TIRANË- Partia Demokratike dhe Lëvzizja Socialiste për Integrim, njëzëri e kanë cilësuar si një deklaratë të padenjë, të turpshme dhe të ulët, reagimin e kryeministrit Edi Rama ndaj kryeministrit në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinaj.  Kryedemokrati Basha e ka etiketuar si një sulm rrugaçëror, teksa i kërkon ndjesë Kosovës, për të që e quajnë akt të papranueshëm.

"Dënoj sulmin rrugaçëror të Edi Ramës kundër liderëve politikë të Kosovës dhe shpreh ndjesë në emër të çdo shqiptari për këtë akt të papranueshëm! Gjuha e urrejtjes ndaj institucioneve të Kosovës është akt i denjë vetëm për një peng të antishqiptarizmit si Edi Rama! Kosova është shtet i pavarur dhe Shqipëria ka detyrimin të promovojë dhe respektojë pavarësinë e Kosovës dhe institucionet e saj. Koha e vasalitetit të autokratit të korruptuar të Tiranës ndaj armiqve dhe kundërshtarëve të pavarësisë së Kosovës do të marrë fund shumë shpejt", tha Basha.

Nga ana tjetër, në të njëjtën linjë me kryedemokratin ka qenë edhe ish- ministrja e Jashtme e LSI-së, Klajda Gjosha. Në reagimin e saj, Gjosha e ka quajtur deklaratën e kreut të qeverisë Rama, si një qëndrim të turpshëm dhe një "show" të ulët.

"I turpshëm qëndrimi i Kryeministrit ndaj Kosovës. Gjuha e arrogancës që kalon përtej kufijve është pasqyra e shëmtuar e lidershipit tonë, është fyese për një shtet të pavaruar si Kosova dhe për gjithë qytetarët Kosovarë. Bashkëpunimi Ballkanik është i domosdoshëm, por ai duhet të kryhet me transparencë dhe me gjithë përfshirje. Në cdo bashkëpunim është e nevojshme të udhëhiqemi nga interesi kombëtar. Ndaj gjithë kujt nga ne sot i lind pyetja: Cfarë përfitojmë ne nga kjo marrëveshje? Me cfarë konkuron Shqipëria në tregun rajonal? Cilat janë kapacitetet tona? Cilat janë projektet konkrete? Kryeministri të mos japë vetëm shifra miliarda euro për të marrë vëmendjen e publikut por të analizojë me saktësi përfitimet konkrete për Shqipërinë. Të bësh show sot me Kosovën është veprimi më i ulët dhe nuk i shkon për shtat Shqipërisë! Edhe nëse Kosova ka rezerva, a është ulur dikush nga qeveria jonë për të diskutuar me ta? Cfarë duhet bërë që Kosova të jetë pjesë e këtij bashkëpunimi? Ky do të ishte reagimi i një shteti normal", shkruan Gjosha.

Kryeministri aktual i Kosovës, Haradinaj e quajti Mini-Shengenin Ballkanik si një nismë për të hequr taksën ndaj Serbisë, teksa bëri me dije se u njohur Kosova e masakra e Reçakut nuk do t'u bashkohet shteteve të tjera. Në përgjigje të kësaj deklare, Rama e quajti gënjeshtar nga padituria.