TIRANË- Kanë dalë përgjigjet e ekspertizës për vdekjen e 32-vjeçarit Lear Kurti i cili ndërroi jetë mbrëmjen e së mërkurës në duart e policisë. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se në këto analiza është vërtetuar se substanca e gjetur ishte e llojit kokainë.

I riu kishte arritur pak para se të kapej nga efektivët, të gëlltiste dy qese të vogla me një sasi kokaine brenda saj. Qeset janë të përmasave 5x5, të ngjashme me ato qeset që përdoren në farmaci për medikamentet. Sipas burimeve këto qese ishin të paktën 3 ose 4 doza kokaine. Sipas ekspertizës, shkak i vdekjes të Kurtit është arrest kardiak i shkaktuar nga overdoza.

Lear Kurti ndërroi jetë pak pasi u shoqërua në Komisariatit nr 3 në Tiranë pasi nga përpjekja për t’i shpëtuar policisë, sipas ekspertizës gëlltiti 3-4 doza kokainë. Mbrëmjen e së mërkurës, i riu ishte në rrugën “Riza Cuka” rreth orës 23:07 të mbrëmjes së të mërkurës kur policia i ka bërë thirrje për të ndaluar. Sapo i kërkuan të paraqiste dokumentet e identifikimit, Kurti ia mbathi me vrap. Pas këtij veprimi, forcat blu i janë vënë në ndjekje të riut për rreth 300 metra derisa arritën ta ndalonin në rrugën “Don Bosko”, duke kryer më pas edhe shoqërimin e tij në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë.

Lear Kurti rezultonte përdorues i lëndëve narkotike. Sapo zbriti nga makina e policisë, gjendja e tij u përkeqësuar ndaj policia ka njoftuar ambulancën. Duke qenë se po vonohej, vendosën që ta transportonin vetë për në spitalin e Traumës, ku mbërriti pa shenja jete.

Bashkë me viktimën është shoqëruar dhe shoku i tij, Zyhdi Spahiu, i cili është kapur i dehur në mjetin e tij. Spahiu është lënë i lirë, por është shoqëruar me gjobë për shkak te dozës së alkoolit. Dyshohet se viktima dhe shoku i tij fillimisht kanë qenë bashkë, por me pas janë ndarë kur është afruar policia. Lear Kurti rezulton me 3 precedentë penalë për vjedhje dhe drogë. Ai njihet si shok i grupit të Pajtim Serjanit, ky i fundit pjesë e grupit të Emiljano Shullazit. Vdekja e Kurtit ka shkaktuar mjaft reagime edhe nga opozita të cilët thonë se i riu ka vdekur nga dhuna e policisë së shtetit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:01
Vdekja e Lear Kurtit, Rrumbullaku pezullon për tre ditë 3 efektivët që e shoqëruan në Komisariat

Kryepolici Muhamet Rrumbullakuka pezulluar për 3 ditë 3 policiët që shoqëruan viktimën Lear Kurti në mbrëmjen e së mërkurës në Komisariatin numër 3.

Lajmin e bëri të ditur gazetari i Report Tv, Sokol Dema i cili raportoi se me urdhër të kryepolicit Muhamet Rrumbullaku u pezulluan tre efektivët që ishin pjesë e patrullës që shoqëruan Lear Kurtin mbrëmjen e së mërkurës. Mësohet se për tre efektivët D.H, S.N dhe E.S është marrë masa për pezullim nga detyra për tre ditë, masë administrative për shkak të vijimësisë së hetimeve mbi rastin.