TIRANË- Një ndjekje nga policia para mesnatës kanë qenë momentet e fundit të jetës së një 32-vjeçari në Tiranë. I riu i identifikuar si Lear Kurti ishte në rrugën “Riza Cuka” rreth orës 23:07 të mbrëmjes së të mërkurës kur policia i ka bërë thirrje për të ndaluar. Sapo i kërkuan të paraqiste dokumentet e identifikimit, Kurti ia mbathi me vrap.

Pas këtij veprimi, forcat blu i janë vënë në ndjekje të riut për rreth 300 metra derisa arritën ta ndalonin në rrugën “Don Bosko”, duke kryer më pas edhe shoqërimin e tij në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë.

Por gjatë rrugës për në ambientet e komisariatit, 32-vjeçari ka shfaqur probleme shëndetësore, kryesisht dridhje. Burime për gazetarin e Report Tv Sokol Dema, bëjnë me dije se viktima Lear Kurti rezulton se ishte përdorues i lëndëve narkotike dhe me sëmundje të epilepsisë. Sapo ka zbritur nga makina e policisë, gjendja e tij është përkeqësuar ndaj policia ka njoftuar ambulancën. Duke qenë se po vonohej, vendosën që ta transportonin vetë për në spitalin e Traumës, ku mbërriti pa shenja jete.

I riu ndërroi jetë në duart e policisë, por rrethanat mbeten ende të paqarta dhe pritet të zbardhen nga ekspertizave. Në ekspertizën paraprake ka rezultuar se i riu Lear Kurti ka ndërruar jetë si pasojë e overdozës pasi në stomak i është gjetur një përmbajtje plastike disa cm. Gjatë ndjekjes, burime bëjnë me dije se 32-vjeçari kishte me vete një dozë kokaine, të cilën mendohet ta ketë gëlltitur nga frika gjatë ndjekjes nga policia pasi nuk donte të arrestohej. Në stomakun e 32-vjeçarit ka shenja hemoragjie, çka mund të jetë shkaktuar nga gëlltitja e lëndës plastike ku dyshohet se mbahej lënda narkotike.

Sipas burimeve, nuk është ushtruar dhunë ndaj tij, megjithëse pritet të konfirmohet. Sa i përket sëmundjes nga e cila vuante, Report Tv ka mësuar se në ambientet e komisariatit është paraqitur dhe një tjetër person që ka konfirmuar tezën e epilepsisë dhe ka theksuar se rreth 2 javë më parë ka pasur krizë të njëjtë e për pak sa nuk kishte ndërruar jetë, por nuk e ka të regjistruar në kartelën mjekësore. 

Ndonëse mbrojtja thekson se mund të ketë pasur dhunë, ende mbetet e pakonfirmuar dhe aktualisht po hetohen kamerat e sigurisë në vendin ku u arrestua dhe në komisariat. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në drejtimin e Prokurorisë ka nisur hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Aktualisht mësohet se janë duke u marrë në pyetje efektivët e patrullës që shoqëruan të riun si dhe të tjerët që kanë qenë të pranishëm në Komisariat mbrëmjen e 19 tetorit.

Bashkë me viktimën është shoqëruar dhe shoku i tij, Zyhdi Spahiu, i cili është kapur i dehur në mjetin e tij. Spahiu është lënë i lirë, por është shoqëruar me gjobë për shkak te dozës së alkoolit. Dyshohet se viktima dhe shoku i tij fillimisht kanë qenë bashkë, por me pas janë ndarë kur është afruar policia. Lear Kurti rezulton me 3 precedentë penalë për vjedhje dhe drogë. Ai njihet si shok i grupit të Pajtim Serjanit, ky i fundit pjesë e grupit të Emiljano Shullazit.

Pajtim Serjani është një emër i njohur për policinë e Tiranës, pasi është arrestuar dhe dënuar për gjobëvënie me tre vite, ndërsa aktualisht është i lirë. Serjani u dënua për gjobëvënie ndaj një biznesmeni në vitin 2014. Në vitin 2015 Serjanit i është bërë atentat të Rruga e Kavajës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:39
Vdekja e të riut, Policia dhe APM: S’ka shenja dhune! Iu gjet në stomak një qese 5x5 cm me drogë! Efektivi s’ka bërë veprime të kundërligjshme

 

Prokuroria dhe AMP kanë dalë në një deklaratë të përbashkët për media, ku bëjnë me dije se në trupin e të riu Lear Kurti, nuk janë evidentuar shenja dhune. Në reagimin e tyre, ato bëjnë me dije se itinerari i të riut pasqyrohet në pamjet filmike të 5 kamerave duke theksuar se nuk ka pasur sjellje të kundërligjshme nga ana e efektivëve.

“Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka kryer veprimet hetimore proceduriale në lidhje me ngjarjen ku shtetasi L.K., 32 vjeç ndërroi jetë pasi u shoqërua nga punonjës policie të Komisariatit Nr.3 Tiranë gjatë një kontrolli rutinë, nga të cilat rezulton se: Në datë 19.10.2022, ora 23:07, punonjësit e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, gjatë patrullimit në Rr. “Riza Çuka” në zonën e Laprakës kanë konstatuar një person duke qëndruar përpara një biznesi privat, për të cilin kushtet dhe rrethanat diktonin nevojën e një verifikimi.

Në momentin kur punonjësit e Policisë, i kanë kërkuar dokumentin e identifikimit, shtetasi është larguar me vrap, duke mos iu bindur thirrjeve të njëpasnjëshme të punonjësve të Policisë për të ndaluar.

Pasi ka vrapuar për rreth 200 metra, i ndjekur nga patrulla e Policisë, mes rrugicave midis rrugës “Riza Çuka” dhe “Don Bosko”, ai është kapur dhe ndaluar nga punonjësit e Policisë, vend në të cilin kanë qëndruar 7 minuta.

Në vijim, pasi është qetësuar, shtetasi është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 ku ka shfaqur probleme shëndetësore, gjë e cila ka diktuar dërgimin në Spitalin e Traumës, ku është konstatuar humbja e jetës. Nga veprimet hetimore të kryera, është dokumentuar i gjithë itenerari dhe veprimet e punonjësve të Policisë nga momenti kur shtetasit i kërkohet të identifikohet deri në shoqërimin e tij në ambientet e Komisariatit të policisë Nr 3.

Ky itenerar pasqyrohet në pamjet filmike të admnistruara nga 5 kamera të vendeve të ndryshme, deklarimet e personave të pranishëm, mes tyre dhe dy shtetas shokë të viktimës, si dhe nga deklarimet e punonjësve të Policisë. Nga veprimet hetimore në vazhdim janë dhe këqyrja e kufomës në prani të stafit mjeko-ligjor, nga e cila nuk rezulton që në trupin e viktimës të ketë dëmtime apo shenja dhune. Në kyçe konstatohen shenjat e krijuara në momentin e prangosjes.

Nga autopsia e kryer në Institutin e Mjekësisë Ligjore, rezultoi se në stomakun e viktimës është gjetur një qese plastike e çarë me ngjyrë të bardhë me përmasa 5x5 cm, e dyshuar si ambalazh i lëndës narkotike, e cila i është nënshtruar ekzaminimit në Institutin e Policisë Shkencore. Gjithashtu nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, vijojnë ekzaminimet për të përcaktuar shkakun e vdekjes.

Nga analiza e kryer e provave të grumbulluara deri në këtë fazë të hetimeve, si pamje filmike, këqyrje dhe ekzaminime mjeko-ligjore, nuk evidentohen veprime të kundraligjshme të punonjësve të Policisë, gjatë dhe pas shoqërimit të shtetasit L.K., 32 vjeç. Për sa më sipër, AMP nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë vijon hetimet për të sqaruar dhe zbardhur shkakun e vdekjes dhe rrethana të tjera të ngjarjes”, thuhet në njoftim.

Ora 13:40
Vdiq pas shoqërimit në komisariat, Lear Kurti dyshohet se gëlltiti qesen me drogë, ndërroi jetë nga overdoza

1666252868_WATERMARKREPORTtv.00353317.Still010.jpg

Në ekspertizën paraprake ka rezultuar se i riu Lear Kurti ka ndërruar jetë si pasojë e overdozës. Në stomakun e tij është gjetur një përmbajtje plastike disa cm ku dyshohet se viktima ka gëlltitur lëndën narkotike. Kjo substancë është dërguar për analiza të mëtejshme për të vërtetuar nëse ka qenë kokaine apo jo. Në stomakun e 32-vjeçarit ka shenja hemoragjie, çka mund të jetë shkaktuar nga gëlltitja e lendes plastike ku dyshohet se mbahej lënda narkotike.

Ora 13:34
Vdiq në duart e policisë, pas përfundimit të punës së ekspertizës, trupi i pajetë i 32-vjeçarit tërhiqet nga familjarët

 

Ekspertiza duket se e ka përfunduar punën pasi trupi i pajetë i 32-vjeçarit Lear Kurti që vdiq në duart e policisë është marrë nga familjarët. Pasi të nxjerrin rezultatet pritet të qartësohet shkaku i vdekjes.

