2026 i ka sjellë menjëherë reshjet e para të dëborës. Zonat malore të vendit, në veçanti veriu dhe verilindja e vendit u mbuluan nga bora, pas uljes së temperaturave ditët e fundit. 

Në disa zona të qarkut të Shkodrës u konstatuan probleme gjatë orëve të mbrëmjes. Prefektura raportoi se disa familje, përfshirë edhe fëmijë kishin mbetur të bllokuar në akse të ndryshme rrugore nga zona e Bunit të Bajraktarit deri në zbritje në drejtim të qytetit të Koplikut. Rënia e breshërit e alternuar me dëborë si dhe ngricat vështirësuan qarkullimin e gati 200 automjeteve që tentonin të lëviznin në drejtim të Kolpikut.

Ulja nën zero e temperaturave krijoi probleme serioze edhe në disa rrugë në orët e para të paradites. Rruga e Kombit ishte më problematikja. Për shkak të prezencës së akullit, përgjatë segmentit Milot-Kalimash u regjistruan tre aksidente rrugore, ku janë përfshirë rreth 15 automjete dhe 6 persona mbetën të lënduar.

Juglindja e vendit, Pogradeci dhe Korça gjithashtu u mbuluan nga dëbora. Reshjet në zonën e Qafë Thanës vështirësuan qarkullimin, ndërsa u krijuan radhë kilometrike, edhe për shkak të pushuesve të shumtë.

Edhe në aksin Prrenjas-Elbasan prej disa orësh qindra automjete kanë mbetur të bllokuar në trafik. Një nga shkaqet kryesore është fluksi i qytetarëve që lëvizin gjatë këtyre ditëve të para të vitit të ri dhe nga ana tjetër janë ngricat e shkaktuara si pasojë e rënies së temperaturave.

Edhe në aksin Milot-Lezhë qarkullimi ishte i rënduar, veçanërisht në hyrje të qytetit të Lezhës dhe në degëzimin e Fushë-Milotit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:14
Reshjet e borës në qarkun e Shkodrës, raportohet për disa familje të bllokuara në disa akse rrugore! Mes tyre edhe fëmijë

 

Moti i keq dhe reshjet e dëborës kanë përfshirë vendin në ditën e sotme. Sipas prefektit të qarkut Shkodër disa familje, përfshirë edhe fëmijë, ndodhen të bllokuara në akse të ndryshme rrugore, nga zona e Bunit të Bajraktarit deri në zbritje në drejtim të qytetit të Koplikut.

Bëhet me dije se në këtë aks rrugor po bien reshje breshëri dhe dëborr dhe ka filluar formimi i ngricave, duke e vështirësuar ndjeshëm qarkullimin rrugor. Sipas informacioneve, mbi 200 mjete tentojnë të lëvizin në drejtim të Koplikut.

Njoftimi i plotë

Prefekti i Qarkut Shkodër informon se gjatë orëve të fundit janë marrë një numër i konsiderueshëm telefonatash nga qytetarë në sallën operative të Komisariatit të Policisë Shkodër, ku raportohet se disa familje, përfshirë edhe fëmijë, ndodhen të bllokuara në segmente të ndryshme rrugore.

Bllokimet janë evidentuar në akse të ndryshme rrugore, nga zona e Bunit të Bajraktarit deri në zbritje në drejtim të qytetit të Koplikut. Aktualisht, në këtë aks rrugor po bien reshje breshëri të alternuara me dëborë dhe ka filluar formimi i ngricave, duke e vështirësuar ndjeshëm qarkullimin rrugor.

Sipas raportimeve, mbi 200 mjete po tentojnë të lëvizin në drejtim të qytetit të Koplikut.

Nga informacionet e fundit të administruara nga strukturat operacionale në terren informohemi se aksi

rrugor Qafë Thore–Bogë është zhbllokuar dhe qarkullimi po vijon normalisht.

Aksi rrugor Selcë–Qafë Berdelëcit paraqet probleme për shkak të ngricave të shumta, disa automjete janë kthyer në fshatin Tamare.

Në terren ndodhen shërbimet e Policisë Rrugore dhe mjetet borëpastruese, të cilat janë në koordinim të vazhdueshëm për menaxhimin e situatës dhe garantimin e sigurisë së qarkullimit rrugor.

