Mbi 1.100 fluturime janë anuluar në Britaninë e Madhe gjatë 8 shtatorit, pasi një problem informatik paralizoi sistemin e kontrollit të trafikut ajror, duke lënë në tokë të paktën 170 mijë pasagjerë. Sipas të dhënave, numri i anulimeve ishte më i ulët se sa mund të ishte, pasi e marta është dita me më pak lëvizje ajrore gjatë javës.
National Air Traffic Services (NATS), kompania që menaxhon kontrollin e trafikut ajror në Britani, konfirmoi se kishte identifikuar një defekt në sistemin e përpunimit të planeve të fluturimit. Pas një njoftimi fillestar se problemi ishte drejt zgjidhjes, përpjekjet për rikthimin e sistemit nuk rezultuan të suksesshme dhe teknikët u detyruan ta nxirrnin sërish jashtë funksionit për të gjetur shkakun e defektit. Vetëm në mbrëmje NATS njoftoi se problemi ishte zgjidhur, duke paralajmëruar se rikthimi në normalitet do të kërkonte kohë për shkak të fluturimeve të grumbulluara.
Sipas kompanisë së analizës së aviacionit Cirium, deri në orën 21:00 ishin anuluar 1.134 fluturime, mes mbërritjeve dhe nisjeve, ndërsa numri pritej të rritej gjatë natës. Aeroporti më i prekur ishte Heathrow, me 400 anulime, i ndjekur nga Gatwick (238), Stansted (122), Luton (108), Manchester (78), London City (66), Edinburg (65), Glasgow (36) dhe Aberdeen (21). Përveç anulimeve, shumë fluturime të tjera u vonuan, në disa raste edhe për më shumë se gjashtë orë.
Eurocontrol bëri të ditur se defekti në qendrën e kontrollit ajror në Swanwick detyroi hapësirën ajrore të Londrës të funksiononte me kapacitet të reduktuar. Si pasojë, dhjetëra fluturime u devijuan drejt aeroporteve të tjera, ndërsa avionët dhe ekuipazhet përfunduan në destinacione të ndryshme nga ato të planifikuara. Kjo situatë mund të shkaktojë vonesa zinxhir edhe në ditët në vijim në vende të tjera të Europës.
Në shumë aeroporte pasagjerët qëndruan për orë të tëra brenda avionëve. Në një fluturim të Ryanair u desh ndërhyrja e policisë, pasi situata u tensionua nga pakënaqësia e udhëtarëve, të cilët pretendonin se nuk po u shpërndahej ujë.
Ndër kompanitë më të prekura ishte easyJet, që anuloi të paktën 366 fluturime, ndërsa British Airways anuloi 321 fluturime dhe të gjithë programin e fluturimeve të shkurtra të mbrëmjes. Ryanair njoftoi fillimisht se ishin prekur mbi 65 mijë pasagjerë, por sipas FlightAware, deri në fund të mbrëmjes kompania kishte arritur në 202 fluturime të anuluara.
Ngjarja shkaktoi reagime të forta në sektorin e aviacionit. Një drejtues aeroporti e cilësoi të pamjaftueshëm komunikimin e NATS, ndërsa kompania kërkoi falje për problemet e shkaktuara dhe deklaroi se po punon për rikthimin e sigurt të rrjetit ajror.
Edhe Ryanair dhe Wizz Air kritikuan ashpër NATS. Drejtori i operacioneve të Ryanair, Neal McMahon, kërkoi dorëheqjen e drejtorit ekzekutiv të kompanisë, Martin Rolfe, duke e akuzuar për keqmenaxhim të përsëritur. Ndërkohë, ministrja britanike e Transportit, Heidi Alexander, deklaroi se do të kërkojë garanci që nga kjo ngjarje të nxirren mësime dhe që sistemet e aviacionit të jenë më të sigurta në të ardhmen.
Nuk është hera e parë që NATS përballet me probleme të tilla. Në korrik të vitit të kaluar, një defekt në sistemin e radarëve çoi në anulimin e mbi 150 fluturimeve, ndërsa në gusht 2023 një tjetër incident shkaktoi qindra anulime gjatë fundjavës së gjatë të Bank Holiday, duke lënë mijëra pasagjerë të bllokuar dhe duke u kushtuar kompanive ajrore rreth 100 milionë paund në rimbursime, akomodim dhe shpenzime të tjera.
.jpeg)
Defekti teknik që paralizoi për disa orë sistemin e kontrollit të trafikut ajror në Britaninë e Madhe ka prekur edhe fluturimet me Shqipërinë. Nga një vëzhgim në faqen e përditësuar të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, të paktën 7 fluturime në linjat me Londrën dhe Mançesterin janë përballur me anulime ose vonesa të gjata.
Në total, 3 fluturime janë anuluar dhe 4 të tjera janë vonuar, duke prekur udhëtarët në të dyja drejtimet mes Shqipërisë dhe Britanisë. Bazuar në kapacitetin e avionëve që përdoren zakonisht në këto linja, situata mund të ketë prekur rreth 1.500 pasagjerë, nëse fluturimet kanë qenë pranë kapacitetit të plotë.
Nga fluturimet që mbërrinin në Tiranë, u anulua British Airways BA378 nga aeroporti Heathrow, i planifikuar të mbërrinte në orën 23:05, si dhe Ryanair UK RK8292 nga Mançesteri, me mbërritje të planifikuar në orën 21:30. Ndërkohë, fluturimi Wizz Air UK nga Londra Luton drejt Tiranës, që duhej të mbërrinte në 18:35, u shty me mbi 4 orë për pas mesnate.
Probleme pati edhe në nisjet nga Tirana. Fluturimi Wizz Air UK W95005 për Londër Luton, i planifikuar të nisej në orën 19:10, është shtyrë për në 01:00 të mëngjesit. Edhe fluturimi Wizz Air UK W95006, që duhej të nisej në 20:00, është vonuar për në 00:30. Fluturimi Ryanair UK RK8293 për Mançesterin është anuluar, ndërsa fluturimi Wizz Air UK W5460 për Londër Luton, i planifikuar për në orën 00:30, është vonuar për në 01:40.
Problemet u shkaktuan nga një defekt teknik në sistemin e National Air Traffic Services (NATS), që menaxhon kontrollin e trafikut ajror në Britani. Defekti çoi në anulimin e mbi 650 fluturimeve në të gjithë vendin, ndërsa NATS njoftoi më vonë se problemi ishte zgjidhur dhe sistemi kishte nisur të rikthehej gradualisht në funksion. Pasagjerëve u rekomandohet të kontrollojnë statusin e fluturimit me kompanitë ajrore përpara se të nisen drejt aeroportit.












Komente
Komento