Ora 11:55
Akuza e falsifikimit të kartmonedhave, pas 5 ditësh Apeli do të jepte vendimin për Lear Kurtin

1666266229_311777535102258236408894861918138439623304591n.jpg

Gjykata e Apelit në Tiranë do të shqyrtonte një proces gjyqësor në ngarkim të Lear Kurtit me akuzën e falsifikimit të kartmonedhave të kryer në bashkëpunim. Kurti ishte shpallur i pafajshëm në vitin 2016, por vendimi u apelua nga prokuroria e Tiranes pasi ka kërkuar dënim dhe fajësi. Seanca ishte parashikuar të mbahej më 25 tetor në gjykatën e Apelit.
 

Ora 11:47
U birësua kur ishte 2-vjeç nga çifti Isai, historia e trishtë e Learit që vdiq në duart e policisë

1666252868_WATERMARKREPORTtv.00353317.Still010.jpg

Lear Kurti është 32-vjeçari i cili ndërroi jetë në duart e policisë pas shoqërimit në komisariatin e Policisë nr.3 në Tiranë. Shkaku i vdekjes së të riut është ende i paqartë, teksa historia e jetës së Learit është tejet e trishtë.

Në dëshminë që ka dhënë për TCH, babai i Lear Kurtit, Artur Isai tregon se nuk është babai biologjik i tij, por adoptues. Arturi tregon se e ka marrë të riun kur ishte 2 vjeç nga shtëpia e Fëmijës për ta rritur bashkë me të shoqen ndërsa sot e kërkon nëpër dyert e morgut për t’i parë trupin.

Ora 11:03
Vdiq në duart e Policisë, burime nga të afërmit e të riut: 32-vjeçari kriza të shpeshta epilepsie, më e fundit para 2 javësh

1664642244_1663528660policia.JPG

Report Tv ka mësuar se në ambientet e komisariatit është paraqitur dhe një tjetër person që ka konfirmuar tezën e epilepsisë për 32-vjeçarin që vdiq në duart e policisë dhe ka theksuar se rreth 2 javë më parë ka pasur krizë të njëjtë e për pak sa nuk kishte ndërruar jetë.

Ora 10:55
32-vjeçari vdiq pas ndjekjes nga policia, dyshohet se gëlltiti një dozë kokaine që kishte me vete

1665816649_policiaVlore1.jpg

32-vjeçari Lear Kurti që vdiq në duart e policisë dyshohet se kishte një dozë kokaine të cilën mund ta ketë gëlltitur kur u ndalua nga forca blu, thonë burime ende të pakonfirmuara. Kjo mund t’i ketë dhënë probleme shëndetësore ndërsa mbetet ende e paqartë se cila është arsyeja që i ka shkaktuar vdekjen.

Ora 10:00
Del FOTO, kush është 32-vjeçari që vdiq në duart e policisë pas shoqërimit në komisariat

1666252868_WATERMARKREPORTtv.00353317.Still010.jpg

Report Tv ka siguruar fotografinë e 32-vjeçarit Lear Kurti që vdiq në duart e policisë së Tiranës pas shoqërimit në komisariat.

Ora 09:10
Vdiq pas shoqërimit në komisariat, 32-vjeçari përdorues droge, vuante nga epilepsia! Shok i Pajtim Serjanit, pjesë e grupit të Shullazit

Viktima Lear Kurti rezulton se ishte përdorues i lëndëve narkotike dhe me sëmundje të epilepsisë. Në momentin kur është shoqëruar në ambientet e Komisariatit, Kurti ka filluar te shfaqë probleme shëndetesore dhe të dridhura.

Menjëherë është lajmëruar ambulanca, por për shkak se është vonuar, efektivët e kanë dërguar me makinën e policisë me urgjencë në spital ku dhe ndërroi jetë. Bashkë me viktimën është shoqëruar dhe shoku i tij, Zyhdi Spahiu.

Ky i fundit është kapur i dehur në mjetin e tij. Spahiu është lënë i lirë, por është shoqëruar me gjobë për shkak te dozës së alkoolit.

Dyshohet se viktima dhe shoku i tij fillimisht kanë qenë bashkë, por me pas janë ndarë kur është afruar policia. Lear Kurti rezulton me 3 precedentë penale, vjedhje dhe droge. Ai njihet si shok i grupit të Pajtim Serjanit.