Dedë Gajtani, mjeshtri shpirtpoet i përkthimit…

Dedë Gajtani, mjeshtri shpirtpoet i përkthimit…

Dedë Gajtani (Kola)

E kam takuar shpesh rrugëve të qytetit tim. Vonë ia mësova emrin. Shumë vonë! Për këtë arsye shumë kohë mbeti “I panjohur”. “I panjohur” mbeti, sepse nuk e përshëndeta dhe nuk e takova asnjëherë. E kam peng. Po kështu ndodhi, për të mos e njohur, edhe pse “jetuam në një qytet”.

Pothuajse shëtiste vetëm. Me një vështrim paksa të çuditshëm. Ai vështrim, në at’fytyrë paksa të brengosur, i ngjante një hëne që nuk donte të perëndonte në qiellin e qytetit të tij, ku banonte. Sikur donte ta jetonte vetëm at’ shkëlqim vetmitar. Sikur e kërkonte dhe e donte vetminë, perandorinë e saj. Nuk e di se çfarë kërkonte nga ajo? Mbase gjurmën e tij të vlefshme në at’ vetmi? Ai diç i kërkonte viteve me pasurinë e tij diturore si përkthyes.

Po e përsëris: Pothuajse shëtiste vetëm. Shpesh i përhumbur. Ishte një përhumbje larg zhurmave, kotësive, proviancialitetit, zhargoneve, thirrjeve me zë të lartë e thirrjeve histerike, fjalëve bajate e të qeshurave pa shkak. Të gjitha ata nuk i pranonte vetmia dhe kultura prej intelektuali të ditur e Dedë Gajtanit.

“Ç’ishte kjo vetmi e këtij njeriu, bashkëqytetari tim “të panjohur”? Ishte një pyetje që ia bëja vetes, po në heshtje, sa herë e “takoja”, dhe përsëri ishim dhe mbetëm “të panjohur”. Si ndodhi, kështu kjo panjohësi?! Nuk di ta shpjegoj… Ama ndodhi…

Shumë vite kaluan dhe ai njeri mbeti enigmë për mua.

Shumë vite kaluan dhe një ditë ndodhi e papritura. Po hyja në librarinë “Ora e Shkodrës”. Më pëlqen, krahas librave që blej, të shkëmbej dhe biseda me librarian (tashmë të njohur), për të marrë informacion të ri për librat që dalin dhe presin të dalin në qarkullim. Teksa po bisedoja… sytë e mi kurreshtarë shëtisnin rafteve ku qëndronin librat radhë-radhë. Papritur, u befasova nga ajo që pashë. Një libër qëndronte disi mënjanë. U afrova. “Edhe këtu… kërkon heshtjen?!” – thashë përsëri me vete. E mora në duar me nxitim, sikur do ta humbja… E vështroja kopertinën, shfletoja faqet… Sikur nuk i zija besë librit që kisha në duar. Ai qëndronte para meje si thesar, tashmë i njohur. U gëzova, sa nuk gëzohet njeri në botë. Autori i këtij libri të çmuar ishte ai, ‘I panjohuri’, ai që e takoja shumë herë dhe nuk arrita ta përshëndesja e ta takoja, së paku një herë. Libri titullohej “Përkthime, poezi dhe poema”. Autori: Dedë Gajtani (Kola). Brenda faqeve ishte dhe ky përkushtim: “… Ne, fëmijët e tu patëm fatin e madh që ishe babai ynë.” – Gjoni, Kristina, Rozina, Antonieta, Zefi, Davida-

