TIRANË - Mihal Delijorgji, njeriu i tragjedisë së Gërdecit që shkaktoi 26 të vdekur mes punëtorëve të thjeshtë, del prapë në skenë, e tani si pronari i truallit ku prej ditësh ka nisur dëbimi me forcë i familjeve rome, pasi në këtë truall do të ndërtohet një kompleks pallatesh.

E para që ka zbuluar emrin e Mihal Delijorgjit ka qenë aktivistja për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, Elsa Ballauri, gjatë një interviste në studion e tv “A1 Report!”:

"Nuk u ndodha në Tiranë në konfliktin te Rruga e Kavajës,"- u shpreh ajo. - "Policia vajti dhe nuk bëri asgjë. Pronari që e ka marrë, Delijorgji, është personi që ka pronën në posedim, sipas infove që kanë kolegët e mi. Ai i ka larguar njerëzit. Policia ka biseduar me të dhe më pas u ka thënë njerëzve "duhet të dilni se ai ka të drejtë".

Sot kamera e “A1Report!” ka filmuar pikërisht Delijorgjin brenda zonës së rrethuar, ku do ndërtohet kompleksi i pallateve të shumëpërfolura. Pavarësisht se u urdhërua ndërprerja e menjëhershme e dëbimit të romëve dhe pezullimi i punimeve, “A1Report!” ka mundur të filmojë krejt të kundërtën. Punimet vazhdojnë, romët kërcënohen dhe të gjithë këtë operacion e drejton vetë Mihal Delijorgji, i cili veç romëve kërkon të dëbojë dhe median:

"Kjo nuk është e romëve,"- na tha ai, - "dilni jashtë!"

E pyetëm Delijorgjin: "Si nuk është e romëve?"

Dhe përgjigja ishte: "Eshtë pronë private zonjë; ose dil ose lajmeroj policinë. Nuk ke të drejtë të shkelësh këtu, vazhdo jashtë!"

Por ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj urdhëroi mbrojtjen e familjeve rome, asnjë patrullë policie nuk duket pranë; Delijorgji vazhdon punën pa përfillur asnjë thirrje ndërkohë që romët kërcënojnë:

"Ne do bëjmë një krim të madh, një krim të madh, pasi sië nuk na mbështet Qeveria, do marrim fëmijët dhe do t;i djegim në mes të xhades! Që gjithë Qeveria të marrë masa për ne!"- tha njeri prej tyre. Një tjetër anëtar i komunitetit, shtoi: "Na kanë thënë dilni se do të bëjmë punimet e pallatit!" për t'u mbyllur me dhimbjen e një nëne të moshuar: "82 vjeçe jam! Ku të vdes unë?!"

delijorgji
 delijorgji
delijorgji

delijorgji
nene rome
(Në foto: Mihal Delijorgji duke inspektuar sot truallin e ndërtimit dhe familjet rome mbi rrënojat e barakave të tyre)

Redaksia online
(g.h./ar.sh/shqiptarja.com)