Pas takimit që Rama pati me ambasadorët e vendeve të BE ditën e sotme, reagimi i parë erdhi nga ambasadori i OSBE Bernd Boschardt, i cili tha se u takon institucioneve shqiptare te zgjedhin cila palë ka argumentet më të mira ligjore. Sipas kryediplomatit, cfarë po ndodh është cështje mes Parlamentit, Kushtetutës dhe Gjykatës Kushtetuese.
***
Ambasadori i OSBE-së në vendin tonë Bernd Boschardt thotë se deklarata e Presidenti Ilir Meta për të anuluar zgjedhjet është çështje e brendshme, dhe nëse do të ketë apo jo zgjedhje më 30 qershor, kryediplomati thote se do të jenë institucionet shqiptare që do të zgjedhin se cila palë ka argumentet më të mira ligjore.
Ai thotë se çfarë po ndodh është çështje e brendshme e Shqipërisë, mes parlamentit, Kushtetutës, dhe më pas Gjykatës Kushtetuese. Ambasadori i OSBE-së u pyet nga gazetarët edhe për protestat e opozitës joparlamentare, ku tha se përgjegjësia për dhunën në tubime bie vetëm mbi organizatorët.
Prononcimi për mediat
Cili është qëndrimi juaj lidhur me anulimin e datës së zgjedhjeve nga Presidenti?
Kryetari i Radhës i OSBE-së bëri një deklaratë shumë të qartë për këtë javën e shkuar. Ai tha se vendosja e datës së zgjedhjeve është çështje e brendshme e Shqipërisë. Tani, është çështje e debatit të brendshëm. Kam besimin se institucionet shqiptare do të gjejnë një vendim të mençur se cila palë ka argumentin më të mirë ligjor.
Kriza politike mund të përshkallëzohet. Cili është apeli juaj për palët? Presidenti ka folur për një përplasje, nëse mbahen zgjedhjet më 30 qershor?
I tërë komunitetit ndërkombëtar e ka deklaruar qartë se protestat dhe demonstratat janë një e drejtë demokratike; trazirat dhe dhuna zhvlerësojnë përgjegjësit e tyre dhe përgjegjës janë organizuesit. Ata janë përgjegjës për dhunën e organizuar.
Si e shihni procedurën e shkarkimit të presidentit të nisur nga maxhoranca të enjten e ardhshme?
Sikurse thashë, vendimi u takon institucioneve shqiptare. Kjo është një çështje e parlamentit dhe, më pas, e Gjykatës Kushtetuese.
Për OSBE-në do të ketë zgjedhje më 30 qershor?
Sikurse thashë, institucionet shqiptare duhet të marrin një vendim për këtë.
Por në kushtet kur nuk ka një Gjykatë Kushtetuese, pasi z. Ambasador tha se duhet ta zgjidhë Gjykata Kushtetuese?
Këto janë çështje ligjore shumë, shumë të ndërlikuara, për të cilat ka shumë pikëpamje. Do ta shohim se çdo të ndodhë.