Rama duke iu përgjigjur Bashës në intervistën “5 pyetjet nga Babaramo” shprehet se nuk pranon afate të vëna nga opozita si dhe nuk është njohur me propozimin e opozitës për këtë iniciativë.
“Nuk e njoh projektin e opozitës dhe nuk pranoj afate të vëna nga opozita. Sigurisht që opozita është e mirëpritur të bashkëpunojë jo vetëm për këtë projekt por për cdo projekt tjetër. Për sa na takon ne nuk flasim as shumë por bëjmë shumë më tepër seç flasim dhe besoj që edhe opozitës i takon të shikojë mirë radhët e veta të mos bëj as prokurorin as gjykatësin. Dhe për më tepër atyre që në krye të opozitës bëjnë prokurorin dhe gjykatësin i takon që të reflektojnë mbi faktin që janë objekte dhe subjekte të drejtësisë pavarësisht se në Shqipëri drejtësia ende është e munguar në këtë aspekt”, u shpreh Rama.
I pyetur për arrestimin e Armando Prengës, Rama shprehet se, “në Shqipëri ka filluar një kapitull i ri ku pandëshkueshmëria e famshem që e bëri Shqipërinë turpin e botës ka marrë fund”.
Lidhur me akuzat dhe kërkesën e opozitës për dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, Rama u përgjigj se, “ministri i Brendshëm ka jo vetëm mbështetjen por ka dhe të gjithë respektin dhe admirimin tim për vendosmërinë e tij në këtë luftë jo vetëm me krimin por dhe me politikën që bëhet me krimin”.
Ndërsa për 155 milionë euro që mungojnë në buxhetin e shtetit në 7 muaj, Rama tha se “është e gjitha rezultat i një sërë faktorësh, që nga njëra anë kanë të bëjnë me konjukturat ndërkombëtare”.
Kurse për akuzat e ish-oficerit të policisë Dritan Zagani, kryeministri tha: “Çfarë prisni ju të thotë një njeri që arratiset në shkelje të vendimit të gjykatës dhe që është i akuzuar për dekonspirim të operacioneve të policisë kundër drogës, përvecse të bëjnë atë që bëjnë të gjithë hajdutët kur kapen dhe thonë kapni hajdutin.”
Rama komentoi edhe deklaratën e Vuçiç "unë jam një lider lokal, ndërsa Rama është lider botëror.” “Ka qenë një batutë shumë dashamirëse dhe më ka bërë mjaft për të qeshur”, tha Rama.
Intervista e plotë e kryeministrit Edi Rama në "5 Pyetjet nga Babaramo"
Do doja ta nisinim bisedën nga ngjarja e fundit më e rëndë që ka ndodhur në vend që është arrestimi i deputetit Armando Prenga. Brenda dy vjetëve kemi tre deputetë të kësaj shumice qeverisëse që janë të arrestuar. janë tre dhe nuk kemi të bëjmë me një rast të izoluar por kemi të bëjmë me një fenomen. Përse jeni detyruar t'i drejtoni edhe botës së nëndheshme për të fituar zgjedhjet?
Unë nuk i jam drejtuar as një adrese të nëndheshme. Ata që janë vendosur në listën e deputetëve të PS dhe flasim këtu për dy deputetë që sot janë pa imunitet, janë vënë në listë falë kontributit që kanë dhënë në grupin parlamentar, në zgjedhje si deputetë të PS. Thënë kjo, nga ana tjetër dua të besoj që shqiptarët janë majftueshmërisht të arsyeshëm për të kuptuar një gjë shumë thjesht: Ne nuk njohim asnjë dallim tjetër përveç dallimit mes kujtdo respekton ligjin dhe kujtdo e shkel atë, qoftë nga të tyret qoftë nga tanët, qoftë nga ata që nuk janë as të tyrët as tanët. Këto ndarje që deri dje diktonin sjelljen e pushtetit dhe që e degjeneruan pushtetin ekzekutiv në Shqipëri në një organizatë që merrte në mbrojtje cdo shkelës të ligjit në anën e vet janë trashëgimi që i përket të shkuarës. Ka filluar në Shqipëri një kapitull i ri ku pandëshkueshmëria e famshëm që e bëri Shqipërinë turpin e botës ka marrë fund.
Po flitet nga të gjithë për një dekriminalizim të politikës. Mendoni se është i mjaftueshëm projekti që ka paraqitur së fundi opozita në Parlament dhe për të cilin ka vënë edhe një afat.
Nuk e njoh projektin e opozitës dhe nuk pranoj afate të vëna nga opozita. Sigurisht që opozita është e mirëpritur të bashkëpunojë jo vetëm për këtë projekt por për cdo projekt tjetër. Për sa na takon ne nuk flasim as shumë por bëjmë shumë më tepër seç flasim dhe besoj që edhe opozitës i takon të shikojë mirë radhët e veta të mos bëj as prokurorin as gjykatësin. Dhe për më tepër atyre që në krye të opozitës bëjnë prokurorin dhe gjykatësin i takon që të reflektojnë mbi faktin që janë objekte dhe subjekte të drejtësisë pavarësisht se në Shqipëri drejtësia ende është e munguar në këtë aspekt. Ne do ta cojmë përpara programin tonë, ne do të çojmë përpara edhe këtë proces ashtu sic jemi zotuar me një projektligj të standardeve ndërkombëtare që do të bëjë të mundur që persona të dënuar. Ndërkohë që asnjëri nga dy deputetët që kemi përjashtuar nga PS për këto veprime që bien ndesh krejtësisht me normat e bashkëjetesës sonë dhe me ligjin nuk ka qenë i dënuar, dhe do ta shtrijmë këtë jo vetëm në nivelin politik por në të gjithë administratën. Nuk do të lejojmë më që në administratë të ketë vend për njerëz që janë dënuar për krime të ndryshme sidomos për korrupsion.
