Këshilltari Bashkiak i Vlorës Gjergji Nika, i cili ditën e djeshme shpalli kanidaturën si i pavarur për zgjedhjet e 9 nëntorit për Bashkinë e Vlorës, i është përgjigjur ashpër kryedemokrati Sali Berisha, pasi ky i fundit tha nga selia ‘blu’ se ai s’ka asnjë lidhje me PD, pasi është këshilltar i propozuar nga ish-kryetari Lulzim Basha dhe Enkelejd Alibeaj.
Nika në një reagim në rrjetet sociale hedh akuza ndaj Berishës së ky i fundit nuk do një PD të fortë dhe të bashkuar, por një opozitë të nënshtruar.
Nika më tej shkruan se kreu i PD ka vendosur të mbështesë çdo kandidat që nuk kanë lidhje me PD, pasi sipas tij, humbja e PD-së i shërben vetëm një njeriu, Sali Berishës.
Ndërsa thekson se sa kohë që opozita mbahet peng nga Berisha, çdo votë për “Berishën opozitar” është votë për Ramën në pushtet!
"Dhe, meqënëse “lideri historik” më quajti të vënë nga Basha dhe pa lidhje me PD, po i përgjigjem: Unë kam qenë, jam e do të jem demokrat! Ndryshe nga ata që udhëheqja e PD mbështet duke vazhduar marrëveshjen e 11 majit!", thekson Nika në postimin e tij.
Postimi i plotë:
Berisha asnjëherë nuk ka dashur një PD të fortë, të hapur e të bashkuar, por një PD dhe opozitë të nënshtruar
Zgjedhjet e pjesshme vendore po e nxjerrin lakuriq një të vërtetë që demokratët duhet ta pranojnë pa iluzione: Sali Berisha nuk ka dashur kurrë një PD të fortë, të hapur e të bashkuar. Ai ka dashur vetëm një PD të nënshtruar, të varur nga vullneti i tij, një opozitë që nuk ngrihet për të fituar, por për të justifikuar humbjet e tij. Prandaj ai vazhdon të investojë në një opozitë të rreme, të kontrolluar dhe të nënshtruar, me qëllimin e vetëm për të mbajtur peng demokratët, për të ruajtur ndikimin personal dhe për të shërbyer si garanci e stabilitetit politik të Edi Ramës.
Në vend që të mbështesë kandidatë me integritet, me eksperiencë politike, profesionale dhe me peshë morale, Berisha po "përzgjedh" figura qesharake e groteske, shpesh të ardhura nga e majta, pa biografi politike, madje edhe me të kaluar të dyshimtë.
Kjo nuk është rastësi!
Në Vlorë, ku dikur PD kishte një bazë të fortë dhe një potencial real për ringritje, Berisha ka vendosur të “mbështesë” individ që as vetë demokratët, nuk e duan, nuk e njohin dhe as nuk do ta mbështesin, ngaqë për të, vitet e fundit garat zgjedhore janë farsë.
Një farsë e menduar mirë për të shmangur çdo kur të humbasë dhe për të ruajtur kontrollin absolut mbi një opozitë të dobët e të përçarë.
Ky është modeli politik i Berishës prej vitesh: një opozitë që nuk lufton për pushtet, por për mbijetesën e liderit të vet; një PD që nuk shërben si alternativë, por si peng i llogarive të vjetra, dosjeve të hapura dhe pazareve nën dorë. Në çdo garë zgjedhore të viteve të fundit, Berisha ka ditur të humbasë me stil, jo nga paaftësi, por nga strategji.
Ngaqë një opozitë e fortë do ta nxirrte jashtë loje, ndërsa një opozitë e kontrolluar e mban në qendër të vëmendjes dhe i garanton vazhdimësinë e pazareve politike.
Humbja e PD-së i shërben vetëm një njeriu: Sali Berishës. Ai nuk do pushtet për demokratët, por për veten. Nuk do fitore për Shqipërinë, por për të ruajtur imunitetin politik dhe ekonomik që i siguron roli i "liderit historik". Prandaj, zgjedhjet e pjesshme janë vetëm një tjetër akt në një shfaqje të gjatë ku humb opozita, fitojnë pazaret dhe forcohet pushteti i Edi Ramës.
Edhe këto zgjedhje, si ato të 11 majit janë të shitura. Kurrën e kurrës PD nuk mund të mbështesë një kandidat të majtë. Një kandidat që në vitin 2021-2023 i aderuar si anëtar të PSD, ka qenë te LSI te PS, e në fund ka qenë dhe këshilltar i Prefektit të Vlorës. Unë kuptoj qartë që këto zgjedhje të shitura me qëllim për t’i vënë një kandidat të dobët, që diferenca të dalë e madhe.
Demokratët duhet ta kuptojnë se një opozitë që mbështet kandidatë pa dinjitet e pa identitet, që i shërben një lideri të korruptuar dhe jo kauzës së lirisë, nuk është opozitë e vërtetë. Është një instrument për t’i shitur zgjedhjet në tavolinë dhe për të mbajtur gjallë një sistem të kalbur.
Sa kohë që opozita mbahet peng nga Berisha, çdo votë për “Berishën opozitar” është votë për Ramën në pushtet!
T’i kthejmë shpinën këtij modeli të vjetër, të shkëputemi nga pengmarrja e Berishës dhe të ndërtojmë një opozitë të re, të sinqertë, të bashkuar dhe me vizion europian. Vetëm kështu PD mund të rikthehet si forca që shqiptarët dikur e besuan për të sjellë ndryshimin.
Dhe, meqënëse “lideri historik” më quajti të vënë nga Basha dhe pa lidhje me PD, po i përgjigjem: Unë kam qenë, jam e do të jem demokrat! Ndryshe nga ata që udhëheqja e PD mbështet duke vazhduar marrëveshjen e 11 majit!
Ndaj i ftoj të gjithë qytetarët e paangazhuar, opozitarët e sinqertë, demokratët e vërtetë, dhe të majtët e zhgënjyer të më bashkohen në këtë përpjekje për ta kthyer Vlorën në një qytet që i përket qytetarëve, jo klientelës politike.
Pas replikave të shmëbyera me Berishën, Gjergji Nikës i është përgjigjur dhe Hysni Sharra, drejtues i degës së PD-së në Vlorës. Sharra shkruan se mbështetja e PD-së shkon për Dionis Sotën, dhe se çdo kandidaturë tjetër në emër të opozitës, i shërben vetëm Edi Ramës.
Ndërsa në replikën e tij për Sharrën, Nika shkruan se Sharra e mbështet Sotën, pasi ky i fundit mund të thyejë rekordin negativ që Sharra vendosi në zgjedhjet lokale.
Nika thekson se ndjen keqardhje për kërkesën për bashkëpunim, PD Vlorë iu përgjigj duke "kandiduar" një të majtë pa asnjë kontribut i cili më parë kërkonte vota për PSD dhe LSi-në.

Pasi kryetari i Partisë Demokratike në Vlorë, Hysni Sharra ka deklaruar se PD-ja mbështet Dionis Sotën për kandidat për Vlorën dhe çdo kandidim tjetër i shërben vetëm Ramës, ka reaguar Gjergji Nika, i cili dje bëri publike se do të garojë në qytetin bregdetar për zgjedhjet e 9 nëntorit.
Nika në Facebook, shkruan se Sharra e mbështet Sotën, pasi ky i fundit mund të thyejë rekordin negativ që Sharra vendosi në zgjedhjet lokale.
Më tej Nika thekson se quajta e çdo kandidati tjetër si “shërbëtor i pushtetit” është një përpjekje për të mbajtur kontrollin mbi opozitën lokale dhe jo për ta forcuar atë.
Ndërsa në fund, Nika shkruan se ndjen keqardhje për kërkesën për bashkëpunim, PD Vlorë iu përgjigj duke "kandiduar" një të majtë pa asnjë kontribut i cili më parë kërkonte vota për PSD dhe LSi-në.
Postimi i Nikës:
Zoti Hysni Sharra flet për ndershmëri, përkushtim dhe bashkim të opozitës, por duket se motivi i tij i vërtetë është më personal sesa politik.
Mbështetja e tij për Dionis Sotën nuk vjen vetëm nga dëshira për ndryshim në Vlorë, por edhe nga fakti se kandidati Sota pritet të thyejë rekordin negativ, që vetë Sharra arriti dikur në zgjedhjet lokale: një diferencë prej rreth - 16.000 votash nga kandidati socialist, pavarësisht se në ato zgjedhje u votua nga e gjithë opozita..
Kjo tregon se në thelb kemi të bëjmë me një garë për prestigj dhe ndikim personal, jo me një betejë për vlera apo ide të reja politike.
Demokracia nuk forcohet me kalkulime elektorale individuale, por me bashkëpunim dhe përfshirje. Quajta e çdo kandidati tjetër si “shërbëtor i pushtetit” është një përpjekje për të mbajtur kontrollin mbi opozitën lokale dhe jo për ta forcuar atë.
Vlonjatët meritojnë më shumë se një garë egoje, meritojnë garë idesh dhe rezultate konkrete për qytetin.
Keqardhje që kërkesës për bashkëpunim PD Vlorë iu përgjigj duke "kandiduar" një të majtë pa asnjë kontribut, i cili në 2023-in kundër z. Sharra dhe në 2025-ën kundër PD kërkonte vota për PSD, sikundër punonte nga 2013 e këtej për PS!...

Kryetari i Partisë Demokratike në Vlorë, Hysni Sharra ka reaguar pas përplasjes virtuale mes kandidatit të pavarur për bashkinë e Vlorës në zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit Gjergji Nika dhe kryedemokratit Sali Berisha. Nika është gjithashtu pjesë e bashkisë si këshilltar nga radhët e PD-së, por që në këto zgjedhje nuk e ka mbështetjen e partisë.
PD në këto zgjedhje mbështetjen ia ka dhënë kandidatit të pavarur Dionis Sota, të cilin Nika e ka cilësuar si të ardhur nga strukturat e majta. Hysni Sharra shkruan se mbështetja e PD për Sotën është e plotë dhe alternativa e vetme për në Vlorë më të mirë.
Sharra e ka cilësuar kandidimin e Nikës si opozitar apo demokrat, si një aventurë dhe shërbim ndaj Ramës dhe pushtetit të tij të korruptuar.
“Partia Demokratike e Shqipërisë, Dega e Partisë Demokratike Vlorë dhe aleatët e saj, janë në këtë fushatë të zgjedhjeve të pjesshme vendore përkrah kandidatit të pavarur, zotit Dionis Sota.
Ne jemi në mbështetje të plotë dhe pa asnjë ekuivok të kësaj kandidature dhe besojmë se kandidati, programi, ndershmëria dhe përkushtimi pêr zgjidhjen sa më të shpejtë e të qëndrueshme të problemeve që "rilindja" dhe qeverisja 27-vjeçare e Partisë Socialiste, i kanë shkaktuar Vlorës, do të jenë kryefjala e kësaj fushate.
Nga ana tjetër, çdo spekullim, marrëveshje apo "kandidim" i personave të caktuar në emër gjoja të opozitës, është sharlatanizëm, aventurë dhe, patjetër, shërbim ndaj Ramës dhe pushtetit të tij tê korruptuar e kriminal!”, shkruhet në postimin e degës së PD-së në Vlorë.












