1760977267_gjergjinike.jpg

Kryetari i Partisë Demokratike në Vlorë, Hysni Sharra ka reaguar pas përplasjes virtuale mes kandidatit të pavarur për bashkinë e Vlorës në zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit Gjergji Nika dhe kryedemokratit Sali Berisha. Nika është gjithashtu pjesë e bashkisë si këshilltar nga radhët e PD-së, por që në këto zgjedhje nuk e ka mbështetjen e partisë.

PD në këto zgjedhje mbështetjen ia ka dhënë kandidatit të pavarur Dionis Sota, të cilin Nika e ka cilësuar si të ardhur nga strukturat e majta. Hysni Sharra shkruan se mbështetja e PD për Sotën është e plotë dhe alternativa e vetme për në Vlorë më të mirë.

Sharra e ka cilësuar kandidimin e Nikës si opozitar apo demokrat, si një aventurë dhe shërbim ndaj Ramës dhe pushtetit të tij të korruptuar.

“Partia Demokratike e Shqipërisë, Dega e Partisë Demokratike Vlorë dhe aleatët e saj, janë në këtë fushatë të zgjedhjeve të pjesshme vendore përkrah kandidatit të pavarur, zotit Dionis Sota.

Ne jemi në mbështetje të plotë dhe pa asnjë ekuivok të kësaj kandidature dhe besojmë se kandidati, programi, ndershmëria dhe përkushtimi pêr zgjidhjen sa më të shpejtë e të qëndrueshme të problemeve që "rilindja" dhe qeverisja 27-vjeçare e Partisë Socialiste, i kanë shkaktuar Vlorës, do të jenë kryefjala e kësaj fushate.

Nga ana tjetër, çdo spekullim, marrëveshje apo "kandidim" i personave të caktuar në emër gjoja të opozitës, është sharlatanizëm, aventurë dhe, patjetër, shërbim ndaj Ramës dhe pushtetit të tij tê korruptuar e kriminal!”, shkruhet në postimin e degës së PD-së në Vlorë.


Lajmi kryesor:

Zgjedhjet/ Kandidati i djathtë në Vlorë i përgjigjet Berishës: Asnjëherë nuk ke dashur një PD të fortë, por të nënshtruar ndaj teje