Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, njoftoi të enjten se 53 deputetë opozitarë ia kanë dorëzuar një kërkesë kryeministrit serb për shkarkimin e ministres Snezhana Paunoviç, pas deklaratës së saj për “spastrim etnik” në Kosovë. Në një shkrim në Facebook, Kamberi tha se grupi parlamentar Lëvizja e Qytetarëve të Lirë – SDA e Sanxhakut dhe Partia për Veprim Demokratik, iniciuan shkarkimin e ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale.

Ata i kërkuan kryeministrit serb Gjuro Macut që, “pa asnjë vonesë”, t’i propozojë Kuvendit të Serbisë shkarkimin e ministres Paunoviç, e cila u shpall person i “padëshirueshëm” në Kosovë.

Nuk është e qartë nëse Macut do ta bëjë një propozim të tillë në Kuvendin serb me 250 vende.

“Nëse Macut refuzon të propozojë shkarkimin e saj, ai do të marrë përgjegjësinë për vazhdimin e mandatit të saj në këtë funksion dhe për normalizimin e një politike të tillë brenda Qeverisë së Serbisë”, tha ai.

Kamberi tregoi se nisma e tyre nuk u mbështet nga partitë e pakicave nacionale, të cilat janë pjesë e Qeverisë.

“Pra, shkarkimin e ministres Paunoviç nuk e kanë përkrahur as partia boshnjake e Zukorliçit, as partia boshnjake e Lajiçit dhe as partia hungareze e Pastorit”, shtoi ai.


Lajmi kryesor:

‘Spastrim etnik Kosovës’, ministrja serbe s’tërhiqet: Falje vetëm Vuçiçit! 53 deputetë serbë duan shkarkimin, Marta Kos: Habi që qëndron ende në detyrë