Prefekti i Qarkut është në ndjekje të vazhdueshme të situatës dhe ka kërkuar koordinim të menjëhershëm mes strukturave përgjegjëse për normalizimin e qarkullimit dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve.

Në këtë kuadër, apelohet për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të shmangin lëvizjet e panevojshme në akset problematike dhe të ndjekin udhëzimet e Policisë. Në rast nevoje ose problematikash, qytetarët ftohen të komunikojnë menjëherë me Policinë e Shtetit ose shërbimet e emergjencave.

Ora 19:37
Aksi rrugor Prrenjas-Elbasan i ‘paralizuar’ nga trafiku! Prej disa orësh automjetet në radhë kilometrike, qytetarët të ‘bllokuar’ në temperatura minus (VIDEO)

Situata në aksin kombëtar Prrenjas-Elbasan paraqitet alarmante, me qarkullimin e mjeteve tërësisht të bllokuar për dhjetëra kilometra. Prej orësh, automjetet nuk po lëvizin, ndërsa mijëra qytetarë kanë mbetur të izoluar në kushte të vështira dhe temperatura nën zero.

Sipas informacioneve nga terreni, bllokimi shtrihet nga ura e Bushtricës deri në zonën e Labinotit, duke krijuar radhë të gjata dhe kaos të plotë në këtë segment të rëndësishëm rrugor. Drejtuesit e mjeteve dhe pasagjerët po përballen me vështirësi të mëdha, ndërsa mungesa e lëvizjes po e përkeqëson edhe më tej situatën.

Qarkullimi vijon të jetë i paralizuar, pa shenja përmirësimi, ndërsa qytetarët shprehen të shqetësuar për sigurinë dhe kushtet e qëndrimit në automjete për një kohë të gjatë. Paraprakisht një nga shkaqet janë fluksi i lëvizjeve në këtë fillim viti dhe ngricat e si pasojë rënies së ndjeshme të temperaturave.

Ora 18:00
Moti i keq ‘paralizon’ Shqipërinë, IGJEO, Instituti i Gjeoshkencave paralajmëron: Në zonat malore të qarkut të Vlorës priten reshje dëbore

Prej ditës së sotme vendi ynë është i përfshirë nga reshjet e shiut, të cilat priten të vijojnë edhe në ditët në vazhdim. Sipas Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO) pranë Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile bëhet me dije se përveç shiut në zonat malore do të përfshihen edhe nga reshjet e dëborës.

Kështu në zonat malore të qarkut të Vlorës, në lartësitë mbi 600 metra mbi nivelin e detit, parashikohen edhe reshje dëbore.

Njoftimi i plotë:

Sipas parashikimit 5-ditor të motit të ardhur nga Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO) pranë Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, në periudhën 2 – 5 Janar 2026 parashikohen reshje shiu në të gjithë territorin e vendit, ndërsa më datë 05 Janar 2026 reshje të dendura pritet të përfshijnë edhe Qarkun e Vlorës.

Në zonat malore të qarkut, në lartësitë mbi 600 metra mbi nivelin e detit, parashikohen edhe reshje dëbore.

Si pasojë e intensitetit të lartë të reshjeve dhe rritjes së prurjeve në lumenj, ekziston rreziku për:

vërshime uji në zona urbane dhe rurale,

probleme në sistemet e kanalizimeve,

përmbytje të përkohshme në zona me risk.

Për parandalimin dhe minimizimin e pasojave, strukturat përgjegjëse të mbrojtjes civile në Qarkun Vlorë kanë nisur marrjen e masave paraprake për:

Njoftimin e bizneseve që ndodhen në zona me risk për përmbytje;

Njoftimin e blegtorëve pranë lumenjve dhe zonave të ulëta për zhvendosjen e bagëtive në zona të sigurta;

Informimin përmes mediave lokale për të shmangur qëndrimin në zona të rrezikuara dhe për të siguruar ushqimet dhe bagëtitë në lartësi të sigurta;

Kontrollin dhe zhbllokimin e kanaleve kulluese, pusetave dhe nënkalimeve në zonat urbane;

Mbajtjen në gatishmëri të hidrovorëve dhe funksionimin e pandërprerë të sistemeve të ujësjellës-kanalizimeve;

Sigurimin e furnizimit me energji elektrike në zonat me risk.