Për ta shlyer sadopak pengun, e mbështeta librin pranë zemrës dhe e përqafova. Kështu erdhi rasti, o Dedë Gajtani (Kola) përkthyes e poet, të të përqafoj përmes librin tënd. Nuk e lëshoja at’ përqafim të më ikte aq lehtë! Më duket se e gjeta çelësin e asaj enigma që më mundonte, pse Dedë Gajtani (Kola) shëtiste i heshtur dhe vetmitar. Ai shëtiste dhe komunikonte vetëm në një realitet gjeografik përkthimor. Në librin e tij mund të numëroje më shumë 65 autorë të huaj, ku Deda si poliglot gjuhësh, me kulturën e tij admiruese e gegënishten e tij të dashtun i kishte përkthyer kujdesshëm, me kompetencë. Deda, me mjeshtërinë e përkthimit të tij na bëri të njohur autorë pak të njohur e shumë të njohur botërorë, duke rritur lavdinë e gjuhës shqipe. Ai, teksa ecte rrugëve të qytetit tim, “bisedonte” me këta autorë. Mbase kjo ishte arsyeja që e kishte humbur bisedën me realitetin e tij të përditshëm… Ngjante sikur ishte I huaj, kur në fakt ishte I nderuar.

Për punën dhe vlerat e tij, më mirë se helenisti Gjon Shllaku nuk mund të fliste kush tjetër. Edhe ky bashkëqytetar i Dedës. Përkthyesi kësaj radhe flet për Përkthyesin… Profesor Shllaku, Profesori i “Iliadës” plot 22 vjet më parë do të shkruante kështu: “… , mësova në mënyrë të posaçme se Dedë Gajtani ishte shumë i avancuar në gjuhën latine dhe ishte në gjendje të zotëronte krejt fjalorin latinisht-shqip të Padër Aldigerit, që kishte një fond prej 180000 fjalësh. Me kohë u informova se Deda, nga që kishte një pregatitje të jashtëzakonshme të gjuhës italiane, gjithashtu kuptohet edhe për gjuhën shqipe, kishte bërë përkthime të shumta nga letërsia latine: si nga Tibuli, disa prej elegjive të këndshme e të dhimbshme; nga Properci, lirika të shquara për pasuri, stil dhe ide të larmishme; ndonjë nga poemat elegante të Katulit dhe të tjera nga latinishtja. Nga letërsia italiane kishte përkthyer lirika të Aleksandër Manzonit, si: “Pesë maji” etj. Kishte përkthyer “Kisha e Polentos” dhe “Valët e Klitumnit” të Karduçit, etj., etj.

… Pas disa vitesh që kishte dalë në pension, më erdhi në shtëpinë time në Qafë-Hardhi. U gëzova pa masë që më erdhi në shtëpi, ai personalitet i ëmbël, modest, i thjeshtë, pensionist, por energjik. Kishte sjellë me vete një paketë të madhe me dorëshkrimet e veta. Mbaj mend që lexuem me kënaqësi të madhe përrallat e Fedrit me një gegnishte të pastër, të rrjedhshme, me fjalë të zgjedhuna e shprehje të larmishme origjinale shqipe, thuajse pol exon Fedrin në origjinal (shqip), por me të ardhë gjynah që ai përkthim, dhe shumë lirika, balada, poema të huaja: gjermane, italiane, latine; të përkthyera me aq elegancë dhe harmoni në gjuhën shqipe nga mendja e dora e mjeshtri poet Dedë Gajtani, nuk kishin parë dritën e botimit.”