Një miku ynë i përbashkët thotë që janë disa zona të vendit ku të dyja partitë kanë kandiduar njerëz me master, dhe me këtë nënkuptonte jo kontribute në shkencë apo dije, por me një bacground kriminal. Përse në këto zona duhet të kandidohen këta njerëz të fortë?
Së pari në asnjë parlament të Europës nuk janë të gjithë shkencëtarë. Parlamentet janë shprehje e përfaqësimit të zonave, të traditave të individëve që gëzojnë respekt dhe kanë influencë në zona të caktuara. Së dyti ky është një proces, Shqipëria është një vend që ka një demokraci të re dhe në këtë proces ka vend për reflektim dhe përmirësime të mëdha por askush sot nuk mundet të bëjë akuzuesin sepse faktikisht jam shumë krenar ta them që ne jemi në krye të një beteje reale për të emancipuar politikën dhe për t'i dhënë asaj një dimension shumë cilësor, edhe në pikëpamjen e përzgjedhjes së kandidatëve për deputet.
Të kthemi tek projekti që ka paraqitur opozita
Nuk e njoh projektin dhe nuk kam si të komentoj një projekt që nuk e njoh. Por ju siguroj që duke pasur parasysh faktin që ne i jemi referuar praktikës ndërkombëtare dhe kemi marrë për bazë ligjin që na është dukur më i përshtatshëm dhe më agresiv ndaj këtij fenomeni, që është ligji "Severino" në Itali gjë që opozita e ka konsideruar si një pikë referimi të rëndësishme, do të mundohemi të gjejmë përputhshmëri sa më shumë mes qasjes sonë dhe të tyre. Por nuk mund të komentoj më shumë se nuk e njoh draftin.
Disa elemente janë bërë publike, që nga afati kohor që duhet të aprovohet brenda shtatorit, që deputetët në momentin e betimit duhet t'i nënshtrohen testit të drogës, apo që të inkriminuarit menjëherë humbasin mandatin.
Po them edhe njëherë nuk e njoh draftin.
Po këto klauzola i pranoni?
Nuk do të doja të spekluloja mbi këtë fakt. Unë kam një standard pune që unë di parimin dhe unë udhëheq mbi bazën e parimeve ndërkohë që gjithë zbërthimin e parimit dhe transformimin e tij në një mekanizëm ligjor e bëjnë njerëzit që ne kemi dhe nuk i kemi të pakët, që janë profesionist në atë punë. Të njëjtën gje kemi ndjekur edhe me reformën në drejtësi.
Një tjetër avion me drogë është kapur gjatë ditëve të fundit i nisur nga Shqipëria në Itali. E pranoni që keni dështuar në luftën kundër narkotikëve?
Jo vetëm që ne nuk kemi dështuar por të gjitha rezultatet shembullore flasin për faktin që ky fenonen i kthyer në një kancer në trupin e vendit dhe të shoqërisë sonë ka filluar të luftohet seriozisht vetëm pas ardhjes sonë në qeveri dhe fakti që ne jemi shumë aktiv në kapjen e trafikantëve, në kapjen e sasive që tentohen të trafikohen, në kapjen dhe eliminimin e të gjitha atyre prodhimeve të paligjshme në territor bën që çdo ditë të ketë lajm për këtë punë. Por lajmi është që kapen, asgjësohen, kështu që kjo është një luftë që vazhdon dhe nuk është një luftë e mbyllur përfundimisht.
Të dyja rastet e avionëve, një trafik me përmasa të mëdha, brenda një jave dy avionë janë kapur nga policia italiane jo nga ajo shqiptare.
Së pari, më lejoni të them që kjo është një gënjeshtër sepse operacioni i kapjes së trafikantëve që tentuan të bëjnë trafik me avion ishte një operacion i koordinuar plotësisht mes të dy policive dhe rezultatet e larta në këtë betejë janë rezultat i faktit që ka filluar një koordinim intensiv operacional qysh se ne kemi ardhur në qeveri me autoritetet italiane që kishin hequr dorë nga cdo përpjekje për të bashkëpunuar me policinë shqiptare pasi cdo gjë dekonsiprohej. Do të doja shumë të ishim seriozë dhe të vërtetë. Ne nuk jemi magjistarë, nuk kemi një fuqi të mbinatyrshme për të zhbërë fenomene dhe metastaza të një kanceri të ushqyer për vite të tëra në të gjithë sektorët, por ne kemi kurajon dhe vullnetin dhe padyshim vizionin e duhur për të bërë që Shqipëria të shërohet nga gjithë këto fenomene. Dhe ne do ta shërojmë Shqipërinë le të thonë çfarë të duan ata që janë shkaktarë apo thjesht spektatorë që merret me këto çështje.
Është fakt që Lazarati u mbyll nuk mbillen më plantacione hashashi...
Lazarati u mbyll por Lazarati nuk përbënte më lajm për askënd nga ju, dhe përbënte lajm vetëm për mediat ndërkombëtare. Të gjithë këtu ishin pajtuar me faktin që Lazarati ishte një republikë autonome e drogës se jo vetëm politika por askush tjetër nuk kishte cfarë të bënte.
Por ndërkohë Lazarati është zëvendësuar nga Lumi i Vlorës, Tepelena apo Dukagjini?
Kultivim të paligjshëm të kanabisit nuk ka pasur vetëm në Lazarat por në të gjithë territorin e Shqipërisë. Dhe duke e goditur në mënyrë intensive e kemi nxjerrë atë në pah ndërkohë që deri para dy vjetësh as nuk luftohej as nuk goditej. dhe ky është fakt.
