Sipas kësaj memoje, propozimet që parashikohen në aktet e dekriminalizimit, tejkalojnë kompetencat e kuvendit.
Sipas zyrës juridike, duke qenë se projektvendimi ka karakteristikat e një akti normativ me fuqi në të gjithë vendin, ai del jashtë kompetencave të Kuvendit.
Zyra juridike bën të ditur se, funksionin e vet kushtetues legjislativ, Kuvendi nuk mund ta ushtrojë përmes projektvendimeve, por nëpërmjet ligjeve.
Në memo cilësohet si shkelje kushtetuese fakti një projektvendim, që votohet me shumicë të thjeshtë, i ngarkon Prokurorisë detyra, që sipas Kushtetutës ajo mund t’i kryejë vetëm me ligj.
“Prokuroria e Përgjithshme, si një institucion kushtetues i pavarur, ka një praktikë të konsoliduar në fushën e hetimit, ndjekjes penale, si dhe në marrëdhëniet me institucionet homologe të shteteve të tjera, bazuar në Kodin e Procedurës Penale dhe legjislacionin që ka lidhje me të.Në këtë kontekst çështjet e parashikuara në këtë projektvendim të Kuvendit, duhet të gjejnë rregullimin e tyre, në aktet që trajtojnë procedurat e parashikuara për funksionimin e Prokurorisë, apo edhe në ligjin organik të saj.Konstatohet se, miratimi me Vendim nga Kuvendi, me një shumicë të thjeshtë (referuar bazës ligjore të projektvendimit), sjell përpjasje në hierarkinë e normave, pasi aktet e prokurorisë janë të miratuara me një shumicë të cilësuar prej 3/5 e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Gjithashtu, bazuar në nenin 118, paragrafi i dytë i Kushtetutës, ligji 138/2015 ka autorizuar Kuvendin që me vendim të tij të rregullojë disa çështje, por në asnjë rast nuk e ka autorizuar atë për rregullimin e çështjeve të sipërpërmendura. Mbi sa më sipër, vlerësojmë se projektvendimi i propozuar ka tejkaluar autorizimin e ligjit.” thuhet në memo.
Drafti ka dhe mangësi të tjera që juristët Alban Brati, Mimoza Pano, Iva Seseri të kuvendit i kanë listuar në shkresën drejtuar Metës dhe këshillit të rregullores.
“1. Projektvendimit i mungon relacioni shoqërues dhe nënshkrimet.
2. Kuadri ligjor, ku bazohet projektvendimi duhet të rishikohet. Pasi të reflektohen përplasjet në parim me Kushtetutën, legjislacionin në fuqi dhe Rregulloren e Kuvendit.
3. Projektvendimi është paraqitur në formë narrative dhe duhet të strukturohet i ndarë në krerë të veçantë dhe në nene, sipas rregullave përkatëse të teknikës legjislative.”
Ndrëkaq këshillit të rregullores dhe imunitetit pritet t’i propozohen 2 variante për formularin e vetdeklarimit , pasi PD-PS deri paraditen e së mërkurës nuk arritën të arrinin në një variant të përbashkët.
Ligji dekriminalizimit hyri në fuqi në 7 janar dhe aktet që e bëjnë efektiv atë duhet të miratohen nga kuvendi brenda 2 muajve nga kjo datë.