Delegacionet amerikane dhe iraniane ndodhen në Oman për bisedime. Diskutimet vijnë në kulmin e tensioneve mes dy vendeve dhe pas grumbullimit të forcave ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, si reagim ndaj shtypjes së dhunshme nga Irani të protestave mbarëkombëtare kundër qeverisë muajin e kaluar.
Megjithatë, shtrirja e bisedimeve, të cilat besohet se janë indirekte, mbetet e paqartë, pasi të dyja vendet janë larg njëra-tjetrës në qëndrimet e tyre, mes mos-besimit të ndërsjellë. Shpresa ishte që, nëse do të kishin sukses, diskutimet të çonin në krijimin e një kuadri për negociata.
Shtetet e Bashkuara, të cilat kërkojnë që Irani të ngrijë programin e tij bërthamor dhe të heqë dorë nga rezervat e uraniumit të pasuruar, kanë deklaruar se bisedimet në Oman duhet të përfshijnë gjithashtu raketat balistike të Iranit, mbështetjen e tij për grupet e armatosura rajonale dhe trajtimin e qytetarëve të vet.
Irani, megjithatë, ka thënë se diskutimet do të kufizohen vetëm në programin e tij bërthamor, dhe mbetet e paqartë nëse këto dallime janë zgjidhur sipas BBC.
Omani bëri të ditur se ministri i tij i Jashtëm ka zhvilluar bisedime të ndara me ministrin e Jashtëm iranian Abbas Araghchi dhe me të dërguarin special të SHBA-së Steve Witkoff, si dhe me dhëndrin e presidentit Trump dhe të dërguarin e tij, Jared Kushner, të premten në mëngjes.
Sipas njoftimit, “konsultimet u përqendruan në përgatitjen e kushteve të përshtatshme për rifillimin e negociatave diplomatike dhe teknike”.
Komente