Cili është qëndirmi zyrtar i kësaj shumice qeverisëse, nëse kemi parasysh se një nga deptuetët e rëndësishëm të kësaj shumice zoti Kokëdhima i cili së fundi u bë dhe koordinator i PS-së për jugun kërkon legalizimin e hashashit?
Së pari, juve nuk keni asnjë autoritet (jo juve personalisht) dhe asnjë mandat për të komentuar se si organizohet së brendshmi PS për sa kohë nuk jeni anëtar të PS. Së dyti duke thënë kryeministër i jugut, koordinator i jugut ju bëni një spekulim shumë të madh sepse faktikisht ne jemi organizuar në funksion të fushatës së zgjedhjeve në parti dhe të fushatës për hapjen dhe zgjerimin e radhëve të parisë me anëtarë të rinj dhe në bazë të tij kemi vendosur 6 drejtues të cilët kanë një përgjegjësi më shumë dhe nuk kanë ndonjë post, ndonjë vlerësim dhe aq më pak ndonjë detyrë kryeministrore me tendencë për të sunduar në ndonjë krahinë të vendit. Debati për kanabisin mjekësor është një debat që bëhet lirisht në të gjithë planetin, një debat që në vende të ndryshme është kthyer edhe në legjislacion. Sot për kanabisin ka një përplasje shumë të madhe opinionesh, dhe nuk ka asgjë të keqe që edhe këtu opinione të cilat shkojnë në favor të shfrytëzimit të kanabisit për qëllime mjekësore dhe sigurisht pastaj me impakt të rëndësishëm ekonomik siç ndodh në SHBA apo sic po ndodh në shumë vende të tjera. Dhe që një apo disa deputetë të kenë ide alternative, t'i shprehin dhe të diskutojnë për to s'ka asnjë faj dhe asnjë krim.
Ju i mbështesni ato?
Fakti që ka deputetë të cilët edhe brenda shumicës kanë idetë e tyre dhe sigurisht duke respektuar plotësisht kornizën e bashkëjetesës së PS, nuk do të thotë që idetë do të gjejnë me cdo kusht mbështetje. Ne kemi qenë shumë të qartë dhe unë kam qenë i bindur që debati për kanabisin si një burim i shëndetshëm ekonomie dhe si një burim për farmaceutikën është shumë i parakohshëm për Shqipërinë në kushtet kur ne duhet ta luftojmë atë dhe të asgjësojmë të gjithë pjesët e rrjetit kriminal që e tregton atë në mënyrë të paligjshme. Kështu që kjo është fare e qartë dhe nuk duhet të habitemi pse ka dikush një ide alternative. Ndërkohë që e keqja nuk na vjen nga idetë alternative, e keqja na vjen nga besoj unë, nga shfaqjet e protagonizmit anarkik apo nga sjelljet tërësisht jo kompatibël me rregullat tona të bashkëjetesës dhe me domosdoshmërinë e kompaktësi së të gjithë PS shumicës në funksion të programit tonë të reformave.
Si i gjykoni akuzat që ka bërë një ish-oficer policie nga Italia për ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri duke e akuzuar se të afërm të tij me mjetet në pronësi të ministrit ushtrojnë aktivit të paligjshëm trafik narkotikës?
Nuk është aspak anormale që kriminelë apo njerëz që i arratisen ligjit të përpiqen të krijojnë alibira, aq më tepër kur në rastin konkret kanë paraqitur dhe kërkesë për azil politik mbasi i kanë ikur edhe detyrimit ligjor për paraqitje duke thyer vendimin e gjykatës. Bota është e mbushur me kriminelë çfarëdolloj që edhe kur shfaqen si të penduar shpeshherë çorodisin dynjanë për të fituar diçka për vete dhe për të fituar edhe bashkëpunimin me drejtësinë që ka qenë një temë shumë e diskutuar edhe në Itali se jo pak prej tyre shfrytëzuan pozicionin e të penduarit për të çorientuar luftën ndaj krimit. Unë habitem si mund të befasohet gjithë ky milet, por mileti nuk ka faj, përgjegjësia është e përçuesve të informacionit që në mënyrë të njëanshme dhe pa asnjë qëndrim analitik bëhen promotor të opinioneve të një njeriu që është i kërkuar nga drejtësia. Çfarë prisni ju të thotë një njeri që arratiset në shkelje të vendimit të gjykatës dhe që është i akuzuar për dekonspirim të operacioneve të policisë kundër drogës, përveçse të bëjnë atë që bëjnë të gjithë hajdutët kur kapen dhe thonë kapni hajdutin. Është për të ardhur keq, por s'ka më çfarë të na vi as keq, se na ka shteruar gjithë kapaciteti i keqardhjes me PD, që ky zotëri me një vendim qeverie është bërë pronar i një objekti shtetëror të Ministrisë se Brendshme. Pra është tërësisht i pabesueshëm dhe i paragjykuar.
Ju vetë jeni i kënaqur me punën e ministrit Tahiri?
Ministri i Brendshëm është në krye të një beteje që pa as më të voglin ekzagjerim unë e quaj historike kundër krimit dhe të gjithë atyre shfaqjeve të veprimarive kriminale të mëdha apo të vogla që e bënë Shqipërinë të zvarritej deri kur shqiptarët vendosën të na besojnë ne qeverisjen e këtij vendi. Dhe nëse juve apo të tjerëve nuk i bën përshtypje fakti që këtë vit falë punës intensive të bërë kemi 50 % më pak vrasje në Shqipëri sesa krahasuar me cdo vit të këtij tranzicioni për mua ky është suksesi i parë i madh dhe i prekshëm i Policisë së Shtetit. A është Policia sot trupa që ne kemi ambicien të krijojmë? Ende jo. Ne duam të bëjmë një polici Shteti shembull sipas standardeve evropian dhe që të arrijë që ne të krahasohemi jo me të shkuarën por me rajonin në radhë të parë dhe pastaj me BE.
