Pavarësisht se SPAK dhe GJKKO po përballen me presion të vazhdueshëm nga partitë politike, kreu i LZHK-së Dashamir Shehi thotë se këto dy struktura të drejtësisë së re po ia dalin më së miri në luftën kundër korrupsionit, duke iu referuar arrestimit të Erion Veliajt.
Sulmet publike ndaj drejtësisë së re sipas tij duhet të jenë një kambanë alarmi për qytetarët duke u bërë thirrje që më 11 maj të hedhin votën e tyre në drejtimin e duhur.
“Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, konseguente në qëndrimet dhe veprimtarinë e saj politike, veçanërisht në funksion të transparencës dhe llogaridhënies së kujtdo përpara ligjit dhe qytetarit, ka dhënë mbështetjen e plotë dhe të vijueshme ndaj reformës në drejtësi si domosdoshmëri që në Shqipëri të funksionojë shteti i së drejtës, jo shteti i korrupsionit.
![]()
Këto ditë, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka arrestuar z. Erion Veliaj, me akuzën për korrupsion dhe pastrim parash. Ndërkohë, si në këtë rast, por edhe në raste të tjera më përpara, prokurorët e SPAK dhe gjyqtarët e GJKKO sulmohen hapur nga partitë kryesore në vend, secila “atje ku i dhemb”. Rasti më i fundit është i Kryeministrit Edi Rama që inicioi sulme publike ndaj prokurorëve të SPAK dhe gjyqtarëve të GJKKO, duke kundërshtuar arrestimin e kryetarit të Bashkisë Tiranë Erjon Veliaj, ndaj të cilëve reaguan me forcë si organet e drejtësisë, edhe ndërkombëtarët.
Kjo tregon se dy strukturat e drejtësisë po mundohen të funksionojnë duke patur përballë jo vetëm korrupsionin dhe krimin e organizuar, por edhe presionin e partive kryesore.
Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar shpreh qëndrimin e saj se, drejtësia duhet të funksionojë efektivisht dhe paanshmërisht për këdo, por veçanërisht për t'iu dhënë zgjidhje dhjetëra mijëra dosjeve të qytetarëve që po presin me dekada për të marrë drejtësinë që iu takon.
Kjo situatë në drejtësi pikërisht në prag të zgjedhjeve të 11 majit 2025, iu bën apel të gjithë shtetasve shqiptarë votues në këto zgjedhje, nga vendi dhe nga diaspora, që të jenë të vëmendshëm për votën e tyre duke e adresuar vetëm në dobi të tyre dhe Shqipërisë”, tha Dashamir Shehi.
Shehi pati edhe një koment për zgjedhjet parlamentare të Kosovë, duke thënë se ishin model për procesin e votimit dhe numërimit të shpejtë dhe të pakontestueshëm. Sipas tij, procesi i Kosovës është një leksion për vendin tonë.
SI.E./I.M/Shqiptarja.com“Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, i ka ndjekur me shumë vëmendje zgjedhjet politike në Kosovë, të cilat ishin një leksion për shtetin amë - Shqipërinë. Zgjedhjet në Kosovë ishin model për procesin zgjedhor të mirë-organizuar, fushatën elektorale ku partitë dhe kandidatët shpalosën alternativat e tyre, ishin model për procesin e votimit dhe numërimit të shpejtë dhe të pakontestueshëm. Me votën e tyre të lirë, zgjedhësit vendosen që qeveria e ardhshme të jetë më kolegjiale për të vazhduar punën në dobi të Kosovës, duke i prerë rrugën qeverisjes nga vetëm një parti politike.
Në Shqipëri, ashtu si edhe në Kosovë, listën e kandidatëve e bën partia apo kryetari, por, në Kosovë, votuesit zgjedhin anëtarët e parlamentit (deputetët) drejtpërdrejt përmes votimit të fshehtë bazuar në listat e hapura. Kjo do të thotë se në Kosovë është qytetari që zgjedh deputetin dhe renditjen e bën votuesi, ndërsa në Shqipëri ende vendosin orekset, parapëlqimet dhe pazarllëqet e drejtueseve të partive.
Në Kosovë, vota e diasporës është thjesht pjesë e normalitetit të procesit zgjedhor. Përkundrazi, në Shqipëri, u desh pothuajse një luftë që të arrihej përfshirja në votime e diasporës dhe kjo vetëm duke filluar nga zgjedhjet që presim të zhvillohen më 11 maj 2025. Për të mos folur që, edhe pse u arrit që diaspora të bëhej pjesë e procesit zgjedhor, stërkëmbëshat për ta penguar nuk kanë të sosur.
Kosova, me vetëm pak vite shtet, bën atë që Shqipëria, me mbi 100 vjet shtet, nuk ka arritur ta bëjë: të zhvillojë zgjedhje të lira, të drejta, të ndershme dhe të pranuara nga subjektet konkuruese. Duke vlerësuar dhe zbatuar të tilla modele nga njeri-tjetri, edhe bashkimi kombëtar bëhet një lëndë më e prekëshme. Në këtë kontekst, zgjedhjet politike në Kosovë dhe mesazhet që na dhanë, ishin dhe janë pjesë e vëmendjes dhe vlerësimit të Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, për të cilën çështja kombëtare është prirotetet kryesor”, tha Shehi.
Komente