Autoritetet vendore u bëjnë thirrje qytetarëve të Qarkut Vlorë të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të bashkëpunojnë me strukturat përkatëse për garantimin e sigurisë së jetës dhe pronës.

Ora 14:35
Mot i keq në Kukës/ Reshje shiu me intensitet të lartë e dëbore, disa zona pa energji elektrike

1767361086_aa.JPG

I gjithë territori i Qarkut Kukës është përfshirë nga reshje shiu me intensitet të lartë në zonat e ulëta, ndërsa në zonat malore 1000 metra mbi nivelin e detit janë shënuar reshje bore.

Rënia e borës ka sjellë edhe ulje të ndjeshme të temperaturave, veçanërisht në zonat e larta malore..Autoritetet raportojnë se situata paraqitet nën kontroll dhe po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.

Nga bashkitë Kukës, Has dhe Tropojë nuk ka raportime për problematika apo situata emergjente.

Sa i përket furnizimit me energji elektrike, i gjithë Qarku Kukës furnizohet normalisht, me përjashtim të Njësive Administrative Margegaj dhe Lekbibaj, si dhe fshatit Berishë në Njësinë Administrative Bytyç, Bashkia Tropojë.

Drejtuesit e mjeteve këshillohen të lëvizin me kujdes të shtuar, veçanërisht gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit, për shkak të temperaturave të ulëta që po mbizotërojnë në verilindje të vendit ku ne zonat e uleta priten reshje bore.

Ora 13:51
Moti i keq/ Shoqata e Siguruesve: Përgjegjësia për sigurinë rrugore s'është vetëm e drejtuesve, kriposja duhet të jetë standard minimal

1767358564_a.JPG

Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë shpreh shqetësim për situatën në disa akse rrugore të Veriut dhe Verilindjes, ku moti i keq, bora dhe ngricat kanë shkaktuar vështirësi në qarkullim dhe rritje të aksidenteve rrugore.

Sipas shoqatës, përgjegjësia nuk mund të mbetet vetëm mbi drejtuesit e automjeteve, pasi mirëmbajtja rrugore ka detyrime të qarta kontraktuale dhe ligjore për pastrimin, kriposjen, sinjalistikën dhe menaxhimin e rrezikut.

Shoqata thekson se në disa segmente rrugore ndërhyrjet e kontraktorëve kanë qenë të vonuara ose të pamjaftueshme, duke rritur rrezikun për qytetarët dhe mjetet.

Shoqata e Siguruesve shprehet e gatshme për bashkëpunim institucional për të ndërtuar praktika të qarta për menaxhimin e riskut rrugor gjatë motit të keq, në interes të sigurisë së qytetarëve dhe stabilitetit të sistemit të sigurimeve.

Njoftimi i Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë:

Për situatën në akset rrugore të Veriut dhe Verilindjes, si pasojë e motit të keq

Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë shpreh shqetësimin për situatën e krijuar në disa akse rrugore të Veriut dhe Verilindjes, ku moti i keq, bora dhe ngricat kanë shkaktuar vështirësi serioze në qarkullim dhe rritje të ndjeshme të aksidenteve dhe dëmeve materiale.

Në këto kushte, është e papranueshme që përgjegjësia të lihet vetëm mbi drejtuesit e automjeteve, ndërkohë që mirëmbajtja rrugore ka detyrime të qarta kontraktuale dhe ligjore për pastrimin, kriposjen, sinjalistikën, menaxhimin e rrezikut dhe njoftimin në kohë.

Shoqata vëren me shqetësim se në disa segmente rrugore ndërhyrjet e kontraktorëve të mirëmbajtjes kanë qenë të vonuara, të pamjaftueshme ose aspak të dukshme, duke rritur rrezikun për qytetarët, për mjetet dhe për sigurinë publike.

Siç ndodh në vendet e Rajonit, kriposja dhe trajtimi parandalues i akseve kritike duhet të jetë standard minimal (si në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut), sidomos në periudhat e paralajmëruara me ngrica dhe reshje.

