Trajneri i ekipit kombëtar spanjoll të futbollit, Vicente del Bosque deklaroi sot se do të largohej nga drejtimi i ekipit pas Euro 2016-ës.

"Nuk do të largohem para Euro 2016-ës. Kjo është ajo çka kam ndërmend", deklaroi 63-vjeçari për të përditshmen sportive "AS".

I pyetur për performancën negative të Spanjës pas Brazil 2014, Del Bosque u përgjigj me taktin e tij të zakonshëm se "kritikat kanë qenë të kuptueshme nga ne dhe konstruktive".

"Largimi nga kompeticionet ndërkombëtare i lojtarëve si Carles Puyol, Xavi, Xabi Alonso dhe David Villa kanë dobësuar ekipin", theksoi ai.

"Këta djem ishin heronj, lojtarë të jashtëzakonshëm, por ne duhet të shohim përpara. Nostalgjia nuk të çon asgjëkundi", shtoi trajneri i ekipit kombëtar spanjoll të futbollit, Vicente del Bosque.

ATSH