2. Dedë Gajtani lindi në Gajtan, Shkodër, më 07.06.1915. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Kolegjin Saverian (Jezuitëve) në Shkodër. Ndërsa studimet e larta i vazhdoi në Kolegjin “Propoganda Fide”, në Romë, Itali, të cilat i mbaroi në vitin 1941. Që në shkollë të mesme e më vonë kur ishte student filloi të shkruante poezi. Ishte i apasionuar pas letërsisë botërore dhe gjuhëve të huaja. Nga viti 1941-1945 punoi në Institutin e Studimeve (Bibliotekën “Dante Alighieri”) në Tiranë. Në vitin 1945 emërohet arsimtar në Fier. Këtu fillon edhe kalvari i vuajtjeve të tij. Në një ditë të vitit 1946, kur ishte duke shëtitur në Manastirin e Ardenicës, kur e arrestojnë. E mbajnë disa muaj në hetuesi, në burgun e Beratit, ku e akuzojnë si agjent të Vatikanit, të Amerikës, etj. … Pasi del nga burgu në vitin 1947, atë dhe familjen e tij e dëbojnë nga Tirana për motive politike. E emërojnë arsimtar në Maqellarë të Peshkopisë. Më pas në Krujë. Pas një viti e pushojnë nga puna. Në vitin 1954-1958 emërohet përsëri mësues fillore në fshatin Orosh të Mirditës, më pas në malësitë e Dukagjinit, e më pas në fshatrat e Malësisë së Madhe. Në vitin 1965 e pushojnë përsëri nga puna. Punoi punëtor ndërtimi për 5 vjet, deri sa doli në pension. Ishte i apasionuar pas natyrës, pikturës, notit dhe shahut. Ndërroi jetë, më 07.12.1993, në moshën 78-vjeçare në Shkodër. Po të shikohen “udhëtimet” e jetës së Dedës e po të shënohen në kalendar, ai kalendar është gjithë vuajtje. Është ferr, është dhimbje!

3. Libri “Përkthime, poezi dhe poema” më shumë se gjithçka, nga koncepti dhe struktura, i ngjan një antologjie të pasur poetike. Ndërsa vetë autori i ngjan një “Lundërtari” që shtegtoi qytet më qytet, shtet më shtet, kontinent më kontinent, duke kapërcyer dete dhe oqeane; vetëm me një qëllim të vetëm e fisnik: të sjellë në gjuhën shqipe sa më shumë emra poetësh të huaj, sa më shumë botë përkthimore. Nuk u lodh së punuari! Ndaj kjo gjeografi poetike “e vizatuar” në këtë libër, ka vetëm dimensione kulturore. Të bie menjëherë në sy edhe kultura shumëgjuhësore e autorit. Me emrin e Dedë Gajtanit lidhen poezitë e përkthyera nga: A. Rossini, A. Manzoni, A. Aleardi, G. D’Annunzio, H. Heine, V. Hygo, L. Ariosto, G. Barsottini, Brunamonti, Carrer, G. Capparozzo, D. Guerrazzi, G. Chiarini, A. G. Cesareo, T. Colonna, Chateubriand, L. Pignoti, G. Mazzoni, G. Carducci, Delille, V. Da Filicaja, G. Deabato, Paul Deroulede, U. Foscolo, A. Fusinatto, Longfellou, A. Fogazzara, T. Grossi, J. V. Goethe, A. Graf, G. Giusti, I. Kasandrie, Ada Negri, G. Prati, G. Leopardi, R. Fucini, V. Maro, G. Marradi, A. De Musset, B. Menzini, Mayo, A. Novaro, E. Nencioni, G. Pascoli, P. Parzanese, B. Prina, E. Praga, E. Panzacchi, G. Pastocchi, A. Poliziano, Ruskin, Rinaldi, G. Catullus, F. Schiller, Shelli, B. Sestini, T. Tasso, J. Da Todi, E. Von Bauerfeld, N. Tommaseo, Felic Uda, G. Zanella, A. Zardo, Hebel, C. Bertola; si dhe përshtatje poezish sipas L. Orsinit, A. Manzonit, G. Berchetit.

Çdo autor i përkthyer mbart shkollën dhe filozofinë e tij, konceptin estetik të poezisë, strukturën, figuracionin dhe shprehësitë poetike, etj. Me të gjitha këto “u përball” suksesshëm përkthyesi Dedë Gajtani. Vetë përkthyesi kishte parapëlqimet e veta në përkthime, parapëlqime që lidhen me natyrën e tij delikate, drithëruese e poetike. Përkthimet e tij “ndalojnë” në disa tematika si: motive të festave fetare, motive biblike, pastaj vazhdojnë: dashuria për dritën, zemrën, shpresën… etj.; pastaj vazhdojnë: balada, lirika dashurie, fabula e poezi kujtimore… etj.; pastaj vazhdojnë: stinët e pranverës dhe të vjeshtës… etj.; pastaj vazhdojnë konceptet filozofike e sublime, si: qiellorja, hyjnorja, përmallimi, bekimi… etj. E gjitha kjo rrokje e gjerë motivesh, flet edhe për një veçori tjetër të përkthyesit, Deda ishte njohës shumë i mirë i prozodisë dhe i ndërtimeve të larmishme të vargjeve, të theksave e të rrokjeve, etj., të cilat i dashunoi me gegënishten e tij të zemrës dhe rrezatuan si përkthime mrekullisht.

4. Dedë Gajtani shumë nga përkthimet e poezive të autorëve që përmendëm më sipër, si dhe të poezive autoriale, i botoi edhe në këto revista: “Kumbona e së Dieles”, “Rrezja jonë”, “Shkëndija” (Tiranë), “Mbas Teje”, “Jehona e së Dieles”; në gazetat: “Balli i Rinisë”, “Zani i Shna Ndout”, Bashkim i Kombit” (Tiranë), “Cirka”, “Familja e Krishterë”. Nga gjurmimet tona, na rezulton se plot përkthime e krijime janë botuar para vitin 1944. Ndërsa të tjera shkojnë edhe pas vitit 1992.

Në pjesën e dytë të librit, Deda kësaj here na shfaqet si krijues, ka përfshirë një cikël poezish, që në formimin e tij kulturor ndjek me besnikëri shumë shkolla poetike të autorëve të përkthyer e pse jo ata kanë dhe ndikimin e tyre, kuptohet, në sensin pozitiv. Gjithashtu në këto poezi reflektojnë dhe gjurmët e jetës së tij plot trazime, vuajtje e pabuzëqeshje. Kështu tek poezia “Malli” që i kushtohet Shkodrës, do të gjesh fllade malli, brengash, kujtimesh, dashurie për qytetin e lindjes. Ndërsa tek poezitë “Kalasë së Rozafatit”, “Andërrime - Vegime”, “Kujtime” etj., në mes andërrimeve vërejmë edhe nota pesimizmi, të kuptueshme këto të një shpirti të lodhur e të raskapitur siç ishte ai i Dedës. Edhe pse në këtë gjendje nuk harron t’u kushtojë poezi Poetit t’ambël Shantojës me titull “Zogu pa çerdhe” e Mësuesit të tij Ndre Mjedës, për të cilin thotë: “Atje në Mjedë vajtojnë bilbilat, / Përmbi gemba të njomë të fojletës. / E e përsërisin lehtë currilat / Si tue kja andrrën e jetës.”

Në vazhdim të ciklit, po përmend një poezi e cila është shkruar italisht dhe ia kushton të shoqes Marijes, të cilën e quan Ave Maria. (Deda është në Romë. Është viti 1938.) Kurse tek poezia në formë ninulle që ia kushton “Vajzës sime”, spektri i gjerë i dashurisë atnore zë vend hijshëm në çdo fjalë e rrezaton në çdo figurë që përzgjedh me kujdes prindi. (Peshkopi, viti 1949). Në fund po lë ca rreshta për poezinë “Nanë, lamtumirë!” Meditimi përmes vargut refren: “Nanë, lamtumirë!” sikur shkrin përmallimet dhe dramën e poetit. Çdo fjalë është dhimbje. Vetë dhimbja është komunikim mes poetit dhe nënës së tij të shtrenjtë. Poezinë e mbyll kështu: “Më shterngo për zemër, të mbramen herë më puth në ballë, / Pse ndoshta bashkë nuk shifna ma për të gjallë, / Por gjithmonë në zemër ka me të pasë yt bir, / Nanë, lamtumirë!”

Shkodër, gusht 2019

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë