Vetëm 9 ditë para se prokuroria e Kavajës të kërkonte arrestimin e biznesmenit Idlir Karkini, ky i fundit është larguar nga Shqipëria duke kaluar nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Rinasit. Mësohet se Karkini disponon dy pasaporta, atë Shqiptare dhe një tjetër të kombësisë italiane. Miku i politikanëve shqiptarë ka dalë nga shqipëria duke udhëtuar në një vend të europës, duke ju shmangur kështu arrestimit nga forcat e policisë.

Urdhri i arrestit kundër tij tashmë i është shpërndarë të gjitha pikave kufitare të vendit, njëherësh është njoftuar dhe Interpol Tirana, për vijimin e kërkimit dhe kapjen e biznesmenit. Burime nga Interpol bënë me dije se se biznesmeni Idlir Karkini është larguar nga Shqipëria në drejtim të Italisë më datë 11 shkurt, vetëm nëntë ditë para se të lëshohej urdhër-arresti ndaj tij.

Pikërisht në këtë datë, ai ka dalë nga Shqipëria nga aeroporti i Rinasit. Dyshohet që aksioni për arrestimin e biznesmenit është dekonspiruar, dhe për këtë arsye kanë nisur hetimet, përveç hetimeve që po kryhen për abuzimet me pronat.

27 ndërtime në Spille
Sipërfaqja e tokës së përvetësuar prej tij shërbente si poligon qitje nga Komanda Ajrore, por në mënyrë të kundraligjshme është regjistruar në hipotekë në emër të biznesmenit Idlir Karkini. Hetimet po vijojnë ende dhe për persona të tjerë, jo vetëm zyrtarë, por edhe persona që kanë bërë aktet e shitjeve.

Biznesmeni, por edhe zyrtarë të tjerë, kanë pasur dijeni për këtë skemë. Ndërkohë, ditët në vijim, pritet të ketë dhe arrestime të tjera, të cilët janë përfshirë në skemën abuzive, në parcela të tjera. Në vijim të hetimeve ka rezultuar se këto pasuri janë regjistruar e më pas janë tjetërsuar nga persona të tjerë, nëpërmjet shit-blerjeve në një periudhë tepër të shpejtë, në kundërshtim të hapur me ligjin.

Gjithashtu janë kryer hetime dhe në lidhje me ndërtimet e 27 lokaleve përgjatë vijës bregdetare, ku vetëm 4 persona investitorë rezultojnë të jenë banorë të zonës, ndërsa të gjithë personat e tjerë janë qytetarë të rretheve të tjera.

Ndërtimet e këtyre lokaleve rezultojnë vetëm mbi bazën e një aplikimi në Bashkinë Rrogozhinë, duke paraqitur vetëm një plan vendosje, kjo sipas preferencave të investitorëve, pa patur asnjë plan zhvillimor të Bashkisë Rrogozhinë.

Si funksiononte skema
Pas një hetimi shumë mujor të Prokurorisë së Kavajës u mundësua identifikimi i disa shtetasve të dyshuar si përgjegjës për përfshirje në tjetërsimin e pronave në bregdetin e Spillesë në Kavajë. Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë vazhdoi me fazën e dytë të hetimit, pjesë e procedimit penal të regjistruar më parë për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal në lidhje me ndërtimet në zonën e plazhit të Spillesë.

Këtij procedimi penal i janë bashkuar edhe 4 procedime të tjera për të njejtin fakt penal. Deri tani në këtë hetim të vazhduar janë përfshirë gjithsej në të dy fazat 23 persona, për tjetërsimin e pronave nëpërmjet krijimit të një mekanizmi të njëjtë, duke administruar AMTP të një periudhe mbi 15 vjet, në kundërshtim me ligjin, më pas duke proceduar me konfirmimet nga zyrat e Këshillit të Qarkut Tiranë, duke fshehur dhe zëvendësuar konfirmimet e qarkut me konfirmime që parashtrojnë rrethana të rreme, nëpërmjet falsifikimit të statusit të parcelave apo pasurive të veçanta, duke i bërë pjesë e praktikës (dosjes) të aplikuesve kanë arritur t’i regjistrojnë si pasuri personave të ndryshëm.

d.c./shqiptarja.com