Opozita ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, ai e gëzon ende mbështetjen tuaj?
Opozita ka punën e vet, puna e saj është të flasë, fol fol se dicka do të mbetet, ndërsa ne flasim me punë. Ministri i Brendshëm ka jo vetëm mbështetjen por ka dhe të gjithë respektin dhe admirimin tim për vendosmërinë e tij në këtë luftë jo vetëm me krimin por dhe me politikën që bëhet me krimin. Janë dy anë të një medalje që me ose pa dashje i shërbejnë njëra-tjetrës, si ata që merren me veprimtari kriminale, si ata që kriminelët i kthejnë në heronj të ditës e deri në monumente që janë dëshmi e censurës në Shqipëri. Turp!
PD ka kërkuar edhe dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit. Ju zotit Meta cfarë do t'i këshillonit?
Unë nuk kam asnjë këshillë për t'i dhënë kryetarit të Kuvendit sepse ashtu si edhe në raste të tjera opozita nuk ka asnjë besueshmëri dhe mbi të gjitha është e qartë që cdo lloj mundësie sado të vogël apo të pamundur kërkon ta kthejë në një alibi për të kërkuar dorëheqje, për të filluar revolucione demokratike. Parafytyroni që tentoi ta bënte këtë duke shfrytëzuar një fantazi të jashtëzakonshme si ajo e përgatitjes së atentatit për dy deputetë. Turp!
Të kthemi te skandali që është denoncuar së fundi lidhur me CEZ. Ju cfarë informacioni keni, është i përfshirë zoti Meta në këtë histori?
Ne kemi publikuar përgjigjen e studios së avokatëve dhe përgjigja ka qenë shumë e qartë, kështu që unë nuk kam asnjë koment për të shtuar për këtë gjë. Ata që kanë marrë përsipër të gërmojnë dhe të nxjerrin në dritë të vërtetën duhet të gërmojnë më shumë se deri tani nuk kanë sjellë asnjë provë për të justifikuar kërkesën për dorëheqje të kryetarit të Kuvendit. Ata nuk janë avokatë të paguar nga qeveria, janë avokatë të kompanisë të marrë më parë sesa ne të vinim. Por mbi të gjitha janë një studio me reputacion ndërkombëtar dhe nuk janë avokatët e Kristalit që mund të përdorin për të lëshuar mesazhe në drejtime të gabuara dhe të mund të miklohen për interesa banale të provincës sonë.
Në raportin e tyre thuhet një ish-kryeministër, ju kanë informuar se kush është ky ish-kryeministër?
Kompania nuk është e qevrisë shqiptare, është kompani e pajtuar nga kompania e Shpërndarjes se Energjisë përpara se ne të vinim në qeveri. Dhe ajo kompani është pajtuar për të bërë mbështetjen juridike të të gjithë proceseve që ka pasur nevojë kompania jonë e Shpërndarjes, kështu që ata nuk kanë asnjë detyrë të më informojnë mua përveçse në rastin kur për t'iu përgjigjur një pyetje të një gazete, nëpërmjet zyrës së Avokaturës Përgjithshme të Shtetit ne kërkuam sqarim mbi atë citim jo korrekt mesa duket që i bëhej atyre, dhe ata u përgjigjën në mënyrë shumë korrekte.
U aludua në korridoret e politikës se kishit dhe ju pak dorë për ta mbajtur nën kontroll Metën...në media...
Ata që rrinë në korridore edhe lodhen dhe kanë nevojë të argëtojnë njëri-tjetrin për të shtyrë kohën nga mungesa e lajmeve me të cilat ushqehen dhe ndërkohë kanë nevojë që atyre që s'janë as në korridor tju hiqen si të rëndësishëm dhe të sajojnë telenovela nga ato me të cilat jemi mësuar 20 e kusur vite në këtë vend. Kështu që unë thjesht dhe vetëm i mirëkuptoj, bëjnë dhe ata punën e tyre, paguhen dhe ata për atë punë, është profesioni që kanë zgjedhur. Por sidoqoftë korridori është i lodhshëm.
Si po shkon koalicioni me LSI, Meta është një partner i domosdoshëm për qeverisjen tuaj, apo i bezdisshëm?
Këto janë diskutime që mund t'i bëni në korridor me bashkëkolegët dhe bashkëvuajtësit e kolegut, nuk janë diskutime për mua.
Edhe si vëzhgues i jashtëm, konstatojmë që ka dicka që nuk shkon...
S'e di unë thjesht kam vetëm merak për ju që merreni me gjëra që janë anësore dhe që në fund fare nuk kanë lidhje me të vërtetën. E vërteta është që ne jemi të angazhuar në një proces shumë të rëndësishëm reformash. Unë vetë personalisht nuk e kam fare mendjen se çfarë thashethemoni e cfarë sintetizoni me burime në aspektin jo si e ka marrëdhënien ky me këtë, kur do ndahen, me kë do martohet ky, sepse ne jemi të angazhuar në një front të vështirë, atë të luftës kundër informalitetit pasi në aspektin e hapësirë ekonomike dhe tregtare Shqipëria prej 25 vitesh është në gjendje lufte. Dhe ne duam të vendosim në këtë hapësirë paqen ku cdokush të fitojë atë që meriton. Këto janë cik si ato të spiunëve, kasketave që shkonin nga Liqeni për të përgjuar ciftet.
