Kryeministri i dorëhequr i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar për takimin e liderëve të Ballkanit në Tiranë në kuadër të bashkëpunimit për Mini Shengenin Ballkanik, ku i pranishëm ishte edhe Aleksandër Vuçiç.

Haradinaj deklaroi se Kosova nuk ka nevojë për një 'Mini Shengen' me kryeqytet Serbinë, teksa ka theksuar se ideja e 'Mini Shengenit' është heqja e taksës që Kosova i ka vendosur produkteve që importohen nga Serbia.

Sot kur në Tiranë u mbajt takimi i tretë i vendeve të Ballkanit Perëndimor, Haradinaj tha se përderisa “Kosova nuk njihet nga Serbia dhe mohohet masakra e Reçakut, iu mbetet t’iu thonë puna e mbarë pa ne”:.

“Të gjitha vendet e Ballkanjt Perëndimor, pra 6 vende që kanë mbetur pa u anëtarësuar në BE. Ne kemi marrëdhënie kontraktuale me BE-në.  Pra, secili vend ka kontratë me BE-në. Kosova e ka MSA-në dhe ne duhet me iu fokusua MSA-së. Pra, nuk kemi nevojë për një Mini Shengen me kryeqytet Serbinë ose lider Serbinë të Mini Shengenit tonë. Jemi të interesuar për shengen në këtë rast, për BE-në. Kosova është vend euroatlantik, pra kjo është perspektiva e jonë. Hetohet që krejt kjo bëhet në njëfarë mënyre me na e heq taksën, është një bye-pas për me e heq taksën.  Mini Shengeni vetëm një qëllim e ka, një sukses nëse kish mujt me e heq taksën. Pra, edhe nervozat që i kanë këto ditët e fundit pikërisht për atë vijnë, se po iu bien në ujë këto zhvillime. Nuk janë të këqija, shikoni tash unë disa herë e kam përsëritur që Edi Rama është vëllai im, ai është shqiptar, jam shqiptar, të majtën e të djathtën në Shqipëri janë vëllezërit e motrat e mi. Unë nuk kam pas qare pa dal kundër ndarjes, jo për inati të njërit prej nesh as në Kosovë, as në Shqipëri, por kam dalë kundër ndarjes. Sikurse e dini Trepça është Kosovë, nuk po na e konteston më kurrëkush mbi këtë dhe, a keni dëgjuar dikë duke thënë më që Trepça është e dikujt tjetër pos e Kosovës, pavarësia energjetike ka ndodhur, pra kemi mundur të nënshkruajmë marrëdhënie kontraktuale tash me Shqipërinë për unifikim të tregut, kemi ushtrinë dhe po, kemi edhe taksën, po taksa është kundërvlerë për njohje. Kur të na njeh Serbia ne i hapim dyert për takime bilaterale e trilaterale, po me qëndrime mohuese të Serbisë deri edhe në mohim të masakrës së Recakut nuk na mbetet rrugë tjetër pos me iu thënë puna e mbarë pa ne”, u shpreh Haradinaj.

Ndërkohë kryeministri Edi Rama në një deklaratë për mediat i është përgjigjur ish-kryeministrit në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinaj, duke e cilësuar si gënjeshtar.