Ministrja e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale e Serbisë, Snezhana Paunoviç, ka kërkuar falje pas reagimeve që shkaktoi deklarata e saj për spastrimin etnik të Kosovës. Megjithatë, ajo nuk u kërkoi falje shqiptarëve të Kosovës, por vetëm presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, Qeverisë së Serbisë dhe kryeministrit Gjuro Macut.

Në një intervistë për emisionin e mëngjesit në Informer TV, Paunoviç tha se deklarata e saj ishte keqinterpretuar dhe u nxor jashtë kontekstit.

“I kërkoj falje presidentit Vuçiç, Qeverisë së Serbisë dhe kryeministrit Macut, për faktin se ata janë akuzuar pa asnjë faj”, u shpreh ajo.

Sipas ministres serbe, nga intervista njëorëshe janë shkëputur vetëm shtatë sekonda, duke krijuar një perceptim të gabuar mbi qëndrimin e saj.

“Çfarë kam thënë ishte historia ime, jo një deklaratë. Është e pakëndshme të më duhet të shpjegoj se kjo nuk është politika e presidentit dhe as e qeverisë”, deklaroi Paunoviç.

Ajo reagoi edhe ndaj vendimit të autoriteteve të Kosovës për t’ia ndaluar hyrjen në territorin e vendit, duke e cilësuar atë paradoksal. Sipas Paunoviç, prej katër vitesh nuk i lejohet hyrja në Kosovë.

Nuk prisja që kjo të shkaktonte një reagim të tillë në Serbinë qendrore, dhe nuk mendoja se as eurodeputetët do të reagonin. Unë jam mësuar vetëm me "po e monitorojmë situatën" prej tyre. Është e rëndësishme që të gjithë dëgjuan se në Qeverinë e Serbisë ka një ministër që është përjashtuar nga ajo Kosovë, dhe është edhe më e rëndësishme nëse kanë dëgjuar se është marrë vendimi i qeverisë në Prishtinë që unë të shpallem "persona non grata". Unë nuk kam mundur të hyjë atje për katër vjet.

Kjo është vetëm propaganda e Kurtit para raundit të ri të zgjedhjeve. Dhe të mos harrojmë kënaqësinë e strukturave të caktuara në Serbi, të cilat, me të gjitha tjerrjet e mundshme, përpiqen të shërojnë frustrimet e tyre në rrjetet sociale. Ajo që është e rëndësishme është reagimi i qytetarëve të nderuar të Serbisë që e kuptuan për çfarë po flas", tha ministrja.

Disa ditë më parë Snezhana Paunoviç, tha për televizionin Kurir në Serbi se po të ishte në vend të Sllobodan Milloshevicit, në 1998-ën do të kishte spastruar etnikisht Kosovën. Prishtina zyrtare reagoi duke e shpallur ministren serbe person “të padëshirueshëm” dhe teksa i ka ndaluar përherë hyrjen apo kalimin në vend.