Nuk u përgjigjët, Meta është partner i domosdoshëm apo i bezdisshëm?
Ne jemi në koalicion, koalicioni funksion. Sigurisht që ne ndeshemi me problematika të rënda të trashëguara, një ndër to është një administratë disfunksionale që do të duhet mund, kohë dhe padyshim shumë vendosmëri për ta ndërtuar dhe sigurisht nuk do të kursejmë askënd. Sigurisht sfidat tona janë të shumë mëdha por ju siguroj që nuk ka asnjë arsye për të vënë në pikëpyetje as koalicionin, as marrëdhëniet mes meje dhe kryetarit të Kuvendit. Ne të dy drejtojmë këtë koalicion.
A keni një plan për të ndryshuar Kodin Zgjedhor dhe në marrëveshje me PD të bëni një ligj elektoral me proporcional me prim që ai që del i pari merr dhe një si bonus me 10-20 mandate?
Mbi bazën e raportit të ODIHR në bashkëpunim me PD sigurisht, do të gjejmë rrugën për të përmirësuar Kodin Zgjedhor. Kur them bashkëpunim me PD, kam parasysh atë si forcë parlamentare e opozitës se vetëm kanë mbetur mesa kam parasysh dhe ne si shumicë do të bëjmë realitet premtimin që do të implementojmë çdo rekomandim të raportit OSBE/ODIHR.
Këto ndryshime do të bëhen me apo pa pëlqimin e LSI, jeni të gatshëm t'i bëni edhe pa pëlqimin e LSI?
Ne jemi një koalicion dhe koalicioni ngrihet mbi një partneritet strategjik. Përderisa deri tani cdo gjë e kemi bërë bashkë. Unë nuk kuptoj nga ka ardhur nevoja për të ngritur pyetje të tilla...vera ka mbaruar, pushimet kanë mbaruar, kampingu në Jalë është mbyllur, jemi në punë dhe nuk ka më kohë për të humbur kohë prandaj zgjohuni dhe vëruni punës. Edhe ne edhe LSI kemi pasur në Jalë veprimtari me rininë. Gjatë verës ju ishit keq për lajme se ndryshe nuk do ishit kuturisur në gjithë atë fantazi lidhur me krisjen e koalicionit. Unë kam qenë aktiv sepse kanë qenë pushimet e para me Zahon dhe Zaho është një burim i madh motivimi dhe aktivizimi, sigurisht edhe Iliri ka qenë aktiv se ka qenë aje me gjithë atë mas të rinjsh dhe kemi qenë të detyruar të ndërhyjmë kur kemi parë që ndërkohë që Shqipëria votoi në drejtimin e duhur juve ju kaloi vera në drejtimin e gabuar.
Ju dhe z.Meta u përpoqët që të qetësonit opinionin publik…
Ne nuk u përpoqëm që të qetësonim opinionin publik se opinion publik ishte me pushime për qejfin e vet, por ne thjesht u përpoqëm që t’u qetësojmë juve (mediat)
T’i qëndrojmë metaforës së verës, për shumë çështje të rëndësishme nuk ishit në të njëjtën barkë. Përshembull tek reforma në drejtësi, ju thatë që nuk do presim opozitën, ndërsa z.Meta u shpreh në mënyrë taksative që nuk ka reformë pa opozitën
Ne do ta bëjmë reformën në drejtësi me ose pa opozitën. Sigurisht që në jemi shumë të prirur që ta bëjmë bashkë me opozitën, por opozita s’ka asnjë shans të marri peng reformën në drejtësi.
Jeni konsultuar me z.Meta për këtë se ky është një detaj shumë i rëndësishëm?
Po kërkon qimen në vezë, kalojmë në çështje më të rëndësishme se këto janë skorjet e një furrnalte vere.
A ju ka kërkuar z.Meta të ndryshojë ministrat e tij?
Jo, asnjëherë.
Pra nuk ka kërkuar ndryshime në qeveri?
Asnjëherë. Por edhe nëse kjo do të ndodhë, të jeni të sigurtë se kjo do të ndodhë në kuadrin e atyre që kemi thënë më parë. Pra do të ndodhë vetëm kur një ministër do të jetë përgjegjës për diçka që e pengon bashkëjetesën tonë.
Jeni i kënaqur me punën e të gjithë ministrave?
Unë jam i kënaqur me punë e të gjithë qeverisë. Po jam i kënaqur për faktin se jemi në ritmin e parapërcaktuar dhe kemi plotësuar ato objektiva që i kemi vënë vetes. Nuk po them që jam i kënaqur me atë çka ne duhet të arrijmë. Ka ende shumë punë për të bërë.
Një aleat i juaj parlamentar, Shpëtim Idrizi ka kërkuar ndryshime në qeveri dhe përfshirjen e PDIU-së në qeveri, do funksionojë koalicioni?
Qeveria nuk do ndryshojë. Qeveria është produkt i mandatit të zgjedhjeve të 2013 dhe është kontratë me popullin shqiptar. Nëse PDIU-ja do të jetë me ne në 2017, atëherë kjo do të jetë pjesë e diskutimit për kontratën e re që do të bëjme me shqiptarët.
Opozita thotë se gropa në buxhet është diku tek 150 milionë euro në 7 muaj, është shifër e saktë?
