/ATSH-Anila Struga/.-Debatet shoqëruan sërish mbledhjen e sotme të komisionit të posaçëm për dekriminalizimin. Përfaqësuesit e opozitës informuan fillimisht mbi projektligjin e propozuar, që synon të pengojë kandidimin e individëve me rekorde kriminale ne zgjedhjet e reja.
"Propozimi ynë zgjidh fazën e kandidimit duke vendosur kushte për moskandimin e individëve që janë dënuar me vendime të formës së prerë. Projekti përfshin dy nene tranzitore që i shtohen kodit zgjedhor, ku trajtohet çështja e personave me rekorde kriminale që konkurojnë në zgjedhjet e 2015-s", tha kryetari demokrat i komisionit, Oerd Bylykbashi.
Ai i propozoi komisionit organizimin e dy tryezave me ekspertë kushtetues për të marrë sugjerimet e tyre për këtë çështje, ndërsa informoi gjithashtu dhe mbi kërkesën për asistencë nga Komisioni i Venecias, BE dhe ambasada amerikane në Tiranë.
Në qëndrimin e tij, nënkryetari socialist i komisionit, Taulant Balla kërkoi më shumë kohë për t'u njohur me nismën ligjore të opozitës, ndërsa deklaroi se dispononte emra konkretë nga PD me të kaluar krimnale dhe që janë kandiduar për zgjedhjet e reja vendore. Ai tha se për këtë i ka përcjellë materialin përkatës Prokurorisë së Përgjithshme.
"Ne kemi 8 emra të kandidaturave tuaja me të kaluar kriminale, por nuk po i them sot. Ne duam ta lexojmë pr/ligjin dhe në një kohë të shpejtë të ulemi sërish të diskutojmë", tha Balla.
"Ne do shqyrtojmë propozimin e PD-së, ndërsa dhe koalicioni juaj duhet ta konkretizojë këtë proçes me emra konkretë për të mos kandiduar elementë me rekorde kriminale. Besoj që në politikë me rëndësi është vullneti politik. Besoj se në qershor do bëhen rregullimet e përkohshme. Unë shpresoj që PD-ja do të reflektojë në këtë drejtim dhe ne do të jemi një mekanizëm pozitiv", theksoi Balla.
Bylykbashi këmbënguli në miratimin e shpejtë të nismës së opozitës, në mënyrë që siç tha ai "individëve me rekorde kriminale t'i pritet rruga me ligj në dorë dhe jo me vullnetin e kryetarit të partive politike".
Ai ritheksoi se dekriminalizimi është një kauzë që opozita është e vendosur ta çojë deri në fund.