Shoqata thekson se dëmet që sot mbulohen nga sigurimet nuk janë vetëm “pasojë e motit”, por edhe rezultat i mungesës së masave të detyrueshme të mirëmbajtjes, në këto raste duhet të funksionojë mekanizmi i përgjegjësisë rrugore, për të mos ia lënë gjithë koston qytetarëve dhe siguruesve. 
Kërkohet transparencë dhe përgjegjësi për zbatimin e kontratave të mirëmbajtjes dhe monitorimin e tyre.

Siguria rrugore nuk mund të jetë “përgjegjësi individuale” vetëm e drejtuesve të automjeteve. Ajo është përgjegjësi e përbashkët dhe fillon me rrugë të mirëmbajtura, të kriposura dhe të menaxhuara sipas standardeve.

Shoqata shpreh gatishmërinë për bashkëpunim institucional për të ndërtuar praktika të qarta dhe të zbatueshme për menaxhimin e riskut në rrugë gjatë motit të keq, në interes të sigurisë së qytetarëve dhe stabilitetit të sistemit të sigurimeve.

Ora 13:36
Fluks i lartë mjetesh në aksin Milot-Lezhë, trafik i rënduar edhe në hyrje të qytetit të Lezhës

 

Aksi Milot-Lezhë po përballet me fluks të lartë automjetesh në ditën e dytë të Vitit të Ri, duke shkaktuar trafik të rënduar. Më problematike paraqitet situata në degëzimin e Fushë-Milotit si edhe në hyrje të qytetit të Lezhës, ku qarkullimi i mjeteve është i ngadalësuar dhe në disa momente ka pasur ndalesa të gjata.

Në rëndimin e trafikut ka ndikuar ndjeshëm edhe moti i paqëndrueshëm me reshje shiu, i cili ka përfshirë zonën e Lezhës gjatë gjithë ditës së sotme, duke vështirësuar kushtet e lëvizjes dhe duke rritur rrezikun për aksidente rrugore.

Fluksi i automjeteve lidhet kryesisht me kthimin e qytetarëve pas festave të fundvitit, si dhe me lëvizjet drejt zonave malore dhe Malit te Zi.

Për menaxhimin e situatës, Policia Rrugore ka shtuar praninë në terren, duke u vendosur në disa pika përgjatë superstradës Milot–Lezhë.

Efektivët po punojnë për orientimin e qarkullimit, disiplinimin e trafikut dhe lehtësimin sadopak të lëvizjes së mjeteve, ndërkohë që u bëjnë apel drejtuesve të automjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të ulin shpejtësinë dhe të tregojnë kujdes të shtuar për shkak të kushteve atmosferike

Ora 13:26
Kukës/ Festat e turizmi malor, fluks në kufirin Shqipëri-Kosovë! Dogana në Vërmicë po punon me kapacitet të plotë

 

Një fluks i lartë mjetesh, kryesisht me targa të Shqipërisë, është regjistruar në pikën e kalimit kufitar të Vërmicës, në kufirin Shqipëri–Kosovë. Ky fluks ka shkaktuar radhë të gjata automjetesh, të cilat shtrihen deri në fshatin Morinë.

Qytetarë të shumtë nga Shqipëria po shfrytëzojnë pushimet e festave të Vitit të Ri për të udhëtuar drejt Kosovës, kryesisht për të pushuar në zonat turistike malore si Prevalla dhe Brezovica, të cilat aktualisht janë të mbuluara nga bora dhe ofrojnë kushte të favorshme për turizmin dimëror.

Autoritetet kosovare të Doganës në Vërmicë po punojnë me të gjitha sportelet e hapura, megjithatë fluksi i lartë i mjeteve mbetet i vështirë për t’u përballuar.

Në radhë ka edhe automjete me targa të huaja, të cilat, ndryshe nga mjetet me targa të Shqipërisë dhe Kosovës, i nënshtrohen kontrolleve më të detajuara, çka ndikon në zgjatjen e pritjes në kufi.

Ora 12:23
FOTOLAJM/ Pas shiut në Kukës, ylberi zbukuron Rrugën e Kombit

1767353092_aa.JPG

Reshjet e shiut të rëna pasditen e sotme në Kukës kanë sjellë një pamje të veçantë në aksin Kalimash–Kukës, të Rrugës së Kombit ku pas ndërprerjes së reshjeve është shfaqur një ylber i dukshëm, duke krijuar kontrast mes reve të errëta dhe dritës së diellit.