Është shifër e saktë. Është 155 milionë në s’gabohem dhe është e gjitha rezultat i një sërë faktorësh, që nga njëra anë kanë të bëjnë me konjukturat ndërkombëtare. Përshembull një pjesë e rënies së të ardhurave lidhet me rënien e çmimit të naftës e mineraleve në konjukturën ndërkombëtare. Ka të bëjnë edhe ndryshimet që kemi bërë për të stimuluar biznesin, pra nuk kemi marrë para në buxhet, ama ato para i ka përfituar biznesi, siç është heqja e TVSH-së për makineritë. Ka të bëjë me inflacionin që ka qenë më i ulët se sa kur u bë plani. Ka të bëjë me rimbursimin automatik të TVSH-së. Ka të bëjë me faktin që një pjesë energjie që e kishim parashikuar për import nuk e kemi realizuar. Ka të bëjë me cigaren, ku rritja e akcizës qëllimisht për të dekurajuar duhanpirjen ka pasur efektin e vet. Ndërkohë që kemi edhe 70% rritje të importit të letrës së duhanit sepse ka një rilindje të prodhimit të duhanit vendas, por që ka nevojë për formalizim. Të gjithë këta komponentë së bashku me metodën tradicionale të formalizimit, për të cilën ne punojmë së bashku me Qendrën për Zhvillim Ndërkombëtar të Harwuard për ta modernizuar, kanë sjellë në një mos përputhje me çfarë kishim planifikuar me çfarë kemi marrë. Nga pikëpamja e subtacës ekonomia është stimuluar ndjeshëm se një pjesë të konsiderueshme të të ardhura që nuk kanë shkuar në buxhet, por kanë shkuar si lehtësi për sipërmarrjen.
Kuponin tatimor dhe kasat fiskale i keni kthyer në prioritetin numër 1 të qeverisjes aktuale, por a mendoni se evazioni nuk qëndron tek biznesi i vogël, por tek biznesi i madh?
Absolutisht kështu mendoj, por nga ana tjetër duhet kuptuar se biznesi i vogël që shet është pika fundore e një zinxhiri që zanafillën e ka tek biznesi i madh. Kuponi bllokon pikën fundore, pra nëse ne e marrim kuponin, atëherë gjithë zinxhiri i evazionit që e ka hallkën fundore tek shitësi me pakicë, faktikisht paralizohet. Kuponi është njëra anë por kemi edhe faturën tatimore për kompanitë e mëdha kështu që edhe penalitetet i kërkojmë të jenë më dy shkallë. Për kuponin do të jetë herën e parë penaliteti 5 milionë lekë të vjetra, ndërsa për grositët 100 milionë lekë të vjetra, pra 100 mijë dollarë do të jenë penalizimet nëse do të gjenden inventare të parregullta ku ka mall që kalon në zinxhirin e informalitetit. Kjo është arsye pse nuk mund të luftohen dot të mëdhenjtë që bëjnë evazionin pa pasur bashkëpunimin e qytetarëve që duhet të marrin kuponin për të bllokuar shfryrjen e atyre parave që duhet të vijnë në buxhet në xhepat e kompanive.
Cfarë ka që nuk shkon në ekonominë shqiptare, ende nuk ka dalë nga periudha e krizës së vazhdueshme?
Ekonomia shqiptare ka dalë nga kriza por do akoma kohë që të vrapojë. Sot jemi kthyer në ciklin e rritjes ekonomike. Kemi pasur një rritje ekonomike 2.88 në tremujorin e parë që prej vitesh nuk e kishim, por sigurisht që impakti i drejtpërdrejtë tek xhepat e konsumatorëve do të kërkojë kohë që të jetë plotësisht i ndjeshëm. Ndërkohë që shifrat e konsumit flasin qartë, kemi rritje të vazhdueshme të konsumit, shqiptarët konsumojnë më shumë. Ekonomia ka filluar të japë shenja rigjallërimi. Padyshim që na duhet ende shumë punë dhe këto reforma janë operacione të domosdoshme në luftën me një kancer sistemi në të gjithë organet e organizmit të ekonomisë dhe të funksionimit të shtetit tonë që kërkojnë kohë sipas një operacioni të rëndë për rehabilitim dhe pastaj në kthimin në jetën normale të një pacienti.
A mendoni duke qenë në këtë periudhë konvaleshence ekonomia...
Nuk është në periudhë konvaleshence ekonomia, ekonomia është në lëvizje të vazhdueshme në drejtimin e duhur. Sigurisht që ka ende punë për të arritur në një moment ku të gjithë do të ndjejnë vibrimin e ekonomisë.
Kjo ndërhyrje e fortë edhe me strukturat e Policisë në biznes, a ka fuqi e përballon dot biznesi? Deri tani kemi të bëjmë me një ekonomi gati informale gjysmë gri që është në gjendje embrioni që kërkon të rritetn. Nëse ndërhyhet në mënyrë drastike, mendoni se ju veni t'i merrni taksat dhe ata do e mbyllin?
Nuk e mbyll askush që pranon të fitojë atë që i takon. Kur do të fitosh dhe atë që s'të takon e do të futësh në xhep atë që i takon konsumatorit si qytetar nëpërmjet shërbimeve më të mira dhe investimeve të shtetit nëpërmjet uljes së taksave dhe rritjes së rrogave, sigurisht që kjo dhemb. Por është koha të kuptohet se epoka e këtij mashtrimi të madh ka marrë fund dhe sic e kemi bërë me energjinë do ta bëjmë edhe me informalitetin.
Ç'përshtypje ju lanë qepenët e mbyllur te "Myslym Shyri", tek "Rruga e Kavajës"?
