KSA u ndal në konkluzionet e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të 15 dhjetorit 2015, të cilat njohën angazhimin e vazhdueshëm të Shqipërisë në agjendën e reformave. Në këtë kontekst, Këshilli theksoi se reforma në drejtësi mbetet kyçe për të avancimin e mëtejshëm të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE dhe mund të ketë gjithashtu rol transformues për reforma të tjera.
KSA konfirmoi se Shqipëria ka ruajtur një ritëm përgjithësisht të qëndrueshëm në zbatimin e masave të reformave në administratën publike. BE-ja përshëndeti miratimin unanim në korrik të një sërë ndryshimesh kushtetuese, për një reformë të plotë e gjithëpërfshirëse të sistemit të drejtësisë.
KSA vlerësoi miratimin e fundit të ligjit për verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, i cili përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara për zbatimin e reformës në drejtësi. Është thelbësore që të vijohet me zbatimin e shpejtë të kësaj reforme. BE-ja gjithashtu përshëndeti hapat e mëtejshëm të ndërmarrë nga Shqipëria në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe në çështjet e të drejtave të njeriut.
KSA përshëndeti pjesëmarrjen e vazhdueshme dhe aktive të Shqipërisë në nismat dhe organizmat rajonalë në Evropën Juglindore, marrëdhëniet e saj të fqinjësisë së mirë dhe qëndrimin konstruktiv rajonal. BE-ja vlerësoi rolin e Shqipërisë si partner pro-aktiv dhe konstruktiv në rajon dhe theksoi rëndësinë e përfshirjes së saj për një angazhim pozitiv në Ballkanin Perëndimor përmes arritjes së marrëvshjeve dypalëshe dhe nxitjes së mëtejshme të bashkëpunimit rajonal. BE-ja ritheksoi se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe stabiliteti rajonal janë elemente thelbësore të procesit të Stabilizim-Asociimit.
KSA përshëndeti linjëzimin e plotë të Shqipërisë me vendimet e Këshillit të BE-së dhe në fushën e Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë.
Takimi u kryesua nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Delegacioni i BE-së u drejtua nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë / Zëvendës Presidentja e Komisionit Evropian, Federica Mogherini. Komisioneri për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat për Zgjerim, Johannes Hahn, përfaqësonte Komisionin Evropian. Delegacioni shqiptar përfshinte Ministrin e Punëve të Jashtme Ditmir Bushati, Ministren e Integrimit Europian Klajda Gjosha dhe Kryetaren e Komisionit Parlamentar për Integrimin Europian, Majlinda Bregu, si përfaqësuese e opozitës.
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)