Pamja në këtë segment rrugor, e ka kthyer për disa minuta rrugën malore në një tablo natyrore mbresëlënëse. Reshjet nuk kanë shkaktuar probleme serioze në qarkullim, ndërsa autoritetet këshillojnë kujdes për shkak të lagështisë në rrugë.

Ora 12:20
Korçë/ Reshje dëbore në Qafë Thanë, Policia Rrugore u bën apel drejtuesve të mjeteve për kujdes

 

Reshjet e dëborës kanë nisur edhe në zonën e Qafë Thanës, në Pogradec.

Aktualisht, reshjet janë të pranishme vetëm në majën e qafës, me intensitet të ulët deri në mesatar, ndërsa temperaturat shënojnë vlera negative.

Sipas informacioneve, kontraktorët pritet të kryejnë kriposjen e rrugës për të shmangur ngricat dhe rrëshqitjet e automjeteve.

Deri në këto momente nuk raportohen bllokime apo vështirësi në qarkullim, ndërsa Policia Rrugore u bën apel drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes.

Aktualisht ka një trafik të shtuar të automjeteve që qarkullojnë drejt juglindjes.

Ora 12:15
Moti i keq në Fier/ Ngricat shkatërrojnë kulturat e serave të fermerëve të të Roskovecit dhe Frakullës

 

Temperaturat ekstreme, nën zero, kanë tharë kulturat perimore, kastravec, domate, e luleshtrydhe në serat e fermerëve të Roskovecit e Frakullës.

Pas problemeve të vazhdueshme me çmimet e ulëta, përmbytjeve dhe paragjykimit ndaj produktit vendas, në këtë fillimvit, fermerët po përballen edhe me një “problem sezonal”, ngricën, duke shuar në pak orë investimin e mundin e një viti të tërë.

Ora 12:05
Reshje dëbore dhe akull në aksin Librazhd-Qafë, trafik i rënduar! Policia apelon për vendosjen e zinxhirëve

 

Reshjet e dëborës kanë përfshirë edhe aksin Librazhd- Qafë. Policia apelon që drejtuesit e mjeteve të jenë të pajisur me zinxhirë, ndërsa është krijuar edhe trafik i rënduar.

Aktualisht, në Dragostunjë ka prezencë të akullit dhe policia rrugore ndodhet në terren për të menaxhuar situatën dhe për t'i ardhur në ndihmë mjeteve që bllokohen.

Ora 11:40
Reshjet e dëborës në Shkodër, vijon normalisht qakullimi i mjeteve, s'ka akse rrugore të bllokuara

 

Reshjet e dëborës kanë përfshirë këtë mëngjes qytetin e Shkodrës dhe zonat përreth, por autoritetet bëjnë me dije se nuk ka akse rrugore të bllokuara dhe qarkullimi zhvillohet normalisht.

Ora 11:36
Mot i keq në Kukës/ Fluks mjetesh në Kalimash, reshjet e dendura të shiut vështirësojnë qarkullimin

 

Fluks i lartë mjetesh është regjistruar aktualisht në të dyja anët e pikës së pagesës në Kalimash. Qarkullimi më i rënduar paraqitet në korsinë e aksit Tiranë–Kukës–Morinë–Kosovë, ku lëvizja e mjeteve është dukshëm më e madhe.

Ky fluks vjen si pasojë e lirimit të rrugës për qarkullim, pas disa aksidenteve të ndodhura më herët në zonën e Rrëshenit, në Rrugën e Kombit, ku për një periudhë pati edhe bllokim të plotë të trafikut.

Ndërkohë, Rruga e Kombit, në të dyja drejtimet e lëvizjes Kukës – Tuneli i Kalimashit, po përballet me reshje të dendura shiu të shoqëruara me erë të fortë, çka e bën qarkullimin më të vështirë.

Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe të përshtatin shpejtësinë, për shkak të lagështisë dhe kushteve të pafavorshme të motit

S.B/Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Bravo: 02/01/2026 23:37

    Do jenë ato te Saliut qe hedhin borë, ca plehrash.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 20 Janar, 20:34

    15 vite nga ‘21 janari’, kush mendoni se urdhëroi për të qëlluar qytetarët?