Së pari, ne kemi bërë në dy vjet një punë kolosale ndaj informalitetit. Në 2013 në Prodhimin e Brendshëm kontributet e njerëzve nëpërmjet taksave dhe tatimeve kanë qenë më pak se 24%, këtë vit ne presim një rritje 27 % dhe kjo e gjitha është pjesë e formalizimit. Është koha ta ngrëmë administratën tatimore në një nivel më të lartë duke goditur të gjithë ata që nën uniformën e inspektorit të Tatimeve dhe në bashkëpunim me evazorët grabisin qytetarët. Për ketë arsye në paketën administrative do të ketë një ndëshkim të ashpër penal për fshehjen e aktivitetit ekonomik nga ana e inspektorëve të tatimeve apo për bashkëpunimin për t'i ikur detyrimeve tatimore. Ato qepena ishin një shenjë shumë pozitive e vetëdijes se koha e konkurrencës së pandershme, koha e të jetuarit duke ja hedhur atij tjetrit pranë që paguan tatimet ndërkohë që ti shet dhe nuk paguan asgjë, po perëndon.
Keni fiks dy vjet që keni hyrë në zyrat e qeverisjes dhe nuk kemi një investitor të madh që të ketë ardhur në Shqipëri, të paktën të dimë publikisht.
Investitorët e mëdhenj nuk vijnë si ata që shkojnë regjistrohen mbasi kanë mbyllur qepenin, por kërkojnë kohë, garanci dhe besim. Dhe Shqipëria që ne morëm kishte humbur çdo besim dhe nuk përbënte asnjë garanci për investitorët. Ajo që po bëjmë me Shqipërinë dhe imazhin e saj është një punë kolosale dhe kemi rezultate shumë të mira. Ne kemi sot një rritje të investimeve të huaja, të kompanive të huaja të vogla, kemi disa kompani të mëdha me të cilat po negociohet për të hyrë në sektorin e naftës që do të jenë më në fund emra të mëdhenj me reputacion ndërkombëtar dhe jo fantazma si ato që e kanë shkatërruar një pjesë të mirë të kësaj pasuri kombëtare dhe i kanë penguar shqiptarët të marrin atë që i takon nga kjo pasuri. Kemi në diskutime disa investime të rëndësishme, janë procese bindëse reciproke për të afruar investitorë të mëdhenj. Për herë të parë, kemi pasur në Financial Times lajmërimin për një zonë e parë realisht ekonomike dhe industriale të standardeve ndërkombëtare dhe nga ana tjetër pas një përgatitje shumë të gjatë me ekspertizë ndërkombëtare të jeni të bindur që aty do të kemi sukses dhe do të celim parkun e parë realisht industrial ku do të punësohen mijëra e mijëra njerëz dhe do të kemi shumë kompani që kanë shprehur interes për të qenë pjesë e asaj zone ekonomike. Kemi investime po ashtu të rëndësishme edhe në energji, një pjesë janë në proces konsolidimi dhe pastaj realizimi. Jam i bindur që në fund të këtij remonti kapital do të jenë krijuar kushtet që Shqiëpria të kalojë në një fazë të re të zhvillimit të saj.
Por gjendja ekonomike është e tillë zoti kryeministër që Shqipëria ka një depresion social të tillë që pas Sirisë shqiptarët janë të dytët që kërkojnë azil...
Nuk po mundohem të mohoj që ka shqiptarë që mundohen të kërkojnë rrugë të tjera, askush nuk mund t'i pengojë njerëzit të kenë ëndrra më të mëdha se sa kufijtë e vendit të tyre. Po të shikoni trendin e ikjes nga vendet të atyre që janë futur më parë në BE, janë të qarta dhe natyrale. Bullgaria me statistika, përpara se të bashkohej në BE kishte vetëm 14 % të njerëzve që donin të jetonin aty. Flukset e ikjes nga Polonia, Republika Çeke, nga Sllovakia kanë qenë masive dhe të natyrshme. Edhe Shqipëria nuk bën përjashtim nga i gjithë Rajoni. Sidomos në zona të vështira të rinjtë kanë të drejtë të thonë që "ç'të pres më unë këtu se duhen 10-15 vjet që unë të marr atë që mund të marr duke ikur diku tjetër. Por bëjnë gabimin e madh që këtë e kërkojnë nëpërmjet rrugës me shumë shpenzime dhe praktikisht me fund të palumtur që është ajo duke e kërkimit të azilit politik. Në numrin e Shqipërisë një masë shumë të konsiderueshme e kanë shqiptarët që kanë punuar për shumë kohë të gjatë në Greqi dhe tentojnë drejt Gjermanisë për të gjetur një vazhdimësi normale të jetës që i është ndërprerë nga kriza në Greqi. Të rinjtë duhet të kuptojnë që kanë një mundësi reale për tu punësuar në Gjermani si punonjës të ligjshëm nëse më parë i nënshtrohen një praktike profesionale në shkollat e edukimit profesional që ne po i transformojmë dhe kemi një projekt me gjermanët për t'i zgjeruar dhe fuqizuar, dhe mund ta realizojnë ëndrrën e tyre në rrugë të ligjshme. Rruga e azilit është e pamundur dhe e paligjshme.
Flasim pak për Samitin e Vjenës...Përse nuk u kërkua nga qeveria shqiptare ndërtimi i Korridorit të VIII?
Ne kemi punuar një vit për të përcaktuar rrjetin e konektivitetit dhe Korridori VII është pjesë e rrjetit. Por prioritetet janë vendosur në bazë të impaktit të vlerësuar me ekspertizën e Komisionit Evropain të atyre investimeve që lidhen drejtpërdrejtë me unionin. Pra nëse flasim për Korridorin e Kaltër që lidh jugun e Kroacisë, Malin e Zi, Shqipërinë me Greqinë, që kur unë e kam hedhur si ide këtu të gjithë bënin humor dhe thonin do kalojë me motoskaf, është i BE-së që plotësohet dhe përmbushet dhe që ka një impakt të jashtëzakonshëm në ekonominë e vendit tonë. Korridori VII është pjesë e paketës së projekteve pa dyshim.
