Prokuroria i akuzon se preken nga ligji i dekriminalizimit, pasi janë raportuar për vjedhje në Itali dhe se nuk treguar emrat e dyte të përdorur. Të dhënat e ardhura nga Italia, sipas prokurorisë nuk janë deklaruar nga deputetët në formularin e vetëdeklarimit. Për deputetin e PDIU-së, Rakipi Interpol Roma thotë se ai është raportuar për vjedhje me emrin Skënder Ejylbegaj. Vjedhja në fjalë ka ndodhur në 03.11.1998, kohë kur deputeti ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit se ka qenë emigrant në Itali.
Deputeti i LSI-së, Gledion Rehovica sipas Interpol Romës, është i raportuar për vjedhje dyqani me emrin Kusta Mina në 27.02.1999, kohë kur vetë deputeti ka deklaruar se jetonte në Itali si student. Dy deputetët nuk kanë qenë të pranishëm në mbledhjen e sotme, ndërsa avokatët mbrojtës i kanë cilësuar si qesharake dhe të pabaza akuzat duke kërkuar rrëzimin e tyre. Kërkesa e avokatit të Rakipit, Sollaku për pezullimin e kërkesës është rrëzuar.
Theodhori Sollaku u shpreh se “Rakipi nuk ka bërë fshehje të qëllimshme. Përdorimi i identitetit tjetër ka qenë i paqëllimshëm, ai nuk është dënuar në Itali. Aqif Rakipi nuk është dëbuar nga shtetet sipas ligjit dhe në situata të tilla nuk është hequr mandati”.
Po ashtu edhe avokati i Gledion Rehovicës, Ardian Visha theksoi se “Deputeti nuk është i inkriminuar, nuk ka qenë as në hetim dhe as i dënuar”. Përsa i përket rastit të kryebashkiakut të Pogradecit, Kapri KQZ vendosi që t’i drejtohet sërish prokurorisë për informacion shtesë se përse është dëbuar nga Gjermania.
Gledion Rehovica dhe Aqif Rakipi
Zhvillimet e fundit nga mbledhja e KQZ
14:40 KQZ vendos: Me 5 vota pro u hiqet mandati deputetëve Gledion Rehovica dhe Aqif Rakipi
14:25 KQZ vendos me 4 vota pro dhe 2 kundër shtyrjen e vendimit për Eduart Kaprin, do i kërkohet sërish informacion prokurorisë për dëbimin nga Gjermania. Kryetari Zguri: Po kthehet në gallatë tani...
14:20 Anëtari i LSI në KQZ, Veleshnja: Prokuroria nuk ka sjellë të dhëna bindëse për dy deputetët dhe kryebashkiakun. Çfarë kupton prokuroria me raportim policor? Për shkak se nuk ka asnjë vendim penal nga deputetëve dhe kryebashkiakut.
14:05 Klement Zguri: Nuk është serioze që t’i drejtohemi sërish prokurorisë për informacion. Sot është afati i fundit ligjor...
14:00 Anëtari i KQZ, Bledar Skënderi: Duam informacion nga Gjermani pse u dëbua?
13:55 Përfaqësuesi i PD, Ivi Kaso: Vendimin duhet ta marrë KQZ, institucionet e tjera të japin informacionet, por jo t’u bëhet gjyqi. KQZ nuk duhet t’i bëjë gjyqin prokurorisë.
13:55 Avokati i Kaprit: Ka vetëm një dëbim nga Italia dhe jo nga Gjermania
Rasti Kapri, Denar Biba: Nëse është dëbuar për cështje jo emigracioni ne duhet të dimë. Prokuroria shprehet vetëm për rastin e dëbimit nga Italia dhe jo nga Gjermania. Ne ia kemi lënë edhe turpin edhe nderin prokurorisë për rastin. Ne duam shkakun e debimit
13:50 Bledar Skënderi: T’ia rikthejmë prokurorisë kërkesën për Kaprin për një përgjigje se përse është dëbuar nga Gjermania Kapri?
