Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, përsëriti dënimin e saj ndaj deklaratës së ministres të Qeverisë serbe, Snezhana Paunoviç, lidhur me “spastrimin etnik” në Kosovë dhe shprehu habinë që ajo vazhdon të mbetet ministre. Kos u bëri thirrje politikanëve në vendet kandidate për anëtarësim në BE që të kenë parasysh se çdo fjalë e thënë ka peshë.
“Ishte tronditëse të dëgjonim diçka të tillë në vitin 2026. Nuk do ta përsëris as atë që ajo tha. Ishte vërtet tronditëse të dëgjohej një deklaratë e tillë. Nuk mund ta imagjinoj që një ministre, pas një deklarate të tillë publike, të mund të vazhdojë të ushtrojë detyrën e saj”, deklaroi komisionarja Kos, gjatë fjalimit të saj në Komitetin e Posaçëm për Mburojën e Demokracisë Evropiane të Parlamentit Evropian.
Kjo deklaratë u dënua edhe nga Mbretëria e Bashkuar. Sipas Londrës, gjuha e përdorur nga Paunoviç është “e neveritshme” dhe referencat për spastrim etnik s’kanë vend në shoqërinë e sotme. Përmes një deklarate, një zëdhënës i Zyrës për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, tha se në kohën kur shtetet në Ballkanin Perëndimor janë të përqendruara në ndërtimin e një të ardhmeje paqësore dhe shumetnike “deklaratat si këto synojnë të rihapin përçarjet e vjetra dhe të nxisin tensione”.
“Udhëheqësit e përgjegjshëm politikë duhet të refuzojnë një gjuhë të tillë”, u tha në deklaratë.
Lajmi kryesor:
‘Spastrim etnik Kosovës’, ministrja serbe s’tërhiqet: Falje vetëm Vuçiçit! 53 deputetë serbë duan shkarkimin, Marta Kos: Habi që qëndron ende në detyrë