A mendoni se kanë të drejtë ata që ju sulmojnë për Samitin e Vjenës se tentuat të bëni një show mediatik, ndërsa Vucic u tregua më pragmatist- të paktën arriti të realizojë ëndrrën e kancelarisë serbe për të dalë në Durrës..
Kjo është një marrëzi shqiptarësh të painformuar që i bëjnë kritikat nga buza e filxhanit të kafesë turke. Dy ishin projektet prioritare, Adriatiko-Joniani që është Shqipëria, Serbia s'është fare këtu dhe rruga Nish-Prishtinë-Durrës e cila do të bëhet e standardeve evropiane. Nëse mendoni se rruga Durrës-Kukës ka standarde evropiane po ju them që nuk merr dot certifikatën nga BE se ka pjesë të tëra të veta që janë të pambaruara. Kjo është një llogari shumë profane sepse nga interkonektiviteti fitojnë të gjitha palët; Serbia fiton mundësinë që të qarkullojë njerëzit dhe mallrat e veta më lirisht por dhe ne fitojmë mundësinë që të qarkullojmë njerëzit dhe mallrat tonë më lirisht. Por mos harroni që bilanci tregtar mes Serbisë dhe Kosovës është më i larti tregtar në Rajon mes vendeve të Rajonit.
Si ju duk deklarata e Vucic "unë jam një lider lokal, ndërsa Rama është lider botëror?
Ka qenë një batutë shumë dashamirëse dhe më ka bërë mjaft për të qeshur.
Do vijë për ta parë ndeshjen Vucic?
Do të vijë. Nëse nuk do të ketë ndonjë emergjencë të një natyre tjetër që nuk përjashtohet asnjëherë në punën e një kryeministri, do të vijë.
Përse duhet të ndërhynte shteti në Kishën e Dhërmiut...u rrafshua një objekt kulti?
Ishte një projekt i bashkisë për të rrafshuar një garazh pa leje që përdorej për kishë fatkeqësisht për besimtarët, ishte ndërtuar mbi rrënojat e një monumenti me rëndësi kombëtare të historisë dhe të trashëgimisë sonë kulturore. Unë e di që ndërtimet e kësaj natyre i prish shteti.
Do kërkoni bashkëpunimin e Kishës për ta ndërtua?
Nuk kemi asnjë problem me Kishën, dhe sa herë kisha kërkon bashkëpunim me ne jemi në dispozicion. Janë 38 kisha vetëm në Dhërmi, nëse duan një të 39, një të 40, të 45 patjetër bashkia do të bashkëpunojë me kishën ortodokse me të cilën marrëdhëniet kanë qenë gjithmonë të shkëlqyera. Sigurisht që kemi pasur edhe ngacmime, por që shumë tretësore. Se një konflikt tjetër është bërë për atë gardhin e shëmtuar dhe krejtësisht pa asnjë sens urban rreth katedrales ortodokse. Pasi ne kemi ndërhyrë dhe ata i janë referuar prapë emocionalisht 67-ës sot janë të gjithë të lumtur me atë që po bëhet mes oborrit të PS dhe kishës. Këto cështje s'kanë të bëjnë fare me fenë, me marrëdhëniet e shtetit me kishën, janë cështje të administrimit të përditshëm.
Pavarësisht dëshirës së mirë për të nderuar murgun që ka përhapur do të ishte më e udhës të kërkonit bashkëpunimin e Kishës, se është një territor në pronësi të Kishës.
Nuk është për të nderuar murgun kjo, kjo është për të nxjerrë në dritën e syve tuaj dhe të fëmijëve tanë një histori shqiptare të mrekullueshme që nuk e di asnjë njeri dhe që gjendet e varrosur nën peshën e një garazhi të ndërtuar pa leje. Kisha nuk e ka në pronësi, dhe nga kisha nuk ka ardhur asnjë shqetësim nga Kisha.
Si e shpjegoni që kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare shqetësimin nuk e pasqyroi tek kryeministri shqiptar por tek ai grek?
Unë nuk e di çfarë ka folur me kryeministrin grek, unë dua t'i besoj atij kur thotë që "s'jemi marrë me këtë punë".
Komunikim keni pasur pas rrafshimit të atij garazhi?
E kam takuar në takimin për lutjen për paqen, jemi takuar me një mall shumë të madh se kishim shumë kohë pa u parë dhe nuk kam ndjerë absolutisht asnjë problem sepse kam një marrëdhënie shumë të mirë me të. Për mua nuk ka asnjë problem në këtë marrëdhënie. Unë di vetëm kaq, koha kur fqinjët kujtonin ose vepronin sikur në hapësirën e besimit ortodoks kishin autoritet shtetëror dhe politik ka vdekur, ortodoksët shqiptarë janë shqiptarë nuk janë grekë. Ortodoksët e minoritet grek, njësoj si ortodoksët shqiptarë kanë të gjithë lirinë e barabartë të ushtrimit të besimit të tyre. Por që forcë tjetër jashtë kornizës kushtetuese të Republikës së Shqipërisë që të vijë të na tregojë ne se ç'duhet të bëjmë këtu me këtë dhe atë unë nuk njoh.
Cilat janë marrëdhëniet tuaja me administratën Obama. Flitet në media që do të ketë një samit të vendeve të Rajonit ku ju si kryeministër i Shqipërisë nuk do të jeni...
Le ta shikojmë...
Do të jeni, ka ardhur ftesa?
Ta shikojmë meqë flitet në media ta shikojmë se sa shumë informacion keni ju që i fryni ketyre fantazive.
Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)