13:45 Çështja e Kaprit, Avokati: Nuk preket nga dekriminalizimi
Gerald Blacëri: Eduart Kapri nuk është i pranishëm, pasi ndodhet në mbledhjen e këshillit bashkiak ku miratohet buxheti. Nuk kemi kundërshtim mbi vendimin e prokurorisë. Dëbimi për arsye emigracioni nuk përbën shkak për heqjen e mandatit. Kapri rezulton i padënuar në Itali dhe KQZ duhet ta cmojë vendimin e prokurorisë të drejtë.
13:30 Çështja e Gledion Rehovicës, avokati: Nuk është i inkriminuar
Ardian Visha: Deputeti nuk ka bërë asgjë. Ajo që pretendohet si raportim i përcjellë nga Interpol është thjeshtë një marrje gjurmësh. Ai akuzohet për vjedhjen e një xhupi, por nuk ka qenë kurrë në hetim. Nuk ka asnjë akt që të mund të provojë marrje në hetim Rehovicës, por asnjë akt e statusit të personit në hetim apo dënuar. Barra e provës mbetet e prokurorisë.
Edhe akuza për emrin e rremë është e paqenë, pasi ky individ i ka dhënë shenjat e gishtave. Kërkoni nga Italia një certifikatë edhe për Rehovicën edhe për Mina Kustën që nuk ka pasur kurrë hetim apo procedim. Rehovica nuk është i inkriminuar që të flaket jashtë Kuvendit. E papranueshme! Nuk mundet që të pranohet kjo praktikë pa fakte dhe e paprovuar. Nuk mund t’i ndërpritet mandati pa asnjë provë, por me një aludim.
13:25 Çështja e Aqif Rakipit, avokati Sollaku: E përdori emrin tjetër pa qëllim
Theodhori Sollaku: Deputeti nuk vërtetohet se preket nga ligji i dekriminalizimit. Rakipi nuk ka bërë fshehje të qëllimshme. Përdorimi i identitetit tjetër ka qenë i paqëllimshëm, por përdorimi i identiteteve të tjera nuk është shkak për ndërprerjen e mandatit. Rakipi nuk është dënuar as jashtë vendit dhe as në Shqipëri. Në situata të ngjashme KQZ nuk ka hequr mandatin, si për ish-komunarin e Hasit.
Nuk kemi asnjë provë, prokuroria ka abuzuar duke përdorur informacionet policore. Të ndëshkosh një deputet vetëm duke u bazuar te një informacion policor... Pse nuk solli provat që pretendon. Nuk ka sekret të paraqitësh në një proces faktet. Përbën sekret të pretendosh që Rakipi ka mbajtur vende të vjedhura? Kjo përbën një precedent" tha avokati i Aqif Rakipit.
13:20 Vera Shtjefni: Ligji i dekriminalizimit përcakton një afat që duhet të bëhet shqyrtimi i rezultateve. Afati është 10 ditë. Gjykata do të japë vlerësimin për atë që ju thoni, por KQZ ka bazë ligjin për dekriminalizimin dhe jemi të detyruar të shqyrtojmë cështjen brenda 10 ditëve.
13:15 Theodhori Sollaku: E prisja. Më vjen keq që ky proces është nisur paragjykues për vendimmarrjen tuaj
13:10 Klement Zguri: Hedhim në votim kërkesën. 6 vota kundër, rrëzohet
13:05 Avokati i Rakipit, Theodhori Sollaku: Kërkojmë pezullimin e kërkesës. Rakipi ka kërkuar shfuqizimin e bazës ligjore. Paraqesim kërkesën për pezullimin e procedurës. Aqif Rakipi nuk është dëbuar nga shtetet sipas ligjit dhe në situata të tilla nuk është hequr mandati.
13:00 Dy deputetët nuk janë të pranishëm në mbledhjen e KQZ. Mungon edhe anëtari i KQZ, Hysen Osmanaj
d.b/shqiptarja.com