Dëmet e deklaruara nga bizneset e prekura gjatë protestave kanë arritur në 3.37 milionë euro. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bën të ditur se deri tani janë regjistruar 110 aplikime përmes shërbimit “Dëmi im” në portalin e-Albania.
Administrata Tatimore njofton se vijon procesi i evidentimit dhe vlerësimit të dëmeve të raportuara nga bizneset, ndërsa u bën thirrje subjekteve të prekura të aplikojnë përmes platformës online.
“Përmes shërbimit ‘Dëmi im’ në e-Albania, bizneset e prekura vijojnë të raportojnë dëmet e shkaktuara, duke ndihmuar në dokumentimin dhe vlerësimin e tyre”, njoftojnë Tatimet.
Sipas vendimit të miratuar nga qeveria, bizneset me xhiro vjetore deri në 14 milionë lekë mund të përfitojnë kompensim deri në 100% për dëmet materiale të shkaktuara gjatë protestave, në rastet kur ato nuk mbulohen nga kompanitë e sigurimeve. Nëse sigurimi mbulon vetëm një pjesë të dëmit, kompensimi mund të përfshijë diferencën.
Procesi i verifikimit përfshin Administratën Tatimore dhe grupet në terren, ndërsa Policia e Shtetit dhe Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit verifikojnë nëse dëmet janë shkaktuar gjatë protestave.
Pas përfundimit të verifikimit, pagesa e kompensimit parashikohet të kryhet brenda 30 ditëve.
Ndërkohë, sipas skemës së miratuar, pas dëmshpërblimit të bizneseve, Avokatura e Shtetit do të kërkojë kthimin e fondeve nga personat përgjegjës ose organizatorët e tubimeve të dhunshme.









Komente
Komento