të gjitha komunikimet e vazhdueshme, që të marrë masa për parandalimin dhe përballimin e situatave të shkaktuara nga moti i keq, përfshirë edhe ngritjen e qendrave të posaçme për t’i ardhur në ndihmë banorëve në vështirësi.  Në ditë të tilla është shumë e rëndësishme që, edhe ju drejtues të automjeteve, të përdorni zinxhirë dhe të respektoni rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe të zbatoni udhëzimet për qarkullimin rrugor. Kujdesi dhe bashkëpunimi nga ana juaj dhe përgjegjshmëria e lartë nga ana e të gjitha strukturave që ligji i ngarkon, për përballimin e situatave të shkaktuara nga moti i keq, do të na ndihmojnë që bashkarisht të përballojmë këto ditë të ftohta.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Ylli Pata: Legjendat elektoralo-amerikane të Sali Berishës

Ylli Pata: Legjendat elektoralo-amerikane të Sali Berishës