Eurodepuetët përcollën mesazhin se vlerësonin si "pozitive" dhe hapa "inkurajues e konkret", arritjen e marrëveshjeve dhe votimi i tre ligjeve me 3/5 ndërsa shpresojnë se "kjo klimë të vijojë dhe bashkëpunimi politik mes palëve të japë rezultatet e duhura në funksion të aspiratave madhore të qytetarëve shqiptarë dhe Shqipërisë."
Grupi i eurodeputetëve përbëhet nga Eduard Kukan, kryetar EPP Sllovaki, Viktor Bostinaru nën,kryetar PSD Rumani, Antonio Cancian EPP Itali, Tanja Fajon PSD Slloveni, Stanimir Ilchen Alde Bullgarii dhe Michail Tremopoulos Greens/EFA Greqi.
"Mesazhi i takimit tonë me ju është se Parlamenti Europian mirëpret marrëveshjet e arritura mes partive politike. Jemi të lumtur që këto marrëveshje u arritën në Parlament... Kemi ardhur këtu t’ju rikonfirmojmë se në Parlamentit Europian gjërat po lëvizin pozitivisht për Shqipërinë dhe jemi të gatshëm të kontribojmë që kjo atmosferë të vijojë në këtë trend pozitiv”- citohet të ketë thënë kryetari i delegacionit për Evropën Juglinore, Kukan në takimin me kryetaren e Parlamentit Jozefina Topalli.
Si Presidenti Topi dhe zonja Topalli falenderuan delegacionin për vëmendjen e veçantë dhe asistencën e plotë që Bashkimi Evropian, përmes përfaqësuesve dhe strukturave të tij i jep Shqipërisë në mënyrë të vazhdueshme, sidomos në zgjidhjen e situatave që influencojnë drejtpërdrejtë procesin e integrimit evropian të vendit dhe që kanë të bëjnë me funksionimin e demokracisë, institucioneve dhe shtetit ligjor, si dhe reformat kyçe
“Ne e konsiderojmë procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si një proces të bazuar tërësisht në performancë dhe meritë, i cili nëpërmjet realizimit të reformave është në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë”, - u shpreh Presidenti Topi gjatë bisedës, thuhet në njoftimin për shtyp të presidencës.
TOPI: PAS 2 VJETESH NGECI POLITIK, PERSPEKTIVA EUROPIANE BASHKOI PARTITE
Kryetari i Shtetit Shqiptar vuri në dukje se dhe kjo vizitë e eurodeputetëve tregon për mbështetjen pa hezitim të komunitetit evropian për vendin tonë, po ashtu na krijon bindjen se angazhimi, vullneti dhe përkushtimi që klasa politike shqiptare pritet të dëshmojë, do të ndikojnë pozitivisht procesin e marrjes së statusit të vendit kandidat nga Shqipëria. Presidenti Topi vlerësoi se “pas dy vjetësh ngërçi politik, perspektiva evropiane ka treguar se është një mjet bashkimi dhe tejet i rëndësishëm për ndërtimin e konsensusit ndërmjet klasës politike në vend”. Presidenti i Republikës vlerësoi se ngritja e Komisionit “ad hoc” për Reformën Zgjedhore dhe Grupit të Punës për rishikimin e rregullave të Kuvendit, si dhe votimi në Komisionet parlamentare të disa kodeve që kërkojnë shumicë të cilësuar, shënojnë zhvillime pozitive që i hapin rrugën zbatimit të 12 përparësive të Komisionit Evropian”, - ndërsa theksoi faktin se Raporti i Progresit i Komisionit Evropian është kthyer në një program pune për institucionet shqiptare, për të avancuar më tej agjendën evropiane.
TOPALLI: PAS 2 VITESH NGERC OPOZITA IU RIKTHE PUNES
Në takimin e saj Kryetarja e Parlamentit u tha delegacionit të PE se “si Kryetare e Parlamentit ndihem e lehtësuar që klima politike në parlament tashmë është normale dhe se pas dy vitesh bojkoti opozita i është kthyer punës. Pas dy vitesh bllokimi opozita po punon në komisionet parlamentare dhe po merr pjesë në votime në seancat plenare. Kemi miratuar 3 kode që kërkojnë 3/5-tat, kemi ngritur komisionin për reformën zgjedhore, ashtu si edhe grupin e punës për Rregullore, bazuar në rregulloren e Parlamentit Europian, me konsensusin e të gjitha palëve.”
Topalli tha më tej se maxhoranca e ka autorizuar të mbështesë draft/opinionin e përbashkët të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias mbi ligjin elektoral dhe praktikat elektoralem dhe konfirmoi se do të marrë pjesë personalisht në seancën plenare për këtë çështje në Komisionin e Venecias dhe do të mbështesë këtë draft/opinion të përbashkët të këtyre dy institucioneve.
NESER TAKIMI SHQIPERI- BE
Nesër do të zhvillohet takimi i katërt i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit, BE-Shqipëri (SAPCë. Kështu, përballë njëri tjetrit do të jenë deputetët shqiptarë dhe ata të BE, në funksion të statusit të vendit kandidat. Takimi do të përqëndrohet në dy çështje kryesore që kanë të bëjmë me qëndrimin i Shqipërisë ndaj rekomandimeve të BE dhe reformat në parlamentin shqiptar.
Në fund të takimit pritet miratimi një rezolute të përbashkët me pëlqimin e anëtarëve të mazhorancës dhe opozitës. Përfaqësues të BE do të këmbëngulin në miratimin e kësaj rezolute, pasi në tre takimet e fundit mes Shqipërisë e BE-së, nuk është arritur të miratohet një rezolutë e përbashkët mes palëve.
Gjatë ditës së nesërme delegacioni do të ketë takim dhe me zv.kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto.