Brenda këtij viti administrata tatimore dhe ajo doganore duhet të fshijnë nga bilancet e tyre, çdo borxh që kanë bizneset, të cilat janë krijuar përpara 31 dhjetorit të vitit 2014. Nga kjo nismë e qeverisë që u miratua më 12 dhjetor të vitit që lamë pas preken gati 2.1 miliardë euro detyrime të papaguara në dekada, dhe përfitojnë më shumë se 200 mijë biznese debitorë.

Janë gati 1 miliardë euro detyrime të krijuara nga vitet 90’ deri në fund të 2014-ës që do të fshihen brenda 31 dhjetorit 2026. Këtu përfshihet dhe falja e gjobave dhe kamatëvonesave për detyrimet e papaguara të sigurimeve deri në 2014-ën.

Ndërsa borxhet tatimore dhe doganore 2015-2024 do të lehtësohen vetëm nëse paguhen detyrimet. Nëse 50 përqind e borxhit të krijuar nga janari 2015 deri më 31 dhjetor të vitit 2020, paguhet menjëherë deri në qershor 2026, gjysma tjetër falet, bashkë me gjobat e kamatat. Nëse pagesa bëhet me këste, deri në fund të dhjetorit 2026, do të falet vetëm 25 përqind e detyrimit.

Kategoria tjetër me borxhe nga 1 janari 2020 e deri në fund të dhjetorit 2024, do të përfitojnë falje të gjobave dhe kamatave nëse i paguajnë të gjitha detyrimet tatimore brenda vitit 2026.

Kurse për detyrimet për sigurimet shoqërore, do të falen gjobat e kamatat e 10-vjeçarit të fundit (2015-2024)  nëse bizneset do të paguajnë 100% të kontributit brenda datës 31 dhjetorit 2026.

Ky ligj i cili parashikohet ta ketë jetëgjatësinë vetëm për 2026-ën, parashikon gjithashtu se pasi të pastrohen bilancet dhe bizneset të çlirohen nga këto detyrime, të bëjë publike përfituesit më të mëdhenj të tij.

Brenda datës 31 janar 2027 organet tatimore dhe doganore do të publikojnë në faqen zyrtare të institucionit, listën e plotë të 3000 tatimpaguesve që kanë përfituar nga ky ligj. Në nenin 3 pika ç thuhet se në listë do të përfshihen të gjithë subjektet, të cilave u është fshirë detyrimi jo më i vogël se 5 milionë lekë.

DETYRIMET E PRAPAMBETURA QË DO TË FSHIHEN
Deri 31 dhjetor 2014                      fshihen 
1 janar 2015-31 dhjetor 2019        50-75% me këste
1 janar 2021-31 dhjetor 2024       falen gjobat/kamatat