Deklarata e plotë për shtyp e Ministrit Bushati

"Sikurse jeni në dijeni, fqinji ynë Maqedonia po përballet më një situatë të rëndë humanitare, si rrjedhojë e reshjeve të pazakonta që shkaktuan përmbytje, viktima në njerëz dhe dëme të mëdha materiale.  

Që prej mbrëmjes së të shtunës, qeveria shqiptare ka ndjekur me vëmendje dhe shqetësim të veçantë zhvillimin e situatës në Shkup dhe Tetovë. 

Për të marrë një informacion sa më të plotë mbi pasojat e kësaj situate, kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me Zëvendës Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm Nikola Poposki, Zëvendës Kryeministrin dhe Ministrin e Integrimit Evropian Arbër Ademi, Zëvendës Kryeministrin për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Festim Halili si dhe me Kryetaren e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

Në emër të qeverisë dhe Kryeministrit Edi Rama, shpreha ngushëllimet më të ndjera për familjet e viktimave, duke përcjellë njëkohësisht solidaritetin e Shqipërisë në këto momente të vështira.

Shqipëria gjendet plotësisht në krah të Maqedonisë. Në kushtet kur natyra me egërsinë e saj nuk kurseu jetët njerëzore dhe shkaktoi gjithashtu dëme të konsiderueshme materiale, është e rëndësishme të tregojmë se çfarë mund të bëjmë për njëri-tjetrin për tejkalimin e kësaj situate.

Dëshiroj t’ju informoj se qeveria e Republikës së Shqipërisë do të kontribuojë paraprakisht me një fond prej 100.000 eurosh për lehtësimin e dëmeve të shkaktuara dhe rikthimin në normalitet për fqinjët maqedonas dhe bashkëkombësit tanë me banim në Shkup dhe Tetovë. 

Teksa autoritetet shtetërore në Maqedoni janë ende duke vlerësuar bilancin e nevojave dhe kërkesave, ne do të vijojmë kontaktet për të marrë një vlerësim të detajuar mbi dëmet dhe modalitetet e bërjes efektiv të këtij fondi të posaçëm. 

Jemi të gatshëm për të vënë në dispozicion çdo lloj ndihme tjetër që mund të na kërkohet nga fqinjët tanë për tejkalimin e situatës së krijuar.

Kjo shumë që ju përmendët pak më herët do të jetë shuma përfundimtare apo do të ketë edhe ndonjë ndihmë shtesë për shqiptarët që jetojnë në Maqedoni?
Siç e deklarova, ky është një fond paraprak, pasi jemi ende në kushtet kur autoritet shtetërore në Maqedoni, për arsye objektive, nuk kanë një bilanc të qartë të nevojave, dëmeve dhe kërkesave. Siç ndodh në praktikën e zakonshme ndërmjet shteteve, çdo gjë natyrisht që kanalizohet në nivel ndërshtetëror. Dëshiroj të theksoj që objektivi ynë ka qenë dhe mbetet, përmes këtij fondi, ndihma për fqinjët tanë maqedonas por edhe për bashkëkombësit tanë kudo ku ata jetojnë, qoftë kjo për dëmet që janë shkaktuar në Shkup ashtu edhe për ato në Tetovë.

Krahas autoriteteve shtetërore në Maqedoni të cilët i përmenda, kemi komunikuar edhe me institucione të tjera në Shqipëri. Dje kam komunikuar gjithashtu edhe me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, i cili është Kryetar i Shoqatës së Njësive Vendore, në mënyrë që e gjithë ndihma dhe mbështetja që vjen nga Shqipëria të jetë sa më e sinkronizuar dhe e koordinuar.

Kur theksova në emër të Kryeministrit Rama dhe qeverisë shqiptare gatishmërinë tonë për të mbështetur autoritetet shtetërore në Maqedoni, si në nivel qendror ashtu edhe vendor, krahas vendosjes së këtij fondi në dispozicion, kisha parasysh pikërisht nevojën që mund të kenë autoritetet në Maqedoni për menaxhimin e kësaj krize me forca nga më të ndryshmet në terren, që parashihen në këto raste. Dua të nënvizoj se Shqipëria është plotësisht në krah të Maqedonisë në këtë situatë tragjike me të cilën po përballet fqinji ynë.

Pyetja e dytë lidhet me rrugën e Shqipërisë drejt integrimit evropian. Ky është komunikimi i parë me median pas miratimit të reformës në drejtësi dhe hyrjes në fuqi të saj. Cila do të jetë e ardhmja e Shqipërisë në rrugën integruese? A janë shanset reale që Shqipëria të marrë tashmë çeljen e negociatave për anëtarësim në Union dhe nëse po, cilat janë afatet, takimet që do të zhvillohen në Bruksel?
Për sa i përket pyetjes së dytë, e cila nuk ka lidhje me këtë konferencë shtypi, por lidhet drejtpërdrejt me interesin tonë parësor kombëtar, procesin e integrimit evropian, mund t’ju them që janë të gjitha kushtet që ne të përmbushim një nga një detyrimet tona në këtë proces, në mënyrë që t’i japim mundësi, fillimisht Komisionit Evropian, që në vjeshtën e këtij viti të dalë me një rekomandim për fillimin e bisedimeve për anëtarësim për Shqipërinë. Kjo do të na jepte mundësinë që të punojmë me vendet anëtare për një vendimmarrje sa më të shpejtë, në momentin që Komisioni Evropian do të rekomandonte fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Këto janë dy etapat për të cilat flasim. Për të menduar seriozisht për këto dy etapa, pra për Komisionin Evropian dhe për vendet anëtare, për rekomandimin për çeljen e bisedimeve, më pas për vendimmarrjen e vendeve anëtare, natyrisht që nuk mjafton thjesht miratimi i paketës kushtetuese apo ndryshimeve të paketës kushtetuese, por duhet të miratohen ligjet kryesore që i japin jetë ndryshimeve kushtetuese dhe të fillojë një orë e më parë puna për zbatimin e qenësishëm të kësaj reforme. Natyrisht, do të duhet të kemi një qasje evolucionare, çka do të thotë që brenda vjeshtës, duhet të demonstrojmë një histori bindëse suksesi në trajektoren e reformës në drejtësi, e cila nuk kufizohet thjesht dhe vetëm tek ligj-bërja, por edhe tek arritjet konkrete, të cilat do të duhen të jenë të prekshme, në radhë të parë për qytetarët e zakonshëm të këtij vendi. Ne besojmë se ky objektiv është i arritshëm, në rast se edhe aktorë të tjerë politikë do të kenë vullnetin për të ecur përpara dhe për të mos e zvarritur miratimin e shtatë ligjeve që do t’i japin jetë ndryshimeve kushtetuese dhe më pas dizenjimit të institucioneve të reja, kryesisht ato që kanë të bëjnë me procesin e Vetingut apo procesin e radiografisë për armatën e gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët ushtrojnë këto funksione. Ky proces pritet t’i japë një besueshmëri shumë më të madhe institucioneve të shtetit të së drejtës në Shqipëri dhe gjithashtu pritet të pastrojë sistemin tonë të drejtësisë nga viruset e tranzicionit.




Faleminderit!​

  • Sondazhi i ditës:

    SPAK merr të pandehur Berishën për korrupsion pasiv, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

3 drejtues të PS për Tiranën, Lavdrim Krashi shpjegon: Do shkohet në 38 mandate! PD nuk merr parasysh votën e diasporës