TIRANË- Deklarata e ish-drejtori të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Gledis Nanos, në një media franceze, pak para largimit nga ky post, se 14 kriminelë i shpëtuan policisë pasi operacioni u dekonspirua, do të jetë në fokus të një hetimi të thelluar. Kështu bëri me dije ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, pasi u pyet në lidhje me prononcimin e ish-kryepolicit, për të cilin me ironi tha se kur nuk e di ai se kush i dekonspironte, si do ta di ministri dhe për këtë shtoi, Çuçi, do të nisë një hetim i thelluar, pjesë e të cilit do të jetë edhe Nano.

‘Është shqetësuese, por edhe pjesë e punës së përditshme që ka Policia e Shtetit për të pastruar radhët e Policisë së Shtetit. Në lidhje me deklaratën e Gledis Nanos, kur nuk e di drejtori i policisë, vështirë se do të dijë ministri këtë gjë. Është në hapësirën e informacionit që ka drejtori i Policisë. Do ta thellojmë hetimin dhe do të përfshihet edhe ish-drejtori i policisë së Shtetit, për të shkuar drejt zbardhjes së të vërtetës dhe për të hetuar çdo kënd që dekonspiron operacionet e policisë.’- tha Çuçi.

Gledis Nano, në një interviste për median franceze Metropole, foli për një nga operacionet më të bujshme të viteve të fundit, “Plumbi i Artë”. Ai konfirmoi se ky operacion është dekonsipiruar pas nga 32 persona që ishin në për t’u arrestuar, iu vunë prangat vetëm 18 prej tyre, e ndërsa “kokat e krimit”, mes tyre edhe Ervis Martinaj u arratisën.

Ka pasur rrjedhje të informacionit, mund të ketë ardhur nga vetë ato që kanë kryer investigimin ose nga ekipet operacionale. Kishim 32 në shënjestër dhe arrestuam 1, 2, 3 ,4 …18. Anëtarë të bandave jashtëzakonisht shumë të dhunshme të trafikut të drogës dhe vrasjeve me pagesë”, rrëfen Nano në dokumentar, duke dashur të theksojë faktin se pavarësisht dekonspirimeve, ka pasur edhe rezultate pozitive.

Kujtojmë që Gledis Nano u shkarkua me vendim qeverie në 31 gusht me argumentin se nuk i ka realizuar objektivat. Në vend të tij, u emëruar sot Muhamet